Albin Kurti, kreu i Lëvizjes VetëVendosje dhe njëkohësisht kryeministër në detyrë i Kosoës, ka ushtruar të drejtën e tij të votës në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, nga ku u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve për pjesëmarrje masive në zgjedhje. Ai theksoi se një dalje e lartë në votime reflektohet jo vetëm në cilësinë e zgjedhjes, por edhe në legjitimitetin e institucioneve që do të dalin pas këtij procesi.
Duke e cilësuar ditën e zgjedhjeve si "të bukur dhe të rëndësishme", Kurti ftoi qytetarët ta shfrytëzojnë mundësinë për të përcaktuar përbërjen e Kuvendit të ardhshëm. Ai shprehu dëshirën që institucionet e reja, Kuvendi dhe Qeveria, të konstituohen sa më shpejt të jetë e mundur pas certifikimit të rezultateve.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me mundësinë e një koalicioni paszgjedhor nëse rezultatet janë të ngjashme me ato të zgjedhjeve të kaluara, Kurti dha një përgjigje të prerë. Ai kujtoi se Lëvizja Vetëvendosje kishte ofruar mundësinë për koalicion në muajt prill dhe maj, por kjo ofertë ishte refuzuar, gjë që çoi vendin në zgjedhje të parakohshme. "Do të duhej që të kemi rezultat të qartë kësaj radhe, meqenëse shansi për koalicion iku pa fajin tonë," deklaroi Kurti, duke lënë të kuptohet se pret një fitore bindëse që do t'i mundësonte formimin e qeverisë pa nevojën e koalicioneve me partitë e tjera.
Kreu i Vetëvendosjes iu drejtua mediave në tre gjuhë, shqip, anglisht dhe serbisht, duke përcjellë një mesazh uniteti dhe duke ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie apo përkatësie tjetër, të dalin në votime. Ai e përshkroi fushatën zgjedhore si përgjithësisht "të qetë dhe përmbajtjesore" dhe falënderoi qytetarët për durimin dhe vëmendjen e treguar.
Sot është një ditë edhe e bukur, edhe e rëndësishme, i ftoj të gjithë qytetarët që ta ushtrojnë të drejtën, ta përdorin mundësinë për t'u përcaktuar për përbërjen e kuvendit të ardhshëm, i cili do të duhej që të konstituohet sa më shpejtë Kuvendin e ardhshëm dhe njëkohësisht ta formojë qeverinë e re.
I falenderoj të gjithë qytetarët për, në qytete e në fshatra, pastaj për durimin dhe vëmendjen që e kanë treguar, dhe gjithashtu uroj që pjesëmarrja të jetë masive, sepse pjesëmarrja masive reflektohet edhe në cilësinë e zgjedhjes, por edhe në legjitimitetin e institucioneve. Gëzuar të gjithëve.
Unë kam ofruar koalicion në prillin dhe majin e këtij viti dhe ne jemi sot në zgjedhje të parakohshme pikërisht pse u refuzua koalicioni. Andaj, do të duhej që të kemi rezultat të qartë kësaj radhe, meqenