Forumi Ekonomik Botëror ka nisur punimet në Davos të Zvicrës, duke e shndërruar qytetin alpin në një zonë me siguri të lartë. Samiti i sivjetëm, që do të zgjasë deri më 23 janar, ka thyer rekord pjesëmarrjeje me mbi 3,000 të ftuar nga 130 vende të botës dhe zhvillohet nën temën “Një frymë dialogu”.
I ftuar në emisionin Syri i Botës, gazetari Nefail Maliqi nga Gjeneva tha se në Davos janë mbledhur 65 krerë shtetesh dhe qeverish, 33 ministra të jashtëm, 55 ministra të ekonomisë dhe financave, rreth 1,700 liderë biznesi si dhe 11 guvernatorë bankash qendrore, duke e cilësuar samitin si një moment kyç për bashkëpunim global.
Në mesin e liderëve pjesëmarrës janë kancelari gjerman, presidenti francez Emmanuel Macron, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, sekretari i përgjithshëm i OKB-së António Guterres, shefi i NATO-s Mark Rutte, si dhe presidentë e kryeministra të tjerë nga vende të ndryshme.
Sipas Maliqit, bien në sy mungesat e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, presidentit rus Vladimir Putin dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Për dy të fundit, theksohet se arsyeja lidhet me ndjekjen e tyre nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për krime lufte.
Nga Ballkani, pjesëmarrja e konfirmuar është ajo e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndërsa prania e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, mbetet e paqartë, pasi emri i tij nuk figuron në listat zyrtare dhe nuk ka një konfirmim nga Tirana.
Në qarqe mediatike, kjo mungesë lidhet me një vizitë të mundshme të Ramës në SHBA për të dhënë shpjegime rreth disa aferave korruptive. I pranishëm do të jetë edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç, reputacioni i të cilit, sipas analistëve, është zbehur në sytë e ndërkombëtarëve.
Vëmendja kryesore e këtij viti është përqendruar te ardhja personale e presidentit amerikan Donald Trump. Ai pritet të mbërrijë më 18 janar në aeroportin e Cyrihut me dy avionë Boeing 747 të flotës presidenciale dhe më pas të transferohet me helikopter drejt Davosit. Autoritetet zvicerane kanë vënë në zbatim një operacion masiv sigurie, duke angazhuar mbi 7,000 forca, përfshirë 5,000 ushtarë, 2,000 policë, qindra detektivë dhe dhjetëra snajperistë. Kostoja e operacionit për Zvicrën llogaritet rreth 8 milionë euro.
Sipas Maliqit, interesi mediatik për samitin është i jashtëzakonshëm. Nga rreth 10,000 kërkesa për akreditim të gazetarëve nga e gjithë bota, vetëm 400 janë pranuar, mes tyre edhe gazetari vetë shqiptar, Nefail Maliqi.
Axhenda e diskutimeve në Davos përfshin çështje kyçe si situata gjeopolitike nga Ukraina në Gaza, krizat globale, ndryshimet klimatike dhe zhvillimet e fundit në fushën e inteligjencës artificiale, duke e bërë këtë forum një nga ngjarjet më të rëndësishme politike dhe ekonomike të vitit.
Maliqi:
Zyrtarisht sot, në fakt sot, pastaj nesër fillojnë zyrtarisht siç e thatë edhe ju, forumi ekonomik botëror ka nisur punimet këtu në Davos të Zvicrës. Takim ky është i gjashti me radhë, i cili do të zgjasë deri më 23 janar, ku do të mbledh elitën e liderëve botërorë, ekonomistë, biznesmenë, bankierë dhe ekspertë të fushave të ndryshme. Pra, ky është një moment i duhur për bashkëpunim global.
