Drejtuesi i Partisë Demokratike në Vlorë, Hysni Sharra, në një intervistë në SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca, foli për situatën e rëndë të mungesës së ujit në qytet, duke e cilësuar reagimin e qytetarëve si të justifikuar dhe të domosdoshëm.
Sipas tij, ndërprerja disa ditore e furnizimit me ujë, veçanërisht në prag festash dhe me kthimin e emigrantëve, ka krijuar një gjendje kaotike, duke nxjerrë në pah papërgjegjshmërinë e institucioneve dhe duke rikthyer zërin e protestës qytetare për një nga nevojat më jetike të jetës.
Hysni Sharra: Unë në fakt do ta quaja edhe heroike këtë sepse për fat të keq në Vlorë si dhe në gjithë Shqipërinë është vrarë ajo ndjenja e protestës, ajo ndjenja e shprehjes së pakënaqësisë, kështu që duke parë zhvillimet e këtyre dy ditëve të fundit dhe këtu bëhet fjalë për një gjë bazike, për një gjë shumë elementare që është uji i pijshëm. Jemi dhe në prag festash, jemi në një moment kur mjaft emigrantë kthehen për të kaluar pushimet e fundvitit me të dashurit, me të afërmit e me familjarët e tyre. Kështu që nuk mund të kishte moment më të keq se ky për të krijuar këtë anomali, këtë, unë do ta quaja një çmenduri dhe një papërgjegjshmëri në furnizimin me ujin e pijshëm si një nevojë, si një gjë materiale mjaft e domosdoshme për jetën tonë.
Mund të jetohet pa shumë të mira materiale por uji është më i domosdoshmi dhe më jetiku. Kështu që situata është tejet kaotike, është tejet e rëndë me familjarë që rendin pas atyre pak boteve të privatëve për të siguruar ujin sepse sot u bënë katër ditë të plotë dhe me ç'po duket do të jetë e vështirë edhe për një apo dy ditë. Gjithmonë duke supozuar që ai gjasme riparimi ose pjesët që po sjellin nga Stambolli do të funksionojnë dhe mënyra apo teknologjia e instalimit të këtyre pjesëve do të funksionojë. Parë në këtë pikëpamje më në fund kemi një reagim të qytetarëve. Pavarësisht se shumë media dhe shumë komentatorë mund ta kenë cilësuar si një gjë jo të përshtatshme, si një veprim që u krye në një institucion të artit dhe të kulturës. Artin dhe kulturën e duam të gjithë, po në radhë të parë janë nevojat jetike, është jeta jonë e përditshme dhe pastaj janë lukset e pushtetarëve të cilët ikën, dolën nga dyert e mbrapshme e teatrit nga frika e qytetarëve dhe nga frika e medias.
Ky është mendimi i gjithë atyre që ishin në protestë dhe mendimi i gjithë qytetarëve, por njerëz të lidhur me pushtetin, media të lidhura me pushtetin, apo edhe tip komentatorësh që duan të bëjnë interesantin e cilësuan këtë si një veprim në vendin e duhur dhe jo në momentin e duhur. Por unë e thashë dhe ua thamë edhe servilëve të pushtetit që silleshin vërdallë brenda dhe jashtë teatrit Petro Marko që ne këtu jemi në ditën e tretë të zisë dhe nuk jemi për qejfe, për mbrëmje gala e për koncerte. Pasi të kemi të siguruara këto nevoja kryesore, nevojat jetike, atëherë le të bëhet dhe arti dhe kultura.
© SYRI.net