Fshati ku u shkrua historia dhe u zhvillua beteja për Republikën, 4 muaj pas sulmit serb

Fshati ku u shkrua historia dhe u zhvillua beteja për Republikën, 4 muaj pas sulmit serb

23:27, 24/01/2024
A+ Aa A-

Më 24 shtator të vitit 2023, një grup i armatosur paraushtarak serb, sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, teksa kjo e fundi ju përgjigj thirrjes për bllokim të rrugës me kamionë. Sulmi rezultoi me vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku. Agresorët u izoluan më pas në manastirin e Banjkës, dhe pas një përleshje disa orëshe me policinë 3 prej autorëve u vranë dhe një mori armatimesh u konfiskuan.

Kosova, e cilësoi ngjarjen si sulm terrorist, pohim ky që u mbështet edhe nga BE, SHBA, dhe Parlamenti Europian. Parlamenti i Kosovës denoncoi sulmin dhe bëri thirrje për hetim ndërkombëtar dhe marrjen e masave kundër Serbisë nga vendet perëndimore.

Teksa Kosova shtonte masat e sigurisë, Serbia afroi ushtrinë në kufirin me Kosovën duke nxitur shqetësim dhe alarm në rajon. Ndërkombëtarët bënë thirrje për përshkallëzim ndërsa NATO përforcoi praninë e vet në Kosovë.

Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i partisë kryesore të serbëve në veri, pranoi përballë provave të paraqitura nga Kosova se ishte organizator i sulmit. I akuzuar për krime serioze kundër sigurisë publike ai gjendet në Serbi, ku po gjykohet në gjendje të lirë.

Serbia i ka refuzuar thirrjet për ekstradim të mundshëm e 4 muaj pas, ky akt terrorist mbetet i pandëshkuar.

Gazetari i A2CNN, Ideal Gola së bashku me operatorin Enis Imeri ishin sot në Banjskë për të na treguar si është situata në Veri aktualisht, dhe sa vigjilentë janë autoritetet, në një kohë kur grupi që organizoi aktin terrorist mbetet në liri?

Banjska është e qetë. Edhe në rrugën që të çon deri në këtë fshat të thellë të veriut të Kosovës vihen re pak lëvizje të njerëzve dhe veturave. Policia e Kosovës është në krye të detyrës. Patrullime bëhen edhe nga KFOR-i dhe EULEX-i. 

“Situata është e qetë, por është e tensionuar, delikate, duke qenë se grupi i Banjskës nuk është eliminuar, duke marr parasysh që udhëheqësi i tyre Milan Radojçiqi është në liri, atëherë kjo ne na bën që të jemi vigjilentë”. 

Katër muaj me parë, situata ishte krejtësisht ndryshe.

“Aty konsideroj që është shkruar historia. Mendoj se një pjesë e historisë është aty dhe do të jetë gjithmonë. Një betejë ne e kemi fituar me dëme minimale, edhe nga ana jonë, edhe nga ana e palës tjetër."

Në orët e para të datës 24 shtator 2023, rreshteri Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës, pasi ishte pjesë e patrullës që reagoi e para në atë që ishte inskenuar si një rast kontrabande.

“Unë kam qenë në shtëpi, jam njoftuar nga baza e policisë që ka gjuajtje me armë zjarri”. 

Policia shpejt do të kuptonte se kishte të bënte me një akt terrorist dhe përballë ishin njerëz me përgatitje dhe armatim ushtarak.

“Kemi pasur minahedhës 82 milimetërsh, minahedhës 60 milimetërsh, me qindra predha që i kemi konfiskuar, kemi pasur pushkë automatike 30 milimetërsh që është gjuajtur me automatikë, është armë e rëndë që përdoret për person ose për autoblinda, ka pasur mina antitank, mina antikëmbësorike, shumë material ushtarak”. 

Në kundërpërgjigje të terroristëve, urdhri ishte i qartë. Civilët, shtëpitë private dhe manastiri nuk preket.

“Urdhri ka qenë atë ditë nga vendi i ngjarjes, si eprorë që kemi qenë bashkë me njësitë e tjerë, ka qenë që sheh civilë nuk gjuan, e sheh një person të unfiormuar me maskë, me armë, futet në shtëpitë civile, nuk gjuan, nëse e sheh e ke një pamje të qartë, atëherë e gjuan, gjuaje dhe vraje, ky është urdhri që është dhënë atë ditë."

Banjska nuk ishte zgjedhur rastësisht nga terroristët, pasi në këtë zonë ka pasur shumë rrugë ilegale që e lidhin fshatin me Serbinë. Pas shumë orësh në përballje me grupin, policia arriti të merrte kontrollin e gjithë zonës. Megjithatë, rreziku për efektivët policorë mbetet i lartë. 

“Policët patrullues janë çdo natë në rrugë, çdo ditë, nuk është personel i cili është trajnuar për të shkuar në rrezikshmëri të lartë. Por edhe të ishin trajnuar për rrezikshmëri të lartë, momentin që ti patrullon natën dhe 17% e territorit tënd është mal, pritet një gjë e tillë.”

Serbia paguan një përqindje të madhe të serbëve në veri, në atë që njihen si struktura paralele, prandaj edhe të njëjtit i shantazhon duke i detyruar të veprojnë në dëm të Republikës së Kosovës.

“Na kemi problem në veri me strukturat paralele, nëse paguhet shëndetësia, arsimi, dhe shumë veprimtari të tjera që bëhen në mënyrë paralele nga Serbia, atëherë në kemi problem me ta, për arsye se si vendos Beogradi këta duhet të veprojnë."

Banjska ka lënë gjurmët e saj si fshati ku ndodhi përpjekja më e rëndë për të cenuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës./A2

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco