Letër e hapur për ambasadorin Christopher Hill: ‘Çorapet e Zeza’ në Beograd

Letër e hapur për ambasadorin Christopher Hill: ‘Çorapet e Zeza’ në Beograd

19:25, 24/08/2023
A+ Aa A-

Nga Miodrag Vlahoviç

Letër e hapur e politikanit dhe ish-diplomatit malazez për ambasadorin amerikan në Serbi

Shkëlqesia juaj, i nderuari ambasadori Hill,

Intervista juaj e fundit në ‘Zërin e Amerikës’ është e mbushur me teza të gabuara dhe interpretime jokorrekte, të cilat edhe njëherë konfirmojnë politikën tuaj të qetësimit dhe joshjes ndaj Aleksandër Vuçiçit, pra politikës zyrtare të Serbisë, dhe i vë seriozisht në pikëpyetje motivet dhe synimet pas një qëndrimi të tillë dhe deklaratave tuaja publike.

Ngurrimi juaj për të kritikuar publikisht politikën e personifikuar të Vuçiç me çdo mënyrë, po merr formën e një karikature. Është e habitshme që edhe te kërcënimet dhe fyerjet e fundit brutale, që iu dërguan njëra pas tjetrës Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut nga presidentit i Serbisë, Vuçiç, dhe më pas ministri i Mbrojtjes, Vuçeviç dhe në fund ministri i Jashtëm, Daçiç, ju nuk shihni asgjë kontroverse! Për ju, kjo nuk është një përpjekje për të destabilizuar rajonin? Cilat janë arsyet e qëndrimit tuaj, i cili sinqerisht i habit dhe i shqetëson të gjithë miqtë e sinqertë amerikanë në Mal të Zi, por edhe në të gjitha vendet e tjera të rajonit?

Nëse ajo që thanë publikisht tre zyrtarë serbë nuk është një problem, atëherë as avokatia juaj e përsëritur për të ashtuquajturin ‘Ballkan i Hapur’, për të cilin nuk ranë kurrë dakord tre nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor- dhe një nga dy promotorët kryesorë (dmth kryeministri Edi Rama) hoqi dorë së fundmi qartë dhe përfundimisht- ‘nuk është në diskutim’. Kjo është arsyeja pse është e habitshme. Në të vërtetë, për çfarë arsye ju insistoni në mënyrë të panevojshme dhe të kotë për muaj të tërë në atë formë të parregulluar dhe imponuar bashkëpunimi, për të cilën të gjithë miqtë dhe aleatët tanë (dhe tuaj) europianë kanë thënë qartë se nuk ishte në përputhje me axhendën evropiane të Ballkanit Perëndimor, as me vetë Procesin e Berlinit? Cili është interesi juaj për të? Pengimi i integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, për të kënaqur orekset e politikës nacionaliste të Beogradit zyrtar? Ky është qëllimi?

Ajo që na shqetëson më shumë në intervistën tuaj është deklarata se politika që tani identifikohet me ju, duke pasur parasysh gjithçka thoni dhe bëni (edhe pse zoti Escobar, zoti Grenell dhe paraardhësi juaj në Beograd, ambasadori Montgomery, i përkasin të njëjtës ‘shkollë mendimi’), është e mirë dhe korrekte, edhe nëse nuk jep rezultate?!

Me gjithë respektin, ne duhet t’ju korrigjojmë këtu. Nuk është e vërtetë që një ‘Pax Americana’ e tillë nuk jep rezultate në rajonin tonë. E vërteta është krejt ndryshe: politika që ju promovoni shkakton pasoja shumë të këqija. Ajo e destabilizon Ballkanin perëndimor. Krijon dhe ruan krizat dhe parandalon që disa çështje të hapura dhe antagonizma të fillojnë dhe të zgjidhen përfundimisht. Shembujt, jemi të sigurt, ju i dini më shumë dhe më mirë se ne, janë: situata në Bosnje dhe Hercegovinë, marrëdhënia ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe ngjarjet dhe tendencat në vendin tonë, Malin e Zi. Kjo është arsyeja pse politika juaj është thellësisht e gabuar. Ajo kërcënon të komprometojë plotësisht angazhimin pozitiv dhe efikas prej dekadash të Shteteve të Bashkuara në rajonin tonë.

Ne, në Mal të Zi, jo vetëm për shkak të procesit të rivendosjes së pavarësisë sonë, nuk do ta harrojmë kurrë mbështetjen dhe ndihmën e madhe miqësore që kemi marrë vazhdimisht nga vendi juaj.

Dhe për këtë arsye, politika juaj e qetimit dhe dorëzimit para regjimit të Aleksandër Vuçiç, është e gabuar. Dhe më keq se kaq: është e dënuar të dështojë. Ky dështim do t’i kushtojë shtrenjtë vetë Serbisë, por edhe të gjithë fqinjëve të saj.

Në këtë letër nuk do shpenzoj kohë dhe energji për të analizuar se sa ka të bëjë ndërhyrja juaj personale dhe preferencat tuaja, dhe sa është politika e Uashingtonit. Kjo, ne jemi të sigurt, kuptohet dhe dihet më mirë në vetë Departamentin e Shtetit. Kolegët dhe eprorët tuaj do të jenë në gjendje të kuptojnë se sa i suksesshëm mund të jetë qëllimi juaj i deklaruar publikisht për të ‘ndarë Serbinë nga Rusia’ dhe sa do u kushtojë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe për sa kohë. Dhe sa do të ndikojë në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit në tërësi.

Nuk na duket e vërtetë që ‘nuk ka rezultate’: pasojat e politikës suaj janë pikërisht të kundërta me ato që projektoni publikisht. Prandaj nuk kemi një stanjacion. Kemi një regres.

Për në në Mal të Zi, por edhe për të gjitha forcat politike demokratike dhe pro-perëndimore në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë veçanërisht miqtë tanë në Serbi, deklarata se ‘nuk mund të krahasosh Millosheviçin me Vuçiçin’, është, të paktën befasuese. Dhe fyese për të gjithë ne.

Nuk mund të krahasosh kreun e një regjimi, që përfundoi në Hagë, me ministrin e tij të propagandës, të cilin e kujtojmë për sulmet brutale ndaj medieve të lira dhe për deklaratat luftarake dhe ksenofobike, përfshirë ato se ‘është e nevojshme të vriten 100 boshnjakë për çdo serb të humbur’?! Mjafton të kujtojmë emrin dhe fatin e Slavko Çuruvijas, të cilin ministri Vuçiç e kërcënoi hapur...

Ose, në vend që t’ju kujtojmë pa pasur nevojë për gjëra që ju i dini më mirë se ne, duhet t’ju pyesim: A shini ngjashmëri mes fatit të Ivan Stamboliçit dhe Oliver Ivanoviçit? Kjo rastësi tragjike është më e madhe dhe më tragjike se ajo mes Vuçiçit dhe Millosheviçit. Ju nuk keni nevojë t’i përgjigjeni kësaj pyetje, sigurisht. E qartë që nuk ka nevojë për shpjegim.

Në fund, gjithashtu nuk ka nevojë t’ju shpjegoj, si amerikane, se me çfarë lidhet ‘Çorapet e Zeza’ nga titulli. Dhe ju e dini më mirë se ne gjithashtu.

Angazhimi juaj në Beograd dhe pasojat e tij në fakt mund ta bëjnë të panevojshëm që ne t’ju dërgojmë mesazhin që u dërgua kur disa ishin thellësisht të zhgënjyer me modelet dhe idhujt e tyre sportivë dhe shoqërorë: “Na thuaj që nuk është e vërtetë”.

Prandaj nuk ka nevojë që ta justifikoheni. Ju duhet të thoni dhe të bëni atë që do të vërtetonte arsyet dhe parimet me të cilat u bë e njohur politika dhe diplomacia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në pjesën tonë të Europës.

Ne ende shpresojmë që ju të jeni gati për një ndryshim të tillë!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco