PD njofton nismën ligjore, Spahia: Qeveria i është dorëzuar agjendës ideologjike wokiste

11:57, 16/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Partia Demokratike ka ngritur sërish alarmin, mbi vendimet e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Në një deklaratë për mediet nga Kryesia e Kuvendit, deputeti i PD, Bardh Spahia tha se  qeveria ka akorduar një fond të veçantë nga taksat e qytetarëve për të financuar trajtimet hormonale për ndryshimin e gjinisë pranë shërbimit të endokrinologjisë në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës.

Ky veprim, sipas PD, është  një akt i paprecedentë dhe një politikë e mbrapshtë, ndërsa Spahia nxori në pak kontrastin e thellë në sistemin shëndetësor: ndërkohë që qeveria financon procedura të tilla, pacientët onkologjikë përballen çdo ditë me mungesë ilaçesh, aparatura jashtë funksionit si brakiterapia apo PET skan, dhe një mungesë të theksuar të shpresës për jetën.

Në përgjigje të kësaj situate, Spahia njoftoi një nismë ligjore për të ndaluar të ashtuquajturën propagandë gjinore dhe për të mbrojtur të rinjtë deri në moshën 22 vjeç nga ndërhyrjet fizike apo psikologjike që lidhen me identitetin gjinor.

Sipas ligjvënësit demokrat, mazhoranca po pengon qëllimisht, shqyrtimin e këtij projektligji në komisionet parlamentare.

Të nderuar qytetarë,

Të nderuar prindër,

Rreziku për familjen shqiptare tashmë është vulosur nga qeveria, e cila i ka hapur rrugë ndryshimit të gjinisë edhe për fëmijët përmes financimit shtetëror të terapisë hormonale. Ne e paralajmëruam këtë deformim të ADN-së së familjes shqiptare, që kur kundërshtuam me të drejtë, ligjin “Për Barazinë Gjinore”.

Pak kohë më parë, në zbatim të vendimeve të qeverisë më keqbërëse që ka patur ndonjëherë Shqipëria në këto 30 vite, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me një akt të paprecedentë, vuri zyrtarisht në lëvizje fondin që financon trajtimin hormonal në shërbimin e endokrinologjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Partia Demokratike e refuzon me forcë këtë politikë të mbrapshtë qeveritare, që nuk siguron shërbimet jetike si për shembull trajtimet në onkologjik, por vendos milionë lekë nga taksat tona që dikush të ndryshojë gjininë që i ka dhënë natyra e Zoti.

Gjithashtu, dua të bëj publik shqetësimin tone për pengimin e paprecedentë që po i bëhet nga ana e mazhorancës nismës së një grupi deputetësh të Partisë Demokratikë mbi projektligjin "PËR MBROJTJEN E FËMIJËVE DHE TË RINJVE NGA PROPAGANDA GJINORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË". Kjo nismë synon krijimin e një kuadri të plotë ligjor për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve deri në moshën 22 vjeç nga çdo formë përmbajtjeje, ndikimi apo propagande që trajton çështje identitetit gjinor, si dhe synon të garantojë një mjedis të sigurt edukativ, social dhe institucional për zhvillimin e të miturve dhe të rinjve.

Kjo mazhorancë, shmangu diskutimet dhe shqyrtimin e kësaj nisme në komisionet përkatëse, duke mos i dhënë nismës debatin parlamentar të ligjëruar nga Kushtetuta e Republikes së Shqipërisë dhe Rregullorja e Kuvendit.

Ky është një akt në kufijtë e të qenët kriminal, i cili në vend që të mbrojë interesin më të mirë të fëmijës, cenon sigurinë dhe zhvillimin normal të fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë dhe kërcënon vazhdimësinë e familjes shqiptare.

Qeveria shqiptare i është dorëzuar plotësisht agjendave ideologjike uokiste që synojnë shkatërrimin e vlerave të familjes dhe të shoqërisë sonë të shëndetshme. Ky është eksperimenti më i frikshëm që Rilindja e Edi Ramës po i bën qytetarëve shqiptarë: dehumanizimin që në gjenezë, duke nisur nga fëmijët, nga e ardhmja e këtij kombi.

Sipas urdhërit të Ministrisë së Shëndetësisë, trajtimi terapeutik hormonal bazë nis që nga mosha 16-vjeç dhe në raste të veçanta mund të nisë nga mosha 14-vjeçare. Pra, me pak fjalë, çdo fëmijë shqiptar është potencialisht i rrezikuar të përjetojë pasoja të pakthyeshme fizike dhe psikologjike nga këto ndërhyrje.

Ndërkohë që shumë vende perëndimore tashmë po tërhiqen nga këto politika për shkak të pasojave serioze dhe mungesës së garancive shkencore afatgjata, qeveria shqiptare po zgjedh të eksperimentojë mbi fëmijët tanë. Republika Çeke, Italia, Hungaria, si dhe shtete të ndryshme në SHBA kanë ndërmarrë hapa për të kufizuar apo ndaluar aplikimin e terapive të tilla për të miturit.

Por ajo që e bën edhe më të rëndë këtë situatë është fakti se ky urdhër vjen pikërisht nga një qeveri që ka dështuar publikisht në menaxhimin e sistemit shëndetësor shqiptar. Kjo është e njëjta qeveri që dështoi të siguronte trajtimin e pacientëve në Onkologjik dhe që ende sot nuk ka asnjë përgjigje pse mungojnë ilaçet, kur do të rikthehen në funksion brakiterapia, PET Scan apo terapitë e tjera jetike për mijëra pacientë me kancer, të cilët kthehen çdo ditë në shtëpi të pashpresë sepse shteti i ka braktisur.

Nën drejtimin e kësaj qeverie, barnat e skaduara vazhdojnë të qarkullojnë në spitale publike, mungojnë analizat laboratorike bazë, ndërsa spitalet rajonale dhe bashkiake funksionojnë në kushte si në mesjetë. Qytetarët përballen çdo ditë me mungesë personeli mjekësor, me korrupsionin e tenderave të ilaçeve dhe me PPP-të e koncesionet korruptive që po u grabisin shqiptarëve dhjetëra miliona euro çdo vit pa ofruar asnjë shërbim konkret apo përfitim real për pacientët.

Kjo është situata reale e shëndetësisë shqiptare. Qeveria në vend që të ndërhyjë urgjent për të ndryshuar këtë realitet katastrofik, zgjedh ti japë prioritet financimit të trajtimit hormonal për personat transgjinor.

Asnjë prind shqiptar, socialist, demokrat apo pa asnjë përkatësi partiake, nuk mund të lejojë që fëmijës së tij, të rritur me aq sakrifica, t’i vihet në diskutim identiteti biologjik dhe t’i rrezikohet shëndeti në emër të eksperimenteve sociale të agjendës “woke”. Kjo është një kambanë alarmi dhe një thirrje për qytetarët që të reagojnë sa nuk është ende vonë.

Të reagojmë për familjen shqiptare, për fëmijët shqiptarë dhe për të ardhmen e këtij kombi.

Kjo është  një asye më shumë për të protestuar.

Faleminderit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco