Zgjedhjet në Kosovë/ Gaxherri: Pas dështimit zgjedhor, Abdixhiku duhet të japë dorëheqje

09:44, 29/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Rezultati i dobët në zgjedhjet e fundit ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe drejtimin e saj. Pas asaj që konsiderohet një dështim i madh, të gjithë sytë janë kthyer nga kryetari Lumir Abdixhiku, dorëheqja e të cilit tashmë pritet të ndodhë brenda pak ditësh.

I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” me moderatorin Flavio Qarri, gazetari Ardian Gaxherri, theksoi se pas humbjes së thellë në zgjedhjet e fundit, partitë opozitare në Kosovë duhet të hapen sinqerisht dhe të marrin përgjegjësi për dështimet e tyre.

Sipas tij, rasti i Lidhjes Demokratike të Kosovës është më domethënës, pasi rezultati i dobët ka vënë në pikëpyetje drejtimin aktual, ndërsa kryetari Lumir Abdixhiku pritet të marrë përgjegjësinë politike, përfshirë edhe mundësinë e dorëheqjes.

Pjesë nga deklarata:

Partitë opozitare duhet të hapen sinqerisht. Ato bëjnë sikur janë demokratike dhe sikur janë të hapura, por fatkeqësisht udhëhiqen nga disa njerëz të cilët kurrë nuk i ndërrojnë pozitat; janë gjithmonë aty. Përderisa këta njerëz vazhdojnë të qëndrojnë në krye, partia nuk bën evolucion në asnjë moment.

Faktikisht, ato parti po qëndrojnë në të njëjtin nivel ose madje po bien më poshtë. Në këtë rast, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka pësuar dështimin më të madh në këto zgjedhje, padyshim besoj se zoti Abdixhiku do të japë dorëheqje në këto ditë, pasi që mbrëmë deklaroi se do ta mbledhë Kuvendin dhe se është i gatshëm të japë përgjegjësi, qoftë edhe me dorëheqje.

I pyetur nga gazetarët, ai me shumë maturi ka dhënë një deklarim ndryshe nga politikanët shqiptarë me të cilët jemi mësuar ne, sepse pavarësisht dështimeve, politikanët shqiptarë zakonisht nuk japin dorëheqje. Kjo është për t’u përshëndetur nga zoti Abdixhiku.

Besoj se ai do të japë dorëheqje dhe do t’ia lirojë vendin dikujt të ri, por çështja nuk është vetëm te Abdixhiku. Unë besoj se çështja është më e thellë. Siç e theksova më parë, partia duhet të hapet sinqerisht dhe të mos ketë njerëz të njëjtë që qëndrojnë aty pa sjellë asgjë të re për partinë, por vetëm për veten e tyre.

Tash, nëse ne e mbajmë përgjegjës zotin Abdixhiku, padyshim se duhet t’i mbajmë përgjegjës edhe nënkryetarët e tij, të cilët janë kryetarë komunash që kanë fituar me mbi 50%, pa balotazh, ndërkaq në zgjedhjet nacionale partia e tyre del e treta. Si ka mundësi? Domethënë, edhe ata janë përgjegjës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco