'Po mohojnë identitetin malazez dhe...'/ Analistët kritikojnë strukturat e pushtetit në Malin e Zi

'Po mohojnë identitetin malazez dhe...'/ Analistët kritikojnë strukturat e pushtetit në Malin e Zi

22:37, 20/01/2024
A+ Aa A-

Analistët dhe opozita në Mal të Zi po kritikojnë disa struktura të pushtetit në vend, duke thënë se ato po mohojnë identitetin malazez dhe kushtetutën e tij.
Ata akuzojnë kryetarin e parlamentit të Malit të Zi, Andrija Mandiç , i cili me veprimet e tij, siç thanë ata, po ndjek politikën hegjemoniste të botës serbe në rajon dhe se është shndërruar në instrument të Kishës Ortodokse Serbe.

Po ashtu ata shprehën shqetësimin edhe ndaj disa zyrtarëve të lartë të qeverisë malazeze, të cilët sipas tyre, po ndikojnë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon.

Qendra malazeze e organizatës PEN kritikoi sjelljen e kryetarit të parlamentit të Malit të Zi, Andrija Mandiç, i cili zyrtarisht priti peshkopin e Kishës ortodokse Serbe, Joanikij Miqoviç.

“Duke puthur duart e peshkopit serb, kryetari i parlamentit u dërgoi një mesazh të qartë qytetarëve malazezë se parlamenti i Malit të Zi është instrument në duart e kishës serbe dhe të zyrtarëve të Beogradit”, thuhet në reagimin e qendrës.

Analisti malazez Aleksandar Sasha Zekoviç e kritikoi qëndrimin e kryetarit të parlamentit, i cili sipas tij, po ndjek politikën hegjemoniste të botës serbe në rajon.

Opozita malazeze nuk e përjashtoi mundësinë që të kërkohet dorëheqja e kryetarit të parlamentit. “Sjellja dhe veprimet e Mandiqit janë arsyeja e mjaftueshme për të kërkuar largimin e tij,” tha opozita malazeze.

Andrija Mandiç është përfaqësues i koalicionit të partive pro-serbe dhe pro-ruse i ish Frontit Demokratik i njohur si kundërshtar i anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.

Uashingtoni zyrtar ka paralajmëruar dhe shprehur disa herë shqetësim se qeveria e re përbëhet nga parti dhe liderë që janë aktivisht kundër vlerave euroatlantike. Qëndrim i ngjashëm është shprehur edhe nga institucionet evropiane.

Analistët dhe opozita shprehen shqetësimin edhe ndaj disa përfaqësuesëve zyrtarë të qeverisë së re malazeze, që sipas tyre po ndikojnë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon.

Fjala është për takimin e Ministrit të Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anushiç me homologun e tij malazez, Dragan Krapoviç, që u anulua për shkak të deklaratave të ministrit malazez lidhur me pllakën përkujtimore në ish-kampin ushtarak në Morinje gjatë luftës së Kroacisë, dhe të pronësisë mbi anijen shkollore Jadran, që vazhdon të jetë objekt i mosmarrëveshjeve mes dy vendeve.

Mosmarrëveshjes i parapriu zoti Krapoviç, i cili tha se sipas marrëveshjeve të nënshkruara pas shpërbërjes së Jugosllavisë, Kroacia nuk ka të drejtë të kërkojë anijen shkollore Jadran. Anija lundruese e quajtur Jadran është pjesë e flotës detare malazeze me qendër në portin e Tivarit.

Ndërsa lidhur me pllakën përkujtimore në ish kampin ushtarak, Morinj, zoti Krapoviq tha se, “ishte vendosur në mënyrë të gabuar dhe se mbishkrimi nuk korrespondon me faktet dhe se ajo duhet të zëvendësohet me një tjetër me një tekst më të përshtatshëm”.

“Pikëpamjet e Ministrit Krapoviç, të cilat i ka shprehur në media ditët e fundit, nuk lënë hapësirë për diskutim dhe bien ndesh me pikëpamjet e Kroacisë dhe faktet historike”, tha në reagimin e saj ministria kroate lidhur me anulimin e takimit.

Në pllakën përkujtimore citohen vuajtjet në kampin Morinj gjatë agresionit serbomadh dhe kërkohet që ngjarjet që turpëruan emrin e Malit të Zi të mos përsëriten më kurrë.

Sjellja e shefit të mbrojtjes malazeze, Dragan Krapoviç, u kritikua nga përfaqësuesit kroatë në Malin e Zi, duke thënë se” cenon marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, ndërsa i kërkuan kryeministrit malazez që të distancohet nga qëndrime të tilla.”

Edhe opozita malazeze e kritikoi veprimin e Ministrit të Mbrojtjes, duke thënë se ai bëri deklarata të pamenduara në raport me shtetet fqinje.

“Incidenti që shkaktoi zoti Dragan Krapoviç me deklaratat e tij të pamenduara është vetëm vazhdimësi e politikës së provokimit të shteteve fqinje nga shumica e re parlamentare”, tha Partia Demokratike e Socialistëve në opozitë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco