Situata në akset rrugore të Shqipërisë paraqitet kaotike në ditët e para të janarit, me një numër të lartë aksidentesh dhe bllokime trafiku që zgjasin me orë të tëra. Deputetja e Partisë Demokratike, Klodiana Çapja, e ftuar në studion e KAFE SHQETO në SYRI TV, ka denoncuar atë që e cilëson si neglizhencë dhe keqmenaxhim nga ana e autoriteteve përgjegjëse, duke theksuar se problemet aktuale nuk janë pasojë e motit të keq apo fluksit të festave, por e një mungese të thellë përgjegjshmërie.
Sipas deputetes, vetëm në Rrugën e Kombit janë regjistruar rreth 20 aksidente brenda një dite. Ajo argumenton se ky bilanc tragjik nuk mund t'i faturohet vetëm motit të keq, pasi temperaturat e ulëta ishin të paralajmëruara dhe nuk u mor asnjë masë konkrete për mirëmbajtjen e rrugës, siç është hedhja e kripës.
“Unë nuk besoj kurrsesi se 20 aksidente ndodhin për shkak të një shoferi të keq. Shkaku kryesor janë rruga, kushtet e saj dhe autoritetet përgjegjëse të cilët e kanë neglizhuar situatën”, deklaroi Çapja.
Një tjetër pikë kritike është nyja e Bradasheshit në hyrje të Elbasanit, të cilën deputetja e përshkruan si një “çmenduri të vërtetë”. Ajo raporton se qytetarët detyrohen të presin në trafik për tre deri në katër orë për të përshkuar një segment prej vetëm 500 metrash.
Ky problem, sipas saj, nuk është i ri, por një çështje që vijon prej vitesh dhe paralizon jo vetëm qytetarët e Elbasanit, por të gjithë Shqipërinë. Përballë kësaj situate, Çapja bëri të ditur se së bashku me deputetin Blendi Himçi, kishin depozituar një amendament në Kuvend për të përshpejtuar ndërtimin e bypass-it të Elbasanit. Propozimi synonte alokimin e një fondi prej rreth 20% të buxhetit total të projektit për vitin 2026, me qëllim që punimet të nisnin brenda këtij viti dhe jo të zvarriteshin deri në 2027 apo 2028. Megjithatë, ky propozim u rrëzua nga votat e mazhorancës.
“Për fatin e keq, u rrëzua edhe me votat e deputetëve të qarkut të Elbasanit. Urdhri politik prevaloi mbi situatën”, shtoi ajo. Deputetja e opozitës akuzoi qeverinë se nuk po i jep përparësi zgjidhjes së problemeve reale të qytetarëve. Sipas saj, amendamenti nuk u gjykua si parësor, ndërkohë që vëmendja shkon drejt projekteve të tjera.
Më tej, ajo theksoi se përgjegjësia për kaosin infrastrukturor buron nga Ministria e Infrastrukturës, e cila lidhet direkt me kryeministrin, duke lënë të kuptohet se protestat duhet të orientohen drejt zyrës së kreut të qeverisë.
Çapja:
Unë po e nis fillimisht me Rrugën e Kombit, duke qenë që vetëm brenda një dite ka ndodhur një numër rreth 20 aksidentesh, dhe këto me një burim të tillë aksidenti të raportuar nga pjesa më e madhe e propagandës televizive, arsyet janë moti i keq.
Në Rrugën e Kombit, moti i keq nuk është se ndodh vetëm në këtë vit. Nuk është se është i palajmëruar. Temperaturat në ditët e para të fillimit të vitit janë të ditura që do të jenë të ulëta, nuk është se janë surprizë dhe megjithatë nuk u hodh kripë, nuk u mor asnjë masë konkrete dhe nuk pati kurrfarë menaxhimi. Unë nuk besoj kurrsesi se 20 aksidente ndodhin për shkak të një shoferi të keq, i cili nuk di të drejtojë siç duhet automjetin, por unë besoj se 20 aksidente shkakun kryesor kanë, pa diskutim, rrugën, kushtet e saj dhe autoritetet përgjegjëse të cilët e kanë neglizhuar situatën.
Kemi pastaj aksin tjetër problematik, duke qenë që jam dhe deputete e qarkut të Elbasanit, nyjen e Bradasheshit. Është një, ka me ditë të tëra, një çmenduri të vërtetë në nyjen e Bradasheshit, ku qytetarët detyrohen të rrinë jo më vetëm dy orë siç ndodh në çdo ditë tjetër të vitit, por të kalojnë tre deri në katër orë për të kaluar 500 metra rrugë që është aksi i nyjes së Bradasheshit.
Kjo si problematikë, sikurse e thashë dhe më parë, nuk është problematikë që vjen nga justifikimi i festave të fundvitit. Kjo si problematikë vijon prej vitesh dhe madje në ditët e fundit të mbylljes së sesionit parlamentar, së bashku me deputetin zotin Blendi Himçi, kemi depozituar në Kuvendin e Shqipërisë dhe kemi prezantuar një amendament për bypass-in e Elbasanit për të zgjidhur njëherë e mirë problemin i cili nuk është më vetëm i qytetarëve të Elbasanit, po i gjithë Shqipërisë. Sigurisht, me urdhër politik, ky amendament u rrëzua me votat e mazhorancës.
Për fatin e keq, u rrëzua edhe me votat e deputetëve të qarkut të Elbasanit, të cilët besoj sikurse unë dhe si shumë kolegë të tjerë detyrohen edhe ato të qëndrojnë me orë të tëra në trafik, por që urdhri politik prevalon mbi situatën dhe morëm një votë jo.
Konkretisht, për ta bërë më të qartë situatën, kemi propozuar që të alokohet një fond prej gati 20% e buxhetit total të projektit për vitin 2026, me qëllim që bypass-i i Elbasanit të mos fillojë në 2027, 2028 e në vijim, por të fillojë brenda vitit 2026, duke qenë që është problem thelbësor për trafikun. Sa i përket këtij amendamenti, që thashë pa diskutim u rrëzua me votat e mazhorancës, nuk u gjykua që ishte parësor për të zgjidhur këtë problematikë, nuk u gjykua që ishte parësor për t'i lehtësuar jetën qytetarëve të Elbasanit, por u gjykua që ishte parësor, vijojnë të bëjnë pjesën e Formula Unos, se është më mirë t'i argëtojmë qytetarët, se tek Formula Uno-t apo te projektet e tjera e kemi më mirë.
Banorët e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë e treguan në protestën e thirrur nga opozita pjesëmarrjen e tyre, kështu që , unë nuk besoj se se kishte nevojë.
Edhe kjo qëndron dhe pse jo, në ditët në vijim mund të jetë në planet e organizimit të Partisë Demokratike dhe pjesa e bllokimeve të rrethrrotullimit. Gjithsesi unë mendoj që problemi është më i madh.
Problemi është më i madh. Problemi është më i madh se nyja e Elbasanit. Problemi është më i madh sesa kaq. Ne e dimë burimin, e dimë që protesta duhet ta ketë fokus Ministrinë e Infrastrukturës, sikurse e dimë nga ana tjetër që ministrja e Infrastrukturës tashmë e pandehur lidhet direkt me kryeministrin dhe protestat zhvillohen përpara kryeministrisë.
© SYRI.net