Kurti shpall fitoren historike dhe zbulon planin miliardësh për Kosovën, për koalicionet...

22:41, 28/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një deklaratë pas zgjedhjeve, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shpallur një fitore të thellë, duke e cilësuar atë si "madhështore" dhe "më të madhen në historinë e vendit". Sipas Kurtit, ky rezultat tejkalon edhe fitoren e 14 shkurtit 2021, duke shënuar një moment të ri për Republikën.

Duke theksuar urgjencën për të vazhduar punën, Kurti bëri thirrje për certifikimin sa më të shpejtë të rezultateve, në mënyrë që institucionet e reja të formohen pa vonesa. Ai theksoi se vendin e presin punë të mëdha, duke zbuluar një paketë financiare që kalon vlerën e 1 miliardë eurove.

Në fokus të legjislaturës së re do të jetë Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, me një vlerë prej 880 milionë eurosh, ku dy të tretat janë kredi dhe një e treta grante. Kësaj shume i shtohen edhe 120 milionë euro të tjera nga tre marrëveshje me Bankën Botërore.

Në një lëvizje të rëndësishme politike, Kurti u bëri një ftesë të hapur partive opozitare për bashkëpunim në Kuvend. Ai specifikoi nevojën për konsensus në miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe ligjeve të tjera me interes publik, të cilat kërkojnë një shumicë të gjerë votash.

I pyetur për koalicionet e mundshme dhe formën e kabinetit të ri qeveritar, Kurti deklaroi se çdo hap konkret do të ndërmerret vetëm pas certifikimit zyrtar të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Megjithatë, ai përsëriti gatishmërinë për të bashkëpunuar menjëherë me opozitën për çështjet që kanë mbetur pezull.

Albin Kurti: Po ashtu një falënderim për mijëra vullnetarë, simpatizantë e aktivistë që organizuan fushatën dhe ishin krahu ynë i fortë në këtë fitore madhështore. Me 9 qershor sivjet fitoi Lëvizja Vetëvendosje me partnerët. Me 28 dhjetor 2025 fitoi populli i Kosovës dhe Republika. Urime fitorja më e madhe në historinë e vendit. Tash na presin shumë punë përpara. Rezultati i sotëm na e ka bërë të qartë që duhet të ecim përpara pa vonesa. Sa më parë që të certifikohen rezultatet, aq më shpejt do të na duhet të krijojmë institucionet e të vazhdojmë me punën e mirë dhe projektet e nevojshme. Në kuvendin e legjislaturës së 10, po na pret plani i rritjes së Bashkimit Evropian në vlerë prej 880 milionë euro, prej të cilave përafërsisht 2/3 janë kredi, ndërkaq 1/3 grante. Dhe tre marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë prej 120 milionë euro. Pra mbi 1 miliardë euro gjithsej. Ftoj nga tash partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare, për ligjet e mira që do t'i procedojmë dhe për interesin publik të qytetarëve të Republikës. Edhe një herë, urime të gjithë qytetarëve, mërgatës dhe secilit pa dallim, fitoren historike që është në rrugë të mbarë të tejkalojë edhe 14 shkurtin e vitit 2021. Sot ishte një ditë e gjatë, përveçse e bukur dhe e rëndësishme. Ju faleminderit.

Pyetje: Atëherë me rezultatet e deritanishme, prej me cilën prej partive mendoni se mund të bashkëpunoni në të ardhmen dhe në qoftë se vazhdoni tashmë edhe me qeverinë Kurti 3, a keni në plan ta ndërroni kabinetin që e keni prezantuar pak më parë apo do të vazhdoni me pjesën nga kabineti që keni prezantuar?

Albin Kurti: Së pari duhet të presim certifikimin e rezultateve nga Komisioni Qendror Zgjedhor dhe më pastaj menjëherë duhet ta konstituojmë Kuvendin e legjislaturës së 10 dhe ta formojmë qeverinë e re. Unë jam i interesuar që të bashkëpunoj me opozitën menjëherë për ato që na kanë ngelur pa u miratuar, pra...

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco