Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i pyetur nga SYRI rreth akuzave nga homologu i tij shqiptar, Edi Rama, ka zgjedhur të anashkalojë çështjen, duke e zhvendosur fokusin te bashkëpunimi i ngushtë dhe arritjet mes dy shteteve.
Në përgjigjen e tij gjatë konferencës së parë për shtyp pasi KQZ e Kosovës konfirmoi LVV si fituese të zgjedhjeve, Kurti theksoi se bashkëpunimi me Republikën e Shqipërisë vazhdon pavarësisht se cila qeveri është në detyrë. Ai bëri të ditur se me qeverinë e drejtuar nga kryeministri Rama janë nënshkruar 58 marrëveshje të reja, duke shtuar se "niveli i zbatimit të tyre është më i lartë se kurrë më parë".
Lidhur me akuzat specifike të përmendura nga gazetari i SYRI-t, Klajdi Bodlli, kreu i ekzekutivit kosovar deklaroi shkurtimisht: "Unë nuk jam në dijeni të atyre akuzave që thatë ju".
Më tej, ai rikonfirmoi interesin e qeverisë së tij për thellimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve. "Ne jemi të interesuar që afrimi edhe bashkëpunimi me Shqipërinë të rritet gjithnjë e më shumë," pohoi Kurti. Si dëshmi të këtij bashkëpunimi, ai përmendi Abetaren e unifikuar që nga viti 2021, zhvillimin e kurrikulave të dedikuara për mësimin e gjuhës shqipe për bashkatdhetarët në diasporë, si dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare.
Deklarata për shtyp:
Bodlli: Zotëri kryeministër, qytetarët e Kosovës mos ju votonin. A ju do ta vijoni traditën e takimit të parë në Shqipëri pas fitores dhe keni diçka për t'i thënë Edi Ramës në këtë takim?
Kurti: Ne bashkëpunojmë me Republikën e Shqipërisë, me cilëndo qeveri që është aty. I kemi 58 marrëveshje të reja me kryeministrin Rama dhe niveli i zbatimit të tyre është më i lartë se kurrë më parë. Unë nuk jam në dijeni të atyre akuzave që thatë ju, por në të njëjtën kohë ne jemi të interesuar që afrimi edhe bashkëpunimi me Shqipërinë të rritet gjithnjë e më shumë. Tash e kemi edhe abetaren e unifikuar nga viti 2021 këtej. Kemi kurrikulat e dedikuara për mësimin shqip për bashkatdhetarët tanë nëpër botë, dhe e kemi shndërruar Shqipërinë në partnerin kryesor tregtar të Republikës së Kosovës sa i përket vendeve të rajonit. Kur kësaj i shtojmë edhe Alpex-in, Albanian Power...
© SYRI.net