Ky samit Dori, botëror, që mbahet për çdo vit në zemër të Alpeve të Zvicrës, sivjet ka thyer rekordin me mbi 3,000 pjesëmarrës nga 130 vende botërore, ku do të debatohet gjerë e gjatë me temën: Një frymë dialogu, duke përfshirë këtu 65 krerë shtetesh dhe të qeverive, 33 ministra të punëve të jashtme, 55 ministra për ekonomi dhe financa, përfshihet këtu edhe 1700 liderë biznesi si dhe 11 guvernatorë të bankave qendrore.
Në mesin e liderëve botërorë prin presidenti amerikan Trump, si sikur edhe ai zvicerani Nikocieni domethënë që i pret mysafirët, pra zoti Parmela, kancelari gjerman Merz, presidenti i Ukrainës Zelenski, nga Italia Meloni, nga Franca vjen Macron, pastaj shefi i OKB-së, zoti Guterres, shefi i NATO-s Rute, presidentja e BE-së Ursula von der Leyen, presidenti i Izraelit Isaac Herzog, presidenti i Sirisë Ahmed al-Shara dhe të tjerë.
Por sivjet interesant, sikur edhe vitet e kaluara, në Davos vërehet mosprania e presidentit turk Erdogan, pastaj ai nga Rusia, Putin apo Izraelit, Netanyahu, çka për këta dy të fundit dihet arsyet, të cilët janë të kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për krime dhe gjenocid ndaj palestinezëve dhe ukrainasve, si dikur Milosheviçi ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Kurse nga Ballkani do jenë prezent që nga nesër kryeministri shqiptar Albin Kurti. Sa i përket zotit Edi Rama, ende nuk dihet meqë jo vetëm se emrin e tij nuk e kemi hasur nëpër lista, por ende as vetë Tirana zyrtare nuk ka dalur, nuk e ka konfirmuar praninë e tij. Nga disa qarqe mospjesëmarrjen e Ramës në Davos e lidhin me vizitën e tij në Amerikë për të dhënë shpjegime rreth disa aferave korruptive.
Sidoqoftë në këtë eveniment ekonomik-politik do jetë i pranishëm edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, i cili tashmë nuk e ka një reputacion si më parë nga evropianët dhe ndërkombëtarët.
Për ta ndjekur samitin botëror këtu në Davos, vërehet një interesim i madh i mediave ndërkombëtare, që do të ndiqet nga ato më prestigjioze nga mbarë bota si Reuters, CNN, DPA, AFP, Ansa, EZA, Xinhua e të tjera.
Sipas burimeve nga qendra e presit në Davos, mësojmë se nga 10.000 kërkesa të gazetarëve për t'u akredituar nga mbarë bota për të ndjekur forumin ekonomik botëror, ka pranuar vetëm 400 gazetarë, ku në mesin e këtyre gjendet edhe një gazetar shqiptar, ky që po bisedon tash me juve. Përveç dialogut në vathët e krizave, në Davos sivjet do të debatohet edhe për klimën, inteligjencën artificiale, por mbi të gjitha për situatën kritike globale, nga Ukraina në Gaza, nga Holanda dhe tash së fundit në Venezuela dhe Iran.
Vitin e kaluar, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump mori pjesë në një farë mënyre në forumin ekonomik botëror në Davos, nëpërmjet videokonferencës nga Uashingtoni. Këtë vit ai do të marrë pjesë personalisht, domethënë nga vendi i ngjarjes.
Donald Trump pritet në forumin ekonomik botëror në Davos më 18 janar në aeroportin e Cyrihut me dy avionë Boeing 747 të pajisur posaçërisht në flotën e tij. Pastaj do transferohet me helikopter nga Cyrihu në Davos. Masat e sigurisë për mbërritjen e presidentit amerikan janë shumë të mëdha. Kjo vizitë e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump paraqet sfida të rëndësishme si për shërbimet sekrete të inteligjencës amerikane, ashtu edhe për Zvicrën. Prandaj është vënë në vend një operacion masiv sigurie për mbërritjen e njeriut më të fuqishëm në botë, thonë nga shërbimet sekrete zvicerane.
© SYRI.net