Politikat shtetërore të Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës janë konsideruar si një "ndëshkim kolektiv" dhe një strategji për destabilizimin e rajonit. Deputeti ka denoncuar masa të tilla shtypëse si rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak, diskriminimi në arsim, mosnjohja e diplomave dhe bllokada e ndihmave financiare nga Kosova.
I ftuar në emisionin "Kafe Shqeto", deputeti Shaip Kamberi theksoi se politika e Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës ka marrë një formë të qartë të ndëshkimit kolektiv, duke i shtuar tensionet dhe duke destabilizuar rajonin.
Kamberi denoncoi rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak nga Beogradi, një veprim që, sipas tij, zgjon kujtime të hidhura për shqiptarët, të cilët kanë vuajtur nga dhuna dhe diskriminimi në ushtrinë jugosllave gjatë viteve të '80-ës dhe '90-ës.
Deputeti theksoi se, pa u zbardhur plotësisht vrasjet e shqiptarëve gjatë shërbimit në atë periudhë, çdo thirrje për t'u bashkuar me një ushtri të tillë është e papranueshme për komunitetin shqiptar, duke e konsideruar këtë një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe të ardhmen e të rinjve.
Pjesë nga deklarata:
Po, lidhur me këtë temë, unë kam adresuar në Parlament një kërkesë për krijimin e një komisioni të veçantë që do të hetojë rastet e vrasjeve të shqiptarëve, veçanërisht të shqiptarëve në ushtrinë e atëhershme jugosllave, në vitet '80-ta dhe në fillimin e viteve '90-ta. Bëhet fjalë për 135 shqiptarë që ishin në shërbim në Ushtrinë Popullore të Jugosllavisë dhe që janë vrarë në rrethana të pasqaruara. Ka pasur edhe të vrarë nga Lugina e Preshevës. Pra, ky është një resentiment i madh, të cilin nuk e pranojnë të rinjtë dhe prindërit, nëse Serbia do të fillojë t’i dërgojë përsëri shkresa apo ftesa për shërbim ushtarak. Pa u sqaruar kjo temë, për shqiptarët do të jetë e vështirë të pranojnë ftesa për të shërbyer në një ushtri në të cilën shumë shqiptarë kanë humbur jetën. Një ushtri, e cila në fakt edhe me retorikën e saj sot, sillet armiqësisht ndaj shqiptarëve, duke i trajtuar ata si terroristë. Pra, kjo është çështja e sigurisë dhe e ardhmës së të rinjve tanë. Për këtë arsye, është mirë që kongresisti Kiselev e ka parafolur edhe në pyetjet e tij.
Në fakt, kjo është pasojë e një ndëshkimi kolektiv që Serbia po u bën shqiptarëve. Një shtet që pretendon të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian duhet të harmonizojë legjislacionin e tij të brendshëm me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe praktikat e tij. Por, shohim që Serbia ka një retorikë që thotë se prioriteti i saj është Bashkimi Evropian, ndërsa në praktikë vepron krejtësisht në mënyrë të kundërt. Politika e saj e balancimit me faktorët gjeopolitikë, si Kina, Rusia, Brukseli dhe Washingtoni, i ka dhënë mundësinë Serbisë të shmangë përgjegjësitë që ka ndaj pakicave dhe ndaj detyrimeve që dalin nga këto procese. Tani duket se kjo çështje po i vjen fundi, jo vetëm për rastin tonë, por edhe për shumë çështje të tjera gjeopolitike. Politika e Aleksandër Vuçiçit e balancimit me faktorët gjeopolitikë duhet të përfundojë dhe ai duhet të orientohet përfundimisht në një pozicion të qartë. Rrethanat gjeopolitike kanë filluar të ndryshojnë dhe shpresojmë që kjo do të ndikojë në largimin e elementeve destabilizues nga Ballkani Perëndimor, duke e vendosur rajonin në sferën perëndimore të ndikimit.
Po ashtu, edhe duke penguar pagesat që vijnë nga qeveria e Republikës së Kosovës, Serbia vazhdon me standarde të dyfishta në çështjen e pakicave. Ajo kërkon të drejta për pakicën e saj në Kosovë, ndërkohë që nuk është e gatshme të ofrojë të njëjtat të drejta për pakicat brenda territorit të saj. Serbia dërgon fonde të mëdha për serbët në Kosovë, por na pengon të marrim katër, pesë milionë euro për zhvillimin e shqiptarëve në këtë rajon. Kjo dëshmon qartë rolin destabilizues të Serbisë në Ballkanin Perëndimor. Përmes pakicave të saj, qoftë në Bosnjë, qoftë në Mal të Zi, qoftë në Kosovë, ajo po mundohet t’i destabilizojë këto shtete dhe nuk i lë pakicat e saj të integrohen. Ndërkohë që ne jemi në kërkim të integrimit të barabartë dhe reciprok në organet shtetërore dhe kjo e drejtë na mohohet. Serbia ka ndarë për vete rolin e destabilizuesit, edhe nëse herë pas here është dhe roli i atij që qetëson gjakrat. Por për 25 vjet sa jemi në procesin politik me Beogradin, rezultatet janë shumë të pakta. Dëshmia që pasivizimi dhe mosnjohja e diplomave janë dy procese administrative që kanë për qëllim të zvogëlojnë numrin e shqiptarëve në këtë rajon. Sa më pak shqiptarë, më pak probleme. Ky është një parim që përdoret në kularet e Serbisë. Ata janë munduar të zvogëlojnë numrin e shqiptarëve për të ulur problemin, por nuk ia kanë arritur. Kjo çështje që kemi para nesh, një proces i rëndësishëm, do të nxjerrë Luginën e Preshevës sërish në arenën ndërkombëtare si një çështje strategjike dhe politike për stabilitetin e Ballkanit. Ky është një temë që nuk mund të eskivohet në dialogjet rajonale, sepse deri tani është eskivuar. Serbia tani po përballet me një agjendë të re dhe është e rëndësishme që ne të jemi sa më të përgatitur dhe bashkëpunues për të mos lejuar asimilimin.
Çështja e financimit është gjithashtu e rëndësishme. Kosova është duke ndarë 5 milionë euro në vit për Luginën e Preshevës. Dini që ka një vendim të përbashkët të dy qeverive, Tiranë-Prishtinë, të miratuar në Prizren në vitin 2020, për krijimin e një fondi të përbashkët dhe mendoj se tani është koha për ta bërë operacional këtë fond.
© SYRI.net