Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit i ka siguruar asaj mundësinë për të formuar e vetme qeverinë, një rezultat që pason një krizë politike por që e nxjerr subjektin e udhëhequr nga Albin Kurti më të fortë se kurrë.
I ftuar në SYRI TV me Armela Ferkon, analisti Dritëro Arifi theksoi se e sheh këtë rezultat jo vetëm si një triumf për Kurtin, por edhe si një pasojë e drejtpërdrejtë e dobësisë dhe strategjisë së gabuar të partive opozitare.
Sipas Arifit, Albin Kurti është një lider i qëndrueshëm prej vitesh, i cili e ka përdorur me efikasitet populizmin si armën e tij më të fortë.
Partitë opozitare menduan se me një gjuhë të moderuar mund të mposhtnin populizmin e Kurtit, por kjo qasje rezultoi e gabuar. Konsistenca dhe koherenca e Kurtit në mesazhet e tij politike shihen si faktorë kyç të suksesit të tij.
Arifi: Zoti Kurti është një lider i qëndrueshëm tashmë që shumë vite dhe duke ditur që edhe populizmi është arma e tij më e fortë dhe çka ka ndryshuar që nga shkurti i këtij viti deri në dhjetor është se zoti Kurti ka vepruar shumë në terren dhe i ka sulmuar jashtëzakonisht shumë partitë opozitare, të cilat në një farë mënyre janë të treguar shumë të buta përballë Kurtit dhe kanë menduar që me një gjuhë të moderuar mund ta mundin me populizmin e Kurtit, po ja që kanë gabuar. Zoti Kurti është aty ku është për shkak të konsistencës dhe koherencës së tij në atë se çka thotë dhe çka bën me oponentët politikë. Nga ana tjetër kjo, ky rezultat është edhe si pasojë pikërisht e dobësisë së opozitës. E para, nuk kanë treguar lidership të fuqishëm. E dyta, nuk kanë koherencë për veprimet dhe për temat të cilat do të duhej t'i mbanin gjithmonë aty që t'i spjegonin qytetarëve shumë më shumë sesa që kanë spjeguar dhe e treta, po besoj që është në aspektin strukturor, pra ato parti janë të stërvjetëruara, kanë bërë disa ndryshime, reforma, po më shumë kanë qenë sipërfaqësore, kozmetike, jo thelbësore dhe po vërehet që në 24 komuna Vetëvendosja ka dalë e para në nivel të votave të komunave. Partia Demokratike vetëm në dy komuna, LDK-ja në asnjë komunë, edhe pse ka disa komuna të rëndësishme që i ka fituar para pak muajsh. Pra, kjo po tregon që strukturat partiake nuk janë në nivelin e duhur dhe mungesa e lidershipit ka bërë që ky rezultat të jetë më i madh, sepse qytetarët kanë besuar që një lider i fortë si zoti Kurti mund t'i kuantifikojë premtimet të cilat i ka dhënë. Pra, numrat janë fakt, mirëpo edhe e vërteta është që zoti Kurti ka pasur dështime të shumëllojshme në qeverisje, për të cilën opozita nuk ja ka vënë në pah sa duhet mjaftueshëm dhe nuk e ka mbajtur një, po themi një koherencë të asaj se cilat pika të qeverisjes ka dështuar dhe nëse e heqim temën e Serbisë nga diskursi për zotin Kurti, nuk njihet që ka bërë ndonjë transformim rrënjësor në Kosovë këto pesë vitet e fundit. Por megjithatë, propaganda e fortë dhe politikat populiste realisht kanë pasur sukses.
© SYRI.net