VOA/ Autoritetet turke shtypin javën e krenarisë në Stamboll

VOA/ Autoritetet turke shtypin javën e krenarisë në Stamboll

20:17, 24/06/2023
A+ Aa A-

Organizatat e komunitetit LGBTI+ në Turqi, po shënojnë javën e krenarisë në Stamboll, por autoritetet po godasin çdo organizim publik të tyre.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e akuzon lëvizjen se përbën një kërcënim për shoqërinë turke.

Java e Krenarisë në Stamboll është aktiviteti më i rëndësishëm i vitit për lëvizjen LGBTI+ në Turqi.

“Ne nuk kemi asnjë vend ku mund të flasim për anëtaret myslimane të LGBTI-së. Nuk kemi një vend ku mund të diskutojmë rreth emigrantëve të komunitetit. Nuk kemi një vend ku mund të flasim për të drejtat tona civile. Duam t’u tregojmë të tjerëve se nuk jemi pak. Jemi me mijëra, kemi qenë këtu gjatë githë kohës dhe nuk do të shkojmë askund”, thotë Can Kortun nga këshilli organizativ i javës së krenarisë së Stambollit.

Marrëdhëniet intime midis personave të së njëjtës gjini janë të lejuara, ose të paktën nuk përbëjnë një krim në Turqi, që nga themelimi i republikës laike më 1923.

Por viteve të fundit, autoritetet kanë shtypur organizimet e javës së krenarisë.

Ky vit nuk solli ndryshime. Qendra e Stambollit është mbyllur, pasi guvernatori i qytetit vlerësoi se një paradë e planifikuar e komunitetit LGBTI+ është kërcënim për një sulm terrorist.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan akuzoi aktivistët se po kërcënojnë vlerat familjare, gjatë fjalimit të tij pas fitores në zgjedhje presidenciale.

“Erdogani qëllimisht e ka vënë në shënjestër komunitetin LGBTI+, sepse, sipas mendimit tim, ai beson se është një lëvizje e fortë për të qenë kaq e dukshme dhe është shqetësuese për disa njerëz që frikësohen nga liritë në shoqëri”, thotë aktivisti Oner Ceylan.

Shumë organizata të komunitetit LGBTI+, të krijuara gjatë dekadave të fundit në Turqi, tani po luftojnë për të mbijetuar nën një trysni në rritje ligjore.

“Disi kanë ngecur. Për çdo hap që duan ta bëjnë hetohen. Pra, ata nuk mund të mbështesin hapur shumë njerëz. Rastet kundër nesh po shtohen çdo vit dhe ne nuk kemi mjaftueshëm avokatë për të na mbështetur”, thotë aktivisti i të drejtave të njeriut, Mustafa Sariyilmaz.

Aktivistët presin rritje të trysnisë ligjore dhe politike, por ata besojnë se sukseset e tyre nuk mund të zhbëhen.

“Pa marrë parasysh se çfarë bëjnë, pavarësisht përpjekjeve të Erdoganit, nuk mund të na bllokojnë. Kjo nuk është e mundur. Kjo nuk do të ndodhë. Por, për një kohë do të përballemi me vështirësi”, thotë aktivisti Oner Ceylan.

Pavarësisht ndalimit të paradës, organizatorët thonë se janë të përkushtuar për të mbajtur gjallë këtë aktivitet, për të treguar se janë pjesë e shoqërisë turke./ VOA/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco