Kosova dhe Serbia në kërkim të një zgjidhjeje për targat e makinave

Kosova dhe Serbia në kërkim të një zgjidhjeje për targat e makinave

18:50, 20/04/2022
A+ Aa A-

Grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë pritet të diskutojnë në Bruksel, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për përdorimin e targave të makinave, mospajtimet rreth të cilave fundverën e vitit të kaluar nxitën tensione të larta në mes të dyja vendeve.

Kosova dhe Serbia që nga fillimi i tetorit i vitit të kaluar zbatojnë një marrëveshje të përkohshme sipas së cilës, makinat e dy vendeve janë të detyruara të vendosin fletë ngjitëse në targat e tyre deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare. Një zgjidhje sipas marrëveshjes së përkohshme duhet të paraqitet deri më 21 prill.

Zyrtarët evropianë u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë për kompromis për të gjetur një zgjidhje për çështjen e targave të makinave. Deri më tani nuk është e bërë e ditur se çfarë kompromisi po kërkohet, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fillim të kësaj jave tha se për qeverinë e tij çdo marrëveshje duhet të mbështetet në parimin e reciprocitetit.

“Me datën 21 prill është afati i fundit kur do të duhej të merremi vesh për targat. Unë e di që parimi i reciprocitetit do të jetë aty ndërkaq për aspektet teknike e kemi grupin tonë teknik që merr pjesë atje si dhe kryenegociatorin i cili po bisedon se si ta gjej një zgjidhje. Por, ajo që e di, që është e padiskutueshme e panegociueshme, është parimi i reciprocitetit si thelb i çfarëdo zgjidhje të ardhshme”, tha kryeministri Kurti.

Autoritetet në Serbi reaguan ndaj deklaratës së kryeminisrit Kurti , duke theksuar se fjala reciprocitet nuk përmendet askund në marrëveshjen e përkohshme dhe se 21 prilli nuk është afati kohor për dhënien fund të fletë ngjitësve për makinat. Shefi i grupit negociator të Serbisë, Petar Petkoviç, tha se përfaqësuesit politik të Prishtinës, nuk duhet të përdorin këtë temë për të krijuar një destabilizim të ri të situatës në terren dhe veprime të njëanshme.

I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, shkroi në rrjetet sociale se “ekspertët nga Kosova dhe Serbia sot janë takuar për herë të fundit në GP për targa para afatit të fundit më 21 prill. Me punën e tyre ata përgatitën diskutimet e kryenegociatorëve për nesër. Tani u takon kryenegociatorëve të gjejnë një marrëveshje për rrugën përpara”, shkroi ai.

Më herët gjatë ditës ai u takua në Beograd me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç. Përmes një njoftimi në Twitter, zoti Lajçak tha se ka zhvilluar një diskutim të thellë me presidentin serb për agjendat aktuale dhe rrugën përpara në bisedime, përfshirë edhe takimin e radhës të nivelit të lartë.

Ndërsa në një komunikatë të zyrës së presidentit të Serbisë, thuhet se Serbia mbështet përpjekjet dhe synimet e të dërguarit Lajçak për të arritur një zgjidhje përmes një politike kompromisi, pa ultimatume dhe zgjidhje të imponuara, në mënyrë që të tregohet mirëkuptim për interesat shtetërore dhe kombëtare të Serbisë, dhe jo vetëm për interesat e shqiptarëve.

Takimi i fundit i nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është mbajtur në korrik të vitit të kaluar.

Ripërtëritja e bisedimeve është pjesë e përpjekjeve përfaqësuesve të posaçëm të vendeve perëndimore që po bëjnë trysni për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, që është kusht për përparimin e tyre drejt integrimeve evropiane./VOA/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco