Lideri i opozitës, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Rama si përgjegjësin kryesor për bllokimin e procesit të integrimit në Bashkimin Europian. Duke komentuar kundërshtimin e miratimit të raportit IBAR për Shqipërinë nga 9 vende anëtare të Bashkimit Europian, Berisha tha se ky numër pritet të shkojë në 13, për shkak të dokumentimit të bllokimit të luftës kundër korrupsionit nga Edi Rama dhe qeveria e tij.
Më datën 1 prill, kur pritej të diskutohej për raportin e vlerësimit të standardeve të shtetit ligjor në Shqipëri dhe luftës kundër korrupsionit, numri i vendeve që u shprehën kundër votimit të tij u mbidyfishua; nga 4 u bënë 9. Dhe ne ju kishim paralajmëruar për këtë.
Nuk mund të kapërdihet, ju garantoj se herën tjetër do të jenë 13. Pse do të jenë 13? Sapo të marrin vesh të vërtetën për Ballukun. E vërteta e dosjes “Balluku” dhe AKSHI janë bërë dokumente të pakundërshtueshme të korrupsionit në Shqipëri dhe të bllokimit të luftës ndaj korrupsionit nga Edi Rama.
Edi Rama këto ditë, duke mashtruar shqiptarët dhe duke mos u treguar të vërtetën, thotë nëpër takimet me socialistët se janë ata të paudhët që po përpiqen të pengojnë këtë proces.
Edhe njëherë dua të them para shqiptarëve: qëndrimi ynë është shumë transparent; ne jemi për procesin e integrimit, por deklarojmë se Shqipëria nuk plotëson absolutisht asnjë kriter, përveç kriterit gjeostrategjik.
Me Edi Ramën, ju siguroj, siç e tha dhe vetë Komisioni Europian, integrimi nuk është çështje lideri. Pra, me Edi Ramën integrim nuk ka.
© SYRI.net