Lajmi i fundit

LIVE/ Kryetari i PD, Sali Berisha bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale

Hidrovoret jashtë funksionit, banorja në Hamallaj rrëfen tmerrin: Uji po më hyn në shtëpi! Bashkia gjëkundi

12:53, 06/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar një situatë alarmante në zonën e Hamallajt në Durrës, ku fusha të tëra janë përmbytur dhe kanalet kulluese kanë dalë nga shtrati, duke mbuluar me ujë rrugët dhe banesat.

Në një lidhje direkte për SYRI TV me Eneida Ndocin, një banore e moshuar e zonës ka lëshuar alarmin, duke rrëfyer situatën dramatike me të cilën po përballet.

E izoluar plotësisht nga uji, ajo shprehet se ndodhet “si një kasolle mbi liqen” dhe se niveli i ujit është vetëm 30 centimetra larg pragut të derës së shtëpisë. Sipas dëshmisë së saj, shkaku kryesor i kësaj situate katastrofike nuk janë vetëm reshjet, por mosfunksionimi i hidrovoreve.

“Nuk janë vënë hidrovoret në punë. Pse të mbytemi ne kur qeveria i ka dhënë hidrovoret? Ato janë jashtë përdorimit,” deklaron ajo, duke theksuar se nëse pompat e ujit do të ishin vënë në lëvizje, përmbytja do të ishte shmangur.

Në mes të kësaj situate të rëndë, banorja tregon se ndihma institucionale ka munguar. Ajo pohon se askush nga bashkia nuk ka shkuar për të parë gjendjen, ndërsa i vetmi reagim ka ardhur pas interesimit të deputetit të zonës, Arian Ndoja.

“Më la numrin e telefonit kur të rrezikohem fare,” shpjegon banorja, duke shprehur mirënjohjen për deputetin, por njëkohësisht edhe ankthin për fatin e saj dhe të bagëtive, të cilat rrezikojnë të mbyten në stallat e përmbytura.

Rruga kryesore që lidh banesën e saj me asfatin është bërë e pakalueshme, me një nivel uji që arrin gati një metër.

Situata mbetet kritike, pasi reshjet e shiut vazhdojnë, duke rritur më tej nivelin e ujit dhe duke thelluar frikën dhe pasigurinë e banorëve të bllokuar në Hamallaj, të cilët i kanë sytë nga qielli dhe nga institucionet për një zgjidhje urgjente.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco