Durrësi është zgjuar sërish nën ujë, por shirat e dendur nuk janë shkaku i vetëm i kësaj katastrofe që po përsëritet. Situata aktuale, më e rëndë se vitet e kaluara, nuk konsiderohet një fatkeqësi natyrore, por një katastrofë e shkaktuar nga dora e njeriut, pasojë e keqmenaxhimit dhe vendimeve të dyshimta administrative. Të paktën nëntë lagje të qytetit bregdetar janë të përmbytura, duke lënë pas dëme të mëdha materiale për banorët.
Sipas gazetarit Julian Hoxhaj që ishte i ftuar në edicionin e mesditës në Styri tv, në qendër të problemit qëndron një projektvendim për devijimin e një hidrovori (stacion pompimi uji) kyç për qytetin, një lëvizje e cila u miratua nga Bashkia e Durrësit e drejtuar nga Emiriana Sako. Pas tërmetit të vitit 2019, u planifikua ndërtimi i një hidrovori të ri për të rehabilituar sistemin e kanalizimeve. Megjithatë, vendndodhja fillestare, e cila ishte studiuar si ideale për të tërhequr ujërat nga qyteti dhe për t'i shkarkuar në det, u ndryshua.
Gjatë bisedës me moderatorin Arnold Kariqi, Hoxhaj tha se “hidrovori i ri u zhvendos në zonën ku po ndërtohet porti i ri në Porto Romano”. Ky vendim skandaloz u bazua në një “studim inxhinierik” prej vetëm dy faqesh, një dokument qesharak për një projekt me një rëndësi kaq jetike. Si rezultat, hidrovori i ri, për të cilin u shpenzuan 19 milionë euro, ka rezultuar totalisht i paefektshëm. Ai nuk arrin të tërheqë sasitë e nevojshme të ujit nga zona e ish-Kënetës dhe lagjet e tjera të qytetit, duke i lënë ato në mëshirë të fatit sa herë që ka reshje intensive.
Kjo nuk është hera e parë që Durrësi përballet me përmbytje të tilla. Vetëm pak muaj më parë, në nëntor, një situatë e ngjashme shkaktoi edhe një viktimë. Gjatë viteve të fundit, janë shpenzuar rreth 31 milionë euro për pastrimin e kanalizimeve dhe ndërtimin e hidrovorit, fonde të cilat duket se kanë shkuar dëm. Ish-drejtori i Ujësjellësit të Durrësit, Spartak Kovaçi, i cili ka firmosur për këtë projekt në vitin 2021, është identifikuar si një nga personat e përfshirë në këtë vendimmarrje.
Ndërsa autoritetet heshtin, qytetarët e Durrësit po paguajnë çmimin e këtij keqmenaxhimi. Shumë prej tyre kanë humbur orenditë shtëpiake, automjetet u janë dëmtuar nga uji dhe përballen me rrezikun e infeksioneve. Pamjet dramatike të qytetit nën ujë dëshmojnë qartë se përmbytjet në Durrës nuk janë më çështje moti, por pasojë e drejtpërdrejtë e vendimeve që kanë anashkaluar interesin publik dhe sigurinë e qytetarëve.
Arnold Kariqi: Juli, jo vetëm që nuk kemi përmirësim, apo të paktën të ishte situata si vitet e kaluara, është edhe më keq. Çfarë ndodhi?
Julian Hoxhaj: Shiko, unë do të thoja që së pari kjo nuk është një situatë e panjohur për qytetin e Durrësit, sepse ju kujtoj që vetëm dy muaj më parë në muajin nëntor të vitit të kaluar, në Durrës pati pothuajse një situatë të ngjashme, sigurisht që nuk ishte në këto përmasa, por pati dhe një bilanc tragjik pasi pati dhe viktima për shkak të humbjes së jetës të një qytetari i cili ndërroi jetë pasi ra në kontakt me energjinë elektrike gjatë përmbytjes. Por kjo është çështje tjetër. Ajo që dua të them është që sot Durrësi nuk po përmbytet nga, po themi, fatkeqësia natyrore, nga kushtet e motit, nga reshjet e shiut. Sot Durrësi e ka të gjithë shkakun dhe pasojën aty. Është kryetarja e bashkisë në detyrë, kryetarët e bashkisë që kanë qenë para saj, të cilët gjatë këtyre viteve tregojnë realisht përmasat dramatike të kësaj katastrofe njerëzore, jo natyrore.
Sepse, jo vetëm sot, por ne si media, si gazetarë, por edhe qytetarët e Durrësit, e kanë raportuar vazhdimisht këtë problematikë për shkak sepse në Durrës gjatë këtyre viteve janë abuzuar jo pak, por po themi, vetëm për pastrimin e kanalizimeve apo ndërtimin e hidrovori-t rreth 31 milionë euro.
Në vitin 2021, pas tërmetit të famshëm të nëntorit të vitit 2019, u bënë një seri procedurash ku ndër to ishin dhe procedurat për rehabilitimin e kanalizimeve apo ndërtimin e një hidrovori të ri, i cili u devijua, pra iu ndryshua vendndodhja nga një hidrovor i cili aktualisht vendndodhjen e ka pikërisht në basenin ku po ndërtohet porti i ri në Porto Romano. Pra, ujërat shkarkoheshin pikërisht në gjirin ku po ndërtohet porti. Dhe çfarë ndodhi? Në vitin 2021 ndërtohet një hidrovor i ri i cili devijohet. Pra, devijohet rrjedha që ishte bërë ndër vite, që ishte studiuar, ishte projektuar, studiuar dhe ishte arritur në konkluzionin që ishte vendi, pozicioni ideal për të bërë të mundur tërheqjen e ujërave nga qyteti i Durrësit, nga lagjet e qytetit të Durrësit dhe më pas shkarkimin e tyre në det. Por bashkia e drejtuar nga Emiriana Sako, Këshilli Bashkiak i përfshirë gjithashtu, miratuan një projektvendim që bënin devijimin e hidrovori-t pa marrë parasysh, dhe unë po ju them këtu, që është bërë me dy faqe tekst studim. Skandal më të madh nuk ka. Pra, një studim inxhinierik që do të duhej të kishte citime të ekspertëve, të kishte kohë, po them, të mjaftueshme nga ekspertët për të studiuar gjithë territorin, është bërë me vetëm dy fletë formati A4 tekst.
Është skandal më vete. Por nuk po i hyj detajeve teknike të studimit, projektimit e të tjera e të tjera. Por u ndryshua vendndodhja e hidrovori-t dhe rezulton sot që hidrovori i ri i ndërtuar, që ka kushtuar 19 milionë euro, nuk bën dhe nuk arrin të tërheqë ujërat nga zona e ish-kënetës dhe nga i gjithë qyteti i Durrësit dhe sot kemi të paktën nëntë lagje të qytetit të Durrësit, ashtu siç shihet edhe në pamje, të cilat janë nën ujë. Dhe pasojat bien direkt mbi qytetarët, të cilët sot kanë humbur orenditë e shtëpive të tyre, kanë humbur automjetet e tyre për shkak sepse u janë shkaktuar dëme nga depërtimi i ujit në pjesët elektrike të automjeteve, apo shumë e shumë pasoja të tjera, po themi edhe rrezikun për infeksione...
Arnolad Kariqi: Është e treta herë.
Julain Hoxhaj: Kjo është e, kjo është e disata herë. Pra, në Durrës tashmë është bërë e zakonshme që në pesë vite, edhe pse janë investuar 31 milionë euro Arnold, 31 milionë euro do të duhej ta kishin zgjidhur përfundimisht situatën apo rrezikun e përmbytjeve në Durrës, kanë shkuar të gjitha në det. Në fakt paratë nuk kanë shkuar në det, paratë dihet se ku kanë shkuar. Ne e kemi denoncuar në emisionin "Plug", vetëm sezonin e kaluar. Se këtu dua të ndalem tashmë, ish-drejtuesi i Ujësjellësit të Durrësit, Spartak Kovaçi, i cili e ka drejtuar për një periudhë të gjatë kohe ujësjellësin e Durrësit, ka qenë një nga njerëzit e përfshirë direkt dhe në dijeninë tonë tashmë, ai po hetohet së bashku me drejtues të tjerë të besuar të Belinda Ballukut në të famshmen skemë 5B, por Spartak Kovaçi në vitin 2021 ka firmosur që...
© SYRI.net