Xhixho: Qeveria Rama 12 vite korrupsion dhe dështime për qytetarët shqiptarë

Xhixho: Qeveria Rama 12 vite korrupsion dhe dështime për qytetarët shqiptarë

11:25, 30/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një deklaratë për mediat, Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, e ka cilësuar vitin 2025 si një nga vitet më të errëta për shqiptarët, duke u karakterizuar nga korrupsioni i thellë, vjedhjet e fondeve publike dhe dështimi i qeverisë për të garantuar shërbime bazë për qytetarët.

Sipas saj, kjo qeveri ka treguar se punon vetëm për një grusht klientësh dhe oligarkësh, duke lënë pas një shtet të pafuqishëm dhe qytetarë të përballur me shtrenjtim, mungesë shërbimesh dhe pasiguri.

Xhixho ka theksuar disa nga aferat më të mëdha të qeverisë, duke përfshirë:

Inceneratorët fantazmë, ku 420 milion euro janë zhdukur për projekte që nuk ekzistojnë.

Tunelin e Llogarasë dhe rrugët e tjera publike, me kosto të fryra dhe tendera të përqendruar në pak duar.

Dosjen e AKSHI-t, që ka treguar abuzime me fondet e shtetit dhe rrezikimin e sigurisë kombëtare.

Mungesën e ujit të pijshëm në Vlorë, edhe pas premtimeve 12-vjeçare për furnizim 24-orësh.

Erisa Xhixho ka paralajmëruar se viti 2026 do të jetë viti i qytetarëve, viti i qëndresës dhe përballjes me këtë qeverisje të korruptuar.

Ajo ka ftuar shqiptarët që të bashkohen për të rikthyer shpresën dhe për të ndërtuar një shtet që punon për njerëzit dhe jo për oligarkët.

Deklarata për media:

Të nderuar qytetarë!

Në prag të fundit të vitit 2025 është me vlerë për të thënë disa të vërteta, pasi ky vit mund të quhet viti i vjedhjeve dhe korrupsionit të Rilindjes.
Inceneratorët ishin prova më e qartë e njëmega afere që zhduku plot 420 milionë euro nga paratë e shqiptarëve për vepra që nuk ekzistojnë. Inceneratorë fantazmë, por ende paguajmë 90 mijë euro në ditë për një shërbim që nuk merret dhe ndotja e keqmenaxhimi kanë sjellë një situatë alarmante për mjedisin, edhe pse turizmi është një nga sektorët strategjikë të vendit. Kjo qeveri pas 12 vitesh vjedhje e korrupsion ende nuk e ka zgjidhur këtë problem madhor për çdo qytetar.
Nga ana tjetër, Tuneli i Llogarasë me vjedhje që arrin deri 75 milionë euro është një tjetër provë e qartë e arrogancës së pushtetit. Investime publike pa transparencë, kosto të fryra, tendera të përqendruar në pak duar dhe asnjë llogari për dështimet. Rrugët e florinjta që po bien dita-ditës nga korrupsioni dhe papërgjegjshmëria, që rrezikojnë edhe jetën e qytetarëve si Korçë –Ersekë 80 milionë euro apo Qukës-Qafë Plloçë me vlerë 340 milionë euro. 
Unaza e Tiranës me të paktën 22 milionë euro për kilometër do të paguajnë qytetarët, para që do të shkojnë në xhepat e klientëve të përzgjedhur të zv.kryeministrja, e marrë e pandehur për megavjedhjen e tunelit të Llogarasë dhe lotet e Unazës së Madhe, as jep dorëheqjen, as nuk shkarkohet. Pasi tashmë të gjithë e kanë të qartë se Edi Rama e ka marrë në mbrojtje pasi ai është urdhwruesi i çdo afere korruptive dhe dardhat dhe mollët i kanë ngrënë bashkë. Kjo pengesë që po i bëhet drejtësisë, kjo qeveri duke mos hequr imunitetin për t’i hapur rrugë drejtësisë është prova e qartë e frikës pa shpëtim që ka Edi Rama. 

Një tjetër aferë si Dosja e AKSHI-t nxori në pah se si shteti digjital u kthye në një minierë ari për abuzime ku vetëm për vitet 2017-2025 janë menaxhuar mbi 530 milion euro. Një aferë që ka kërcënuar rëndë sigurinë kombëtare pasi janë dubluar të dhënat e TIMS, kadastra e pronat e çdo qytetari dhe të dhënat e çdo zyre shtetërore. Kjo nuk është paaftësi, është papërgjegjshmëri kriminale. Ku kemi të faktuar lidhjen e krimit të organizuar me politikën, që veprojnë si grup i strukturuar kriminal. Dhe ku Kryeministri që duhet të japë llogari me karshillëk del në sytë e shqiptarëve e thotë se u implementua vizioni i tij, po tashmë  e kemi të qartë të gjithë se ky vizion ishte vjedhje e korrupsion i çdo qindarke të popullit më të varfër në Europë. Sot që flasim, shimca e shërbimeve elektronike të qeverisë nuk punon. Nuk punon e-albania, duke bllokuar punën për qytetarët dhe bizneset. 
Nuk mund të mungonte në këtë fundvit, “kartolina” për qytetarët shqiptarë. Vlora, një nga qytetet më të rëndësishme të vendit, mbetet pa ujë të pijshëm për ditë të tëra. Në  2013 Edi Rama premtonte 24 orë ujë të pijshëm, ndërkohë pas 12 vitesh ku paratë shkojnë në gropa thithëse korrupsioni, ende qytetarët vlonjatë vuajnë edhe në këto ditë feste mungesën e ujit. Ky është dështim i pastër i qeverisjes vendore dhe qendrore.
Ndërkohë, çmimet vazhdojnë të rriten. Ushqimet, energjia, qiratë dhe shërbimet bazë po bëhen të papërballueshme për shumicën e familjeve shqiptare. Qeveria mbledh më shumë taksa nga rritja e çmimeve, por nuk kthen asgjë mbrapsht për qytetarët. Në prag të festës, gjeli i Vitit të Ri kushton të paktën 100 mijë lekë të vjetra, ndërsa ushqimet e tjera janë rritur dyfish. Familjet çojnë 40% te buxhetit të tyre familjar për ushqime për mbijetese ndërkohë vetëm vera e kryeministrit është 33 mijë euro shishja dhe vinoteka e vartësve të tij 3 milionë euro. Pensionisteve i jepet lëmoshë 600 lekë të vjetra në ditë, as sa një kafe, ndërkohë Kryeministri vetëm për veten e tij ka ndërtuar kopshtin Eden 4.2 milion euro. Të rinjve shqiptarë u duhen 65 vjet të blejnë një apartament, ndërkohë që zv.Kryeministrja ka 300 apartamente. Mësuesit, pedagogët dhe prindërit detyrohen të përballojnë një sistem arsimor të dështuar dhe me paga të pamjaftueshme, kur miliona euro shkojnë për udhëtimet charter të Kryeministrit.
Kjo qeveri nuk punon për shqiptarët por vetëm për një grusht klientësh të tij. 

Kjo është fytyra reale e qeverisjes në 2025:
- Shtet për oligarkët dhe jo për qytetarët
- Heshtje për skandalet dhe pengesë për drejtësinë
- Vuajtje për qytetarët dhe luks për Kryeministrin dhe bandën e tij
Ndaj viti 2026 do të jetë viti i qëndresës, viti i përballjes dhe viti i qytetarëve të lirë që do çlirojnë vendin nga kjo narkoqeveri për t’ia rikthyer shpresën dhe vendin shqiptarëve.

Faleminderit!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco