Një operacion ushtarak amerikan i mirë-orkestruar në Venezuelë ka çuar në largimin e Nicolás Maduros nga pushteti, duke hapur një kapitull të ri dhe të paqartë për vendin.
I ftuar në SYRI TV me Armela Ferkon, Adrian Shtuni, ekspert i sigurisë ndërkombëtare e përshkroi ndërhyrjen si një lëvizje strategjike me implikime të thella gjeopolitike, duke e cilësuar atë jo si rrëzimin e një lideri legjitim, por si largimin e një "uzurpatori" që mbante peng Venezuelën që prej vitit 2013.
Sipas Shtunit, operacioni ishte një demonstrim i shkëlqyer taktik, duke e përshkruar si "mjaft i sofistikuar" dhe i ekzekutuar me "përpikmëri të plotë", rezultat i një kombinimi perfekt mes forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe infrastrukturës së inteligjencës.
Gjithashtu eksperti u shpreh se largimi i Maduros nuk ka shkaktuar keqardhje popullore, duke theksuar se "askush nuk po qan" për të.
Shtuni: Po, precedent ka patur në Panama. Domethënë, çfarë ishte kjo? Si ta lexojmë? Është shumë herët për të lexuar shumëçka, po tre pikat kryesore janë: e para, në aspektin, le të themi taktik, ishte një operacion i shkëlqyer, mjaft i sofistikuar, i ekzekutuar në përpikmëri të plotë, në kombinim midis forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe infrastrukturës së inteligjencës, organeve të inteligjencës, që sa duket kanë qenë të instaluara në Karakas prej muajsh tashmë, për të ekzekutuar këtë operacion mjaft të komplikuar. Ajo që pamë, duhet të jemi të qartë, nuk ishte rrëzimi nga pushteti i një lideri legjitim, por ishte largimi i një uzurpuesi, diktatori, një uzurpuesi të pushtetit, që po mban peng Venezuelën prej shumë kohësh. Ai ishte pasues i tjetërkujt, po ky vetë ka qenë në pushtet prej 2013-ës. Nuk besoj që po qan njeri për faktin që Maduro është larguar nga Venezuela. Në aspektin strategjik, mendoj, është një operacion i cili është në përputhje me doktrinën e shpalosur në strategjinë kombëtare ë, të sigurisë, të 2025-ës nga presidenti Trump, që flet qartas për rimëkëmbjen e doktrinës Monroe, për dominimin e hemisferës perëndimore nga Amerika. Por është në pikë të tretë, është edhe një mesazh i fortë, për mendimin tim, i tërthortë, edhe për regjime të tjera të ngjashme autoritare në botë, po po flas kryesisht në hemisferën perëndimore. Mesazhi është, mendoj që e kam thënë edhe në studion tuaj më përpara këtë, krahu i drejtësisë amerikane është i gjatë dhe muskuli i ushtrisë amerikane është mjaft i fortë.
© SYRI.net