Gazetari Armand Shkullaku, i ftuar në ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, ka ironizuar dhe kritikuar fort mënyrën se si kryeministri Edi Rama dhe mazhoranca po e paraqesin letrën e presidentit amerikan Donald Trump, drejtuar dhjetëra liderëve botërorë, për të ashtuquajturin ‘Bordi i Paqes’, ku përfshihet edhe Shqipëria. Sipas Shkullakut, debati në Shqipëri është ‘halucinant’ dhe propagandistik, duke shmangur pyetjen kryesore: për çfarë roli konkret po vlerësohet Shqipëria?
‘Këtu te ne gjithmonë debati është halucinant. Pse ekzagjeron Rama dhe pse e minimizon opozita? Në një shoqëri normale do shtrohej pyetja: çfarë vlere ka letra dhe çfarë roli ka Shqipëria?’
Shkullaku theksoi se përdorimi i përgjithshëm i termit ‘rol’ nuk do të thotë asgjë pa një shpjegim konkret. ‘Rolin për çfarë? Si vend demokratik? Si pararojë e demokracisë në Ballkan? Për kontributin në NATO? Apo për pjesëmarrjen në luftëra? Çdo aktor ka një rol në një skenë të caktuar. Cila është skena e Shqipërisë?’
Gazetari ironizoi pretendimin se Shqipëria vlerësohet për demokracinë. ‘Në qoftë se është për demokracinë, krenarë ndihen edhe bjellorusët, megjithëse jetojnë në regjim. Krenarë ndihen edhe turqit, megjithëse opozita është në burg dhe gjysma e mediave janë të burgosura.’
Ai e krahasoi këtë situatë me propagandën që u bë pas fjalimit të Ramës në OKB. ‘I njëjti masturbim mediatik ndodhi kur Rama foli në OKB. U tha se shpartalloi Rusinë. Foli, mbajti fjalimin e radhës dhe nuk ndryshoi asgjë. Putini nuk u tërhoq nga Donbasi.’
Shkullaku u ndal edhe te pretendimet për rolin ndërmjetësues të Ramës në konfliktet rajonale. ‘Na u tha se Rama do ndërmjetësonte mes Greqisë dhe Turqisë për ishujt. Këto janë përralla, që në fund nuk mbetet asgjë.’
Sipas tij, ftesa e Trump nuk është trajtuar me bujë në vende të tjera. ‘Ftesën e kanë marrë edhe Greqia, edhe Qipro. Nuk ka pasur asnjë debat të tillë në mediat greke. Vetëm në Shqipëri fryhet si sukses historik.’ Gazetari ngriti pikëpyetje serioze mbi orientimin e politikës së jashtme shqiptare. ‘Cila është aspirata e Shqipërisë? Bashkimi Europian apo bordi i Trumpit? Janë dy gjëra të ndryshme. Nëse BE-ja përplaset me SHBA-në, ne do dalim të fundit.’
Ai ngriti dyshime edhe për arsyet reale të përfshirjes së Shqipërisë. ‘A është e vërtetë që rolin më të madh e ka pasur Katari? Që financohen projekte ku është i përfshirë dhëndri i Trumpit?’
Në fund, Shkullaku ironizoi ashpër narrativën zyrtare për ‘rolin e Shqipërisë’. ‘Nëse roli i Shqipërisë është të falë copa territori, Zvërnecin, Sazanin, Gjadërin, të japë kulla dhe tendera, atëherë po, e ka përmbushur rolin.’
Megjithatë, ai theksoi se Shqipëria nuk ka luksin të refuzojë SHBA-në. ‘Të ka ftuar Amerika në një bord, do bësh pjesë. T’i thuash jo, nuk je askushi. Por ta frysh këtë si vlerësim personal për Ramën është qesharake.’
© SYRI.net