‘Rama mes propagandës dhe dështimit’/ Zhulali: Integrimi europian i bllokuar dhe Shqipëria më e varfër në 2025...

16:57, 30/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një intervistë për SYRI TV, ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare Ilda Zhulali ka bërë një analizë mbi procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe gjendjen ekonomike e institucionale të vendit në fund të vitit 2025.

Ajo theksoi se premtimet e kryeministrit Edi Rama për përdorimin e inteligjencës artificiale dhe përshpejtimin e integrimit në BE kanë mbetur vetëm propagandë, ndërsa në realitet Shqipëria përballet me bllokim fondesh europiane, paralajmërime për përjashtim nga Komuniteti i Energjisë, rritje të varfërisë dhe emigrimit, si dhe me skandale të rënda korrupsioni që rëndojnë drejtpërdrejt mbi jetën e qytetarëve shqiptarë.

Ilda Zhulali: Që përpara dy vitesh Edi Rama premtoi shqiptarëve që përmes inteligjencës artificiale do ta afronte integrimin në Bashkimin Europian dhe brenda gjashtë muajve do përkthente të gjithë legjislacionin dhe ja ku jemi në fund të vitit 2025, pas dy vitesh kur ai e bëri këtë premtim dhe nuk ka asnjë përparim në këtë hapësirë të këtij procesi.

Pra, është shumë e qartë që ai vetëm bën premtime të mëdha dhe nuk realizon asgjë prej tyre, i ka vetëm fasadë dhe janë pjesë e propagandës së tij për të shpëlarë trurin e shqiptarëve. Por ajo që nisi si proces për duke shfrytëzuar një moment shumë të rëndësishëm gjeopolitik për Bashkimin Europian, për të afruar Shqipërinë me BE-në si vendi i vetëm i cili nuk është i kapur as nga ndikimet ruse dhe as nuk ka probleme të brendshme ndër-etnike dhe për të dhënë një mesazh pozitiv se procesi i zgjerimit mund të shërbejë si një katalizator i fuqishëm për të bërë transformim, Edi Rama e keqpërdori këtë moment dhe pavarësisht se janë hapur kapitujt e negociatave, ne sot kemi ende dy procese shumë të rëndësishme si ai i fondeve që jep Bashkimi Europian për bujqësinë, që është i bllokuar, është i pezulluar, derisa qeveria shqiptare të kthejë paratë mbrapsht dhe të dënojë personat që janë të përfshirë në të gjithë skemën korruptive.

Pra janë këto dy elementë që janë kushte të domosdoshme për Shqipërinë. Dhe të dytin lajm që e morëm përsëri në fundvit ishte që Shqipëria është paralajmëruar se do të përjashtohet nga Komuniteti i Energjisë, nëse nuk bën ndryshime emergjente. Kështu që në kuadër të procesit të anëtarësimit, po është e vërtetë, është lajmi i mirë që Shqipëria i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave, por është lajm i keq fakti që Shqipëria nuk përfiton nga fondet e Bashkimit Europian dhe është paralajmëruar se do të përjashtohet nga Komuniteti i Energjisë, që parashikon penalizime shumë të rënda në sektor, por në dëm të qytetarëve shqiptarë. Në një përmbledhje më makro, unë do ta ndaja këtë vit në tre fasha. Për qytetarët shqiptarë, ky vit u premtua se do të ishte viti i pasaportës europiane, por u bë viti i pasaportës së varfërisë. Çdo qytetar shqiptar gjatë vitit 2025 e ka ndjerë varfërinë më shumë, ka paguar më shumë para nga xhepi dhe xhepat e tij janë bosh, ka kursyer më pak, e ka patur më pak të mundur jo vetëm të kursejë, po të përballojë shpenzimet e ditës dhe të muajit, duke e çuar pjesën më të madhe të parave për shpenzime për t'u ushqyer. Apo për të mbuluar nevojat shëndetësore dhe megjithatë ato kanë mbetur gjithsesi të pambuluara sipas edhe raporteve të botuara qoftë nga INSTAT, qoftë nga Eurostat.

Kështu që ky vit është viti i varfërimit të mëtejshëm të shqiptarëve dhe i emigrimit të mëtejshëm të shqiptarëve. Për Edi Ramën, ky ka qenë viti i burgut dhe viti i nisjes së atij cikli të kthesës do ta quaja unë, nga kalimi nga faza McGonigal në një fazë të re që është ajo e epokës Trump. Ne e nisëm këtë vit me burgosjen e kryetarit të Bashkisë të Tiranës për nëntë afera të mëdha korruptive. Niveli i korrupsionit të cilit arriti deri aty sa bashkëshortja e tij kishte shpenzuar jo pak, po 1 milionë euro para për garderobën e saj. Kjo ishte vetëm një shifër për t'u lënë një shije shqiptarëve, për të kuptuar deri në ç'nivel ka arritur grabitja e parave të tyre. Por Erion Veliaj, falë edhe punës që bëri opozita dhe Partia Demokratike me protestat dhe denoncimet e vazhdueshme dhe gjithë presionin edhe ndaj atyre organeve të drejtësisë, më në fund shkoi përpara drejtësisë, edhe pse ai në fakt do të duhet të shkonte për të tjera akuza dhe për mungesën e inceneratorit, për të cilin vazhdojmë të paguajmë para.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco