Eksperti i sigurisë Avenir Peka, në një intervistë për SYRI TV, ka analizuar operacionin e fundit amerikan, duke theksuar se ai përbëhej nga dy shtylla kryesore: komponenti ligjor dhe ai politik.
Sipas tij, bëhej fjalë për një operacion të organeve të zbatimit të ligjit, të drejtuar nga DEA dhe të mbështetur nga forcat ushtarake, i cili nuk mund të konsiderohet as pushtim dhe as luftë, por një veprim me ndikime të thella politike, diplomatike dhe gjeopolitike.
Avenir Peka: Po i gjithë operacioni ka dy komponentë. E para është komponenti ligjor dhe e dyta është komponenti politik. Komponenti ligjor është në kuptimin që ky operacion ishte një operacion i organeve të zbatimit të ligjit. Kishte një urdhër arresti për të, kishte një aktakuzë të ngritur në gjykatën e New Yorkut. Ishte një operacion që zyrtarisht u drejtua nga DEA. Dhe ishte një operacion që kërkonte mbështetjen e forcave ushtarake. Ajo çfarë nuk ishte, nuk ishte një pushtim, nuk ishte një luftë, nuk ishte një ndërrim pushteti. Në këtë këndvështrim duhet të shikohet që operacioni në vetvete, ose forma ligjore e operacionit ishte një operacion i organeve të zbatimit të ligjit me mbështetje ajrore, tokësore, detare nga forcat ushtarake për shkak se bëhej në një vend tjetër, në një kontinent tjetër.
Reperkusionet politike, diplomatike, gjeopolitike, ushtarake janë pastaj, janë, janë pafund. A ishte në vetvete vetëm një operacion policor? Sigurisht që nuk ishte një operacion policor. A kishte komponent të gjeopolitikës? Sigurisht që kishte komponent. Dhe cilët janë ato? Së pari duhet të kujtojmë se vetëm një muaj më përpara, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, administrata publikoi strategjinë e sigurisë kombëtare. Që i rikthehej doktrinës Monroe, që do të thotë pjesa e hemisferës perëndimore, dy Amerikat, dy kontinentet i përkasin zonës së influencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
E kanë të shkruar në dokument, nuk është thjesht një analizë, është e shkruar në dokument që ne i rikthehemi doktrinës së Monroe. Çfarë përbën Venezuela? Venezuela është një pikë takimi e interesave të fuqive që nuk janë miqësore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është Irani, është Kina, është Rusia. Të tre këto fuqi ishin të vendosura dhe kishin një akses të jashtëzakonshëm. Edhe në fushën ekonomike, edhe në fushën politike, edhe në fushën ushtarake, edhe në fushën e energjitikës dhe burimeve natyrore, por edhe në fushën e transportit, transportit detar. Dhe çfarë bën Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Në vazhdim të strategjisë së tyre të sigurisë kombëtare, ata hoqën një rrezik që ishte rrezik i madh për sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në këtë aspekt, ata u treguan shumë të kujdesshëm, që nuk u morën me, siç ishte frika me pushtimin e një vendi. Pra, me shkeljen e së drejtës ndërkombëtare, as me ndryshimin e pushtetit. Po prapë që mund të hante debat, është apo nuk është shkelje e së drejtës ndërkombëtare. Ata bënë një operacion, morën kreun e shtetit, kreun e një karteli sepse është i shpallur si kartel.
© SYRI.net