Shkup, parlamenti nuk miraton projektligjin për Amnistinë

Shkup, parlamenti nuk miraton projektligjin për Amnistinë

19:14, 02/11/2023
A+ Aa A-

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut nuk miratoi projektligjin për amnistinë, të hartuar nga Ministria e Drejtësisë. Edhe pse propozimi kishte marrë dritën jeshile nga qeveria, ligjvënësit e Lidhjes Social Demokrate nuk e mbështetën atë për shkak se sipas tyre do t’iu mundësonte lirimin nga burgu të dënuarve në rastin “Monsra”, të akuzuar për vrasjen e pesëfishtë afër Shkupit në vitin 2012.

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga tha se arsyeja kryesore për propozimin e ligjit është mbipopullimi i burgjeve dhe kushtet nën çdo standard të të burgosurve. Nga 84 deputetët e pranishëm në seancë prej 120 sa ka Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, 15 votuan pro propozimit, ndërsa 66 kundër. 3 ligjvënës abstenuan.

Projektligji për amnistinë kishte hyrë me procedurë të shpejtë në parlament, ndërsa pritej që Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga si propozues, të kthehej nga vizita në Shtetet e Bashkuara për ta paraqitur para deputetëve. Zoti Lloga para fillimit të seancës u shpërndau ligjvënësve fotografi që tregonin kushtet e burgjeve.

Projektligji nuk gjeti mbështetje as edhe tek vetë ligjvënësit e Lidhjes Social Demokrate, partia kryesore e koalicionit qeveritar, e cila thekson se do të amnistoheshin personat e dënuar me burg për vrasjen e katër të rinjve dhe një burri pranë Liqenit të Smillkovës në vitin 2012.

“Veçanërisht, situata shqetësuese në burgjet tona është konstatuar nga Komiteti kundër torturës në kuadër të Këshillit të Evropës, i cili vazhdimisht e thekson në raportin e tij dhe kjo ishte arsyeja themelore që inicova përgatitjen e Ligjit për Aministi, me të cilin do të lehtësohen kapacitetet e burgjeve”, tha Krenar Lloga, Ministër i Drejtësisë. Ai njoftoi se sërish do të përgatisë një projektligj për amnistinë.

Projektligji parashikonte lirimin nga burgjet të atyre personave që vuanin dënimin për vepra më të lehta penale, ndërkohë që opozita maqedonase akuzonte pushtetin se në këtë mënyrë po përgatitej të amnistojë eksponentët e tij “të zhytur në korrupsion dhe vepra kriminale”, sipas VMRO-DPMNE-së./ VOA/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco