Në një ditë vendimtare për të ardhmen politike, qytetarët e Kosovës u janë drejtuar kutive të votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, me sytë e të gjithëve të drejtuar nga qyteti i ndarë i Mitrovicës. Procesi zgjedhor po zhvillohet në një atmosferë përgjithësisht të qetë, por me dinamika të ndryshme mes veriut të banuar me shumicë serbe dhe jugut shqiptar.
Gazetari Klajdi Bodlli raporton për Syri TV nga Mitrovica, ku thekson se procesi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare është zhvilluar në një atmosferë përgjithësisht të qetë, pa incidente serioze që do ta vinin në diskutim mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Sipas tij, si në Mitrovicën e Veriut ashtu edhe në Mitrovicën e Jugut nuk janë shënuar problematika të theksuara gjatë ditës së votimit. Përjashtim bëjnë vetëm raportimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për raste të dyshuara të votimit të organizuar në grup në Mitrovicën e Veriut. Përveç këtyre rasteve, procesi ka vijuar normalisht, me pjesëmarrje të qëndrueshme të qytetarëve dhe respektim të rregullave zgjedhore.
Pjesë nga deklarata:
Jemi pikërisht në Urën e Ibrit, aty ku ndahet Mitrovica Veriore me atë Jugore, dhe këtu, ashtu si në të gjithë Republikën e Kosovës, janë zhvilluar zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Nuk është se ka pasur, le të themi, incidente domethënëse apo problematika shumë të mëdha, përveç raportimeve se në pjesën e Mitrovicës së Veriut ka pasur votime në grup, të organizuara nga Lista Serbe, të paktën sipas asaj që raporton Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës.
Në Mitrovicën e Veriut kanë votuar rreth 5 534 votues nga 17 531, apo rreth 31.57%. Ndoshta një shifër e konsiderueshme, megjithatë, duke qenë se kanë mbetur gati edhe rreth tre orë për t’u mbyllur procesi i votimit, do të presim përditësimin e shifrave të tjera për Mitrovicën e Veriut.
Ndërkohë, në Mitrovicën e Jugut kanë votuar, të paktën deri në orën 15:00, kur janë edhe përditësimet e fundit të KQZ-së së Kosovës, 23 118 votues nga 81 478, apo rreth 28.37%. Edhe këtu, le të themi, ka një numër të madh votuesish dhe do të presim sërish orën 19:00, pasi numri mund të rritet.
Ka pasur thirrje nga të gjitha palët politike, nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nga kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, por edhe nga kryetari i PDK-së Bedri Hamza, për pjesëmarrje në votime dhe për të shprehur vullnetin e tyre të gjithë qytetarët e Kosovës.
Ajo që mbetet për t’u parë është rezultati që do të japin jo vetëm Mitrovica e Veriut dhe Mitrovica e Jugut, por e gjithë Kosova, nëse do të mund të kemi tashmë një qeveri që do të arrijë të krijojë një mazhorancë të vetme. Ndërkohë, ndoshta do të shihet edhe për pjesën e Mitrovicës së Jugut se çfarë efekti elektoral do të ketë fitorja e Faton Pecit para disa javësh në zgjedhjet lokale, nëse do të përkthehet në një votë pro Lëvizjes Vetëvendosje apo nëse do të kemi thuajse një barazim mes Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Ndoshta këtu mund të shohim më qartë se sa ka ndikuar, le të themi, fitorja e komunës së Mitrovicës së Jugut nga Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni i saj në zgjedhjet lokale. Megjithatë, deri në këto momente, kur ora shënon 16:00, duhet theksuar se si në Mitrovicën e Veriut ashtu edhe në atë të Jugut nuk ka pasur incidente apo problematika të theksuara që do ta vinin në diskutim procesin zgjedhor.
Në orën 19:00 edhe këtu pritet të mbyllet i gjithë procesi i votimit. Vetëm nëse do të ketë një pjesëmarrje shumë të lartë, atëherë komisionet e qendrave të votimit mund të vendosin për një shtyrje prej disa minutash dhe më pas do të nisë numërimi i votave. Parashikohet që rreth orës 20:00 ose 21:00 të fillojë numërimi i votave.
Duke qenë se në Kosovë numërimi i votave bëhet pikërisht në qendrat e votimit dhe më pas rezultati dërgohet në mënyrë online në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ky i fundit do të bëjë edhe përditësimin e rezultateve. Ndoshta në orët e para të së shtunës mund të kemi rezultatet e para apo projeksionet lidhur me fituesin dhe mënyrën se si do të ndahet numri i deputetëve në Kuvendin e Kosovës me 120 vende, si dhe nëse do të ketë një mazhorancë të qëndrueshme.
Kjo ka qenë edhe thirrja e kryeministrit Kurti mëngjesin e sotëm, teksa votoi në Fakultetin Juridik të Prishtinës. Kur e pyetëm lidhur me mundësinë që Lëvizja Vetëvendosje, nëse nuk do të arrinte e vetme numrat për një qeverisje, të kërkonte sërish negociata për koalicion, sipas zotit Kurti, populli duhet të shprehet dhe të japë një rezultat të qëndrueshëm dhe të qartë, për të mos lënë hapësira për koalicione. Sipas tij, të gjitha tentativat për të bërë koalicione dhe për të arritur marrëveshje me partitë e tjera të opozitës për një qeverisje të qëndrueshme kanë dështuar, çka solli edhe shkuarjen e vendit në zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare më 28 dhjetor.
Përtej pjesëmarrjes së lartë, sipas këtyre shifrave, Aneta, ajo që mbetet për t’u parë, përveç votës së emigrantëve, të cilët sipas të dhënave të KQZ-së së Kosovës janë rreth 77 000 të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit, është edhe ndikimi i emigrantëve që kanë mbërritur në Kosovë për festat e fundvitit, por edhe për të votuar. Bëhet fjalë për një numër shumë të lartë, të paktën sipas raportimeve, dhe vota e tyre mund të jetë vendimtare për qeverisjen e re të Kosovës.
Mbetet për t’u parë nëse Kosova do të ketë mundësi të krijojë një qeverisje të qëndrueshme apo do të hyjë sërish në një krizë politike, e cila e ka shoqëruar vendin gjatë gjithë vitit. Besoj se do të presim edhe pak orë për t’i kuptuar dhe për t’i konfirmuar shifrat. Gjithashtu, pas orës 19:00 pritet të publikohen edhe exit poll-et e para, ku do të shihen projeksionet dhe favoritët e kësaj gare në prag të Vitit të Ri në Republikën e Kosovës.
Patjetër që ka një sensibilizim dhe ndërgjegjësim të madh të qytetarëve të Kosovës për të votuar dhe për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese. Megjithatë, në krahasim me Shqipërinë, situata këtu është më e qetë. Nuk ka konflikte të vazhdueshme si ato që jemi mësuar të raportojmë në Shqipëri. Është një mënyrë tjetër votimi dhe procesi i numërimit të votave, me rezultate që dalin brenda pak orësh, është disi atipik krahasuar me atë që jemi mësuar në Shqipëri.
Thuajse në të gjitha qendrat e votimit nuk ka njerëz jashtë tyre, përveç gazetarëve, vëzhguesve apo atyre që realizojnë intervista për exit poll-et. Nuk ka persona të paautorizuar, siç kemi parë në zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri, ku jashtë qendrave të votimit kishte individë që në njëfarë mënyre mund të intimidonin qytetarët ose të kërkonin votën e tyre, si përfaqësues të partive të ndryshme politike që identifikonin votuesit.
Nga sa kam parë në Prishtinë dhe këtu në Mitrovicë, nuk ka persona të paautorizuar jashtë qendrave të votimit. Po ashtu, edhe në komisionet e qendrave të votimit nuk ka pasur incidente apo përplasje mes komisionerëve, siç ndodh shpesh në Shqipëri.
Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje është mënyra se si qytetarët e Kosovës presin qetësisht në radhë për të votuar. Kjo ka ndodhur jo vetëm me qytetarët e thjeshtë, por edhe me kryeministrin Kurti, me kryetarin e Komunës së Prishtinës Përparim Rama, me Glauk Konjufcën dhe me të gjithë zyrtarët e tjerë publikë apo politikë, të cilët kanë respektuar radhën dhe kanë pritur së bashku me qytetarët. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Është një situatë ndryshe nga Shqipëria, një mënyrë tjetër votimi dhe një qetësi që, të paktën nga raportimet tona, nuk e hasim shpesh. Ndoshta në disa zgjedhje të veçanta, por zakonisht ka gjithmonë incidente.
© SYRI.net