'Mashtrim publik me buxhetin', PL: Në bashkinë e Tiranës vetëm 35% e investimeve realizohen

'Mashtrim publik me buxhetin', PL: Në bashkinë e Tiranës vetëm 35% e investimeve realizohen

11:07, 04/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Artan Distafa, anëtar i Këshillit Bashkiak në Bashkinë e Tiranë, në një deklaratë për mediat ka ngritur akuza të forta ndaj administratës vendore, duke e cilësuar menaxhimin e financave publike si një “mashtrim të madh” ndaj qytetarëve.

Sipas tij, ndonëse Bashkia miraton çdo vit buxhete të konsiderueshme që arrijnë në dhjetëra miliarda lekë, niveli real i realizimit të tyre mbetet i ulët, veçanërisht në zërin më të ndjeshëm për qytetarët, atë të investimeve.

Distafa thekson se të dhënat zyrtare tregojnë një hendek të thellë mes planifikimit dhe zbatimit, ku vetëm rreth gjysma e buxhetit total shpenzohet, ndërsa investimet konkrete në terren realizohen në nivele edhe më të ulëta.

Në këtë kontekst, ai argumenton se qytetarët e Tiranës vijojnë të përballen çdo ditë me probleme të pazgjidhura si infrastruktura e amortizuar, mungesa e shërbimeve bazë, trafiku dhe ndotja, duke e bërë kontrastin mes premtimeve dhe realitetit edhe më të dukshëm.

Në qëndrimin e tij, përfaqësuesi i opozitës në këshillin bashkiak vë në dukje se kjo situatë nuk mund të justifikohet më me vonesa administrative, por përbën një model të përsëritur dështimi në menaxhimin e qytetit.

Ai ngre pikëpyetje mbi transparencën dhe përgjegjësinë institucionale për fondet e pashpenzuara, duke kërkuar më shumë llogaridhënie dhe orientim të burimeve drejt projekteve konkrete që përmirësojnë jetën e qytetarëve.

Deklarata e plotë:

Të nderuar qytetarë!

Sot nuk jemi përballë një dështimi të zakonshëm administrativ.
Sot jemi përballë një mashtrimi të madh publik.
Tirana është kthyer në qytetin e miliardave në letër dhe dështimeve në terren.
Sipas të dhënave zyrtare, Bashkia e Tiranës planifikon buxhete gjigante, deri në 57.5 miliardë lekë, por arrin të shpenzojë vetëm rreth 53% të tyre.
Dhe pjesa më e rëndësishme, ajo që prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, investimet,  realizohet vetëm në 35%.
Çfarë do të thotë kjo në praktikë?
Do të thotë rrugë që nuk ndërtohen.
Shkolla që nuk hapen.
Lagje që mbeten pa ujë dhe pa shërbime.
Pra, para ka. Nevoja ka.
Por punë, punë nuk ka!
Kjo nuk është më çështje “vonesash administrative”, siç justifikohen.
Kjo është paaftësi kronike dhe dështim i qëllimshëm për të qeverisur qytetin.
Sepse kur për vite me radhë buxheti nuk realizohet, kur investimet bien nga 48% në 35% , atëherë nuk kemi më të bëjmë me gabime, kemi të bëjmë me një model të dështuar.

Një model që funksionon vetëm në propagandë.
Ata dinë të bëjnë një gjë shumë mirë:
Të miratojnë buxhete të mëdha për kamera.
Të premtojnë projekte për fushata.
Por kur vjen puna për t’i kthyer këto në punë konkrete, zhduken!
Ndërkohë qytetarët e Tiranës jetojnë çdo ditë realitetin:
trafik, ndotje, mungesë shërbimesh, mungesë investimesh reale.
Kjo është e vërteta e Tiranës sot, një qytet që mbytet në premtime dhe varfërohet në shërbime.
Dhe pyetja që me të drejtë bëjmë ne dhe çdo qytetar është shumë e thjeshtë:
Ku janë paratë?
Pse nuk shpenzohen?
Kush mban përgjegjësi për këtë dështim?
Sepse kjo nuk është më statistikë.
Kjo është cilësia e jetës së çdo qytetari.
Ne nuk mund të pranojmë më një bashki që funksionon si zyrë propagande dhe jo si institucion në shërbim të njerëzve.
Tirana nuk ka nevojë për miliarda në letër.
Tirana ka nevojë për punë në terren.
Dhe mbi të gjitha, Tirana ka nevojë për llogaridhënie.

Faleminderit!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco