Festat e fundvitit mbushin qytetet me drita shumëngjyrëshe, por vit pas viti, ndërsa dritat shtohen, xhepat e qytetarëve janë të boshatisur. Ata që i vuajnë më tepër këto festa, janë pensionistët, një shtresë që vitet e fundit duken të harruar nga qeveria. Pensionistët në Fier shprehen se nata e ndërrimit të viteve, i gjen ata si çdo ditë tjetër, të harruar dhe në pamundësi për ta patur tryezën plot, ashtu siç do dëshironin.
Syri TV
Në atmosferën e zhurmshme dhe plot dritë të ndërrimit të viteve, qytetarët tradicionalisht dalin për të takuar njëri-tjetrin, për të shkëmbyer urime dhe për të kryer pazaret e fundit të vitit. Mosha e tretë është ajo që e përjeton më ndryshe këtë periudhë. Pensionistët, shpesh të ulur në stolat e shesheve apo pranë dyqaneve, vëzhgojnë qytetin që zbukurohet me drita, ndërsa xhepat e tyre mbeten të varfër përballë çmimeve gjithnjë në rritje.
Për ta, festa nuk matet me zbukurimet apo vitrinat plot, por me mundësinë për të pasur një tryezë sadopak më të denjë. Një rritje reale e pensioneve apo një mbështetje konkrete do t’i bënte tryezat e tyre më të mbushura dhe festën më të ndjerë, jo vetëm në pamje, por edhe në përmbajtje, diçka që edhe këtë vit duket se do të mungojë. Diçka e tillë konfirmohet edhe nga vet qytetarët fierak, të cilët theksojnë se me rritjen e çmimeve, elementet bazikë të tryezës së fundvitit, do të mungojnë.
Megjithatë, pavarësisht vështirësive ekonomike, shqiptarët mbeten besnikë ndaj traditës. Edhe kur mungojnë të ardhurat, tryeza e ndërrimit të viteve mundohet të jetë më e pasur se ditët e zakonshme. Në fund, festa kalon, dritat fiken, por problemet mbeten.
© SYRI.net