‘The Albanian Files’/ Qytetari: Rama po ndërton një Shqipëri ku shqiptarët janë të tepërt

20:20, 11/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në protestën e 42-të radhazi ku kërkohet dorëheqja e Edi Rama, një qytetar ka marrë fjalën para protestuesve duke bërë thirrje për largimin e kreut të qeverisë.

Shqiptari që jetonte në Itali dhe se kjo ishte hera e dytë që merrte pjesë në protestë, u shpreh se kishte përgatitur një deklaratë të cilën e lexoi para të pranishmëve.

Duke iu referuar publikimeve të “Albanian Files”, qytetari deklaroi se ato kanë forcuar bindjen e tij se disa projekte të mëdha nuk lidhen me interesin e qytetarëve.

‘Ju përshëndes të gjithëve.

Për mua është hera e dytë që vij flas këtu. Unë jetoj në Itali dhe nuk kam mundësi të vij çdo ditë.

Kam përgatitur diçka dhe do ta lexoj këtu. Kam marrë lejen e nuses, se e kam 7 muajsh e shtatzënë.  

Është bërë tashmë më se e qartë se në vizionin e zhvillimit të këtij parlamenti dhe të kryeministrit tonë, ka qenë një Shqipëri që mban emrin e një njeriu dhe jo të një kombi.

Publikimet e 'Albanian Files' kanë ushqyer bindjen se projektet madhore nuk janë kurrsesi të menduara për brezat, por vetëm për pushtetin. Jo për qytetarët, por për individë të paracaktuar.

Me pak fjalë po ndërtohet jo një Shqipëri për shqiptarët, por një Shqipëri ku shqiptarët bëhen të tepërt.

Ndoshta kryeministri mendoi se ndërsa vendi zbrazet dhe shpresat tkurret, ne do të vazhdonim të përcillnim ngjarjet nga Facebook-u dhe nga YouTube-i. Si spektatorë të një shfaqjeje që nuk na përket.

Ai duket se ka harruar se pushteti nuk është pronë e qeveritarit, por amanet i qytetarëve. Dhe se popujt nuk u dorëzojnë lirinë e tyre qeverive, por vetëm administrimin e përkohshëm të saj.

Ky bilanc i zi, duhet të dijë një mësim që historia ua përsërit të gjithë pushteteve. Mund të frikësosh një popull për një kohë, por nuk mund t'i marrësh përgjithmonë kujdesin dhe dinjitetin.

Për sa kohë të ketë shqiptarë që e duan atdheun më shumë se rehatinë e tyre, Shqipëria nuk do të pranojë kurrë rikthimin e një diktati. Çfarëdo emri apo petku që ai të zgjedhë të veshë.

Ne të gjithë jemi pasardhës të një historie që na mëson të qëndrojmë në këmbë edhe kur koha na kërkon të gjunjëzohemi.

Zbato pikën e parë të kërkesave të shpallura në këtë shesh, dhe jep dorëheqjen!;’ tha protestuesi gjatë fjalës së tij në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco