Prokurori malazez akuzohet për mbrojtjen e bandës së drogës

Prokurori malazez akuzohet për mbrojtjen e bandës së drogës

11:25, 13/12/2022
A+ Aa A-

Prokuroria Speciale e Shtetit akuzoi të dielën Sasa Cadjenovic për mbrojtjen e anëtarëve famëkeq të bandës së drogës në Kavac, duke shtuar se hetimi mund të shtrihet te zyrtarë të tjerë të prokurorisë dhe policisë.

Nga Samir Kajosevic, BIRN

Prokuroria Speciale e Shtetit e Malit të Zi akuzoi të dielën prokurorin special të shtetit Sasa Cadjenovic për mbrojtjen e anëtarëve famëkeq të bandës së drogës në Kavac, duke shtuar se hetimi mund të zgjerohet për të përfshirë zyrtarë të tjerë të prokurorisë dhe policisë.

Cadjenovic u arrestua më 9 dhjetor, për shpërdorim të dyshuar të detyrës dhe për krijimin e një organizate kriminale.

“Hetimi mund të shtrihet edhe në persona të tjerë, përfshirë në Prokurorinë e Shtetit dhe Drejtorinë e Policisë, të cilët me aktivitetet e tyre zyrtare dhe të tjera kanë vepruar në favor të organizatës kriminale dhe jo në interes të shërbimit dhe interesit publik.

“Hetimi do të shtrihet kur të mblidhen prova të një cilësie të caktuar”, tha për mediat zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Shtetit Vukas Radonjic.

Sipas Prokurorisë Speciale të Shtetit, Cadjenovic fshehu provat dhe ndaloi hetimet ndaj anëtarëve të bandës famëkeqe të drogës nga Kotorri.

Banda është përfshirë prej vitesh në një luftë me bandën rivale të Skaljarit, gjithashtu nga Kotorri. Në këtë konflikt janë vrarë të paktën 40 persona në Mal të Zi, Serbi, Austri dhe Greqi.

“Cadjenovic, si prokuror special, pranoi të zbatonte urdhrat dhe udhëzimet e bandës së Kavacit, duke mbuluar autorët e krimeve më të rënda dhe duke mos nisur procedimin ndaj tyre. Atij i janë dhënë urdhra nëpërmjet anëtarëve të tjerë të organizatës kriminale”, thuhet në akuzën e prokurorisë.

Prokuroria pretendon se Cadjenovic më 20 janar abuzoi me detyrën e tij duke mbuluar raportin e agjencisë evropiane të policisë EUROPOL drejtuar qeverisë malazeze, e cila theksonte se dy oficerë të lartë policie, Petar Lazovic dhe Ljubo Milovic, po i siguronin bandës mbrojtje zyrtare për kontrabandën e drogës, armëve dhe duhanit.

Sipas raportit të EUROPOL, Lazovic dhe Milovic ishin në komunikim të drejtpërdrejtë me një nga krerët e bandës së Kavacit, Radoje Zvicer dhe me Veljko Belivuk, kreun e dyshuar të një bande të dhunshme, i cili u arrestua në shkurt 2021.

Më 5 maj, Prokuroria e Shtetit konfirmoi se EUROPOL-i i kishte dërguar transkriptet e mesazheve të tyre të koduara prokurorisë malazeze korrikun e kaluar, por hetimi ndaj dy personave ishte mbyllur.

Në atë kohë, zëvendës prokurori i special i shtetit Cadjenovic vlerësoi se nuk kishte elementë të një krimi, ndërsa bosi i atëhershëm Milivoje Katnic pohoi se Lazovic kishte informuar policinë për operacionet e bandave të drogës në Kavac.

Avokati i Cadjenovic, Lazar Akovic, tha se nuk kishte prova të mjaftueshme kundër Cadjenovic, duke theksuar se emri i tij nuk figuronte në komunikimet e aplikacionit SKY të bandës Kavac.

Më 9 dhjetor, ish-prokurori special i shtetit Katnic tha se kishte besim të plotë tek ish-zëvendësi i tij, duke këmbëngulur se Cadjenovic nuk po mbulonte për grupet e krimit të organizuar.


 
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco