VIDEO/ Rritja e çmimit të naftës, Spahia: Barra po godet qytetarët dhe fermerët, qeveria nuk po bën asgjë

18:16, 04/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i PD-së Bardh Spahia ishte i ftuar në ‘Edicionin e Pasdites’ në SYRI TV, me moderatoren Eneida Ndoci, ku foli mbi rritjen e çmimeve në vend, me fokus të veçantë te nafta.

Spahia denoncoi rritjen e çmimit të karburanteve në Shqipëri, duke e cilësuar si një fenomen që, sipas tij, nuk krahasohet me asnjë vend tjetër, madje as në rajon. Ai theksoi se kjo rritje ka një ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e qytetarëve, për shkak të barrës së lartë fiskale.

Sipas tij, përdorimi i naftës është i domosdoshëm jo vetëm për drejtuesit e automjeteve, por edhe për sektorë kyç si bujqësia. Ai nënvizoi se fermerët janë ndër më të prekurit, pasi janë të detyruar ta përdorin naftën për punimin e tokës dhe sigurimin e prodhimit.

Deputeti foli për një ‘efekt domino’, që prek të gjithë qytetarët, edhe ata që mund të mos e ndiejnë drejtpërdrejt rritjen e çmimeve. Në këtë kuadër, ai tha se opozita ka organizuar tryeza me ekspertë për të analizuar situatën dhe për të propozuar zgjidhje konkrete.

Spahia kritikoi ashpër qeverinë dhe bordin e menaxhimit të çmimit të karburanteve, duke e akuzuar se ai shërben vetëm për të legjitimuar vendimet e kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, këto politika nuk marrin parasysh ndikimin e madh që ka rritja e çmimeve tek qytetarët shqiptarë.

‘Edhe denoncimet e fundit për rritjen e çmimeve në përgjithësi, por veçanërisht në rastin konkret atë të rritjes së çmimit të naftës, i cili si asnjë, si në asnjë vend tjetër, madje, madje as të rajonit, nuk ka goditur direkt xhepat e qytetarëve shqiptarë.

Është krejtësisht absurde barra fiskale tej mase, tejet e rëndë, e cila vazhdon të qëndrojë mbi qytetarët shqiptarë, të cilët e kanë të domosdoshme përdorimin e çdo mjeti, por jo vetëm, pasi duhet të kemi parasysh që me këtë valë rritje të çmimit të naftës, nuk përballen vetëm ato që kanë apo janë përdorues të automjeteve të ndryshëm, por përballen padyshim fermerët, të cilët kanë, janë të detyruar të përdorin naftën për të punuar tokën dhe për të siguruar prodhimet e tyre.

Është një efekt domino, me të cilin përballet çdo qytetar, paçka se mund të mos ta perceptojë drejtpërdrejtë. Në këtë kontekst, e kemi denoncuar vazhdimisht dhe madje kemi organizuar edhe tryeza të mirëfillta me ekspertët më të mirë të fushës, në mënyrë që jo vetëm të konstatojmë, por edhe të japim ofertën tonë në zgjidhjen e kësaj problematike tejet shqetësuese.

Dhe jo më larg se dje, ne kemi pasur një tryezë të rrumbullakët me ekspertë të fushës për trajtimin e kësaj problematike, rritjes së çmimit të naftës përtej çdo limiti, si në asnjë vend tjetër as të rajonit. Kemi dhënë opsionet tona, vizionin tonë për mënyrën se si duhet të trajtuar kjo problematikë.

Kemi thënë që duhet të përgjysmohet menjëherë barra fiskale, e cila rëndon dhe është shkaktarja kryesore e rritjes së çmimit të naftës, e cila ka arritur deri në 2.3 euro tanimë në Shqipëri.

Disa herë më, më e, më e shtrenjtë se vendet e rajonit, të cilat për hir të së vërtetës, edhe pse kanë qenë në kushte shumë më të mira se Shqipëria, e cila me çmime shumë më të ulëta se Shqipëria, janë treguar edhe në rastin e fundit të kësaj luhatje të çmimit të naftës nga kriza në Lindjen e Mesme, janë treguar shumë më reaktiv, duke ndërhyrë menjëherë me politika fiskale, të cilat kanë synuar uljen e barrës fiskale, duke garantuar një çmim të përballueshëm për qytetarët e tyre.

Ndërkohë, nga ana tjetër, kemi qeverinë shqiptare, e cila ka ngritur një bord menaxhimi të çmimit, i cili nuk bën asgjë tjetër përveçse legjitimon politikën personale të Edi Ramës për mbajtjen lart të këtij çmimi.

Është një bord i cili synon vetëm të legjitimojë vendimet që merr Edi Rama në kokën e vet, të cilat nuk kanë absolutisht aspak në qendër të vëmendjes impaktin e jashtëzakonshëm që ka rritja e çmimit të naftës për çdo qytetar shqiptar. Dhe në këtë kontekst ne e kemi denoncuar me forcë’, theksoi deputeti Bardh Spahia gjatë bisedës në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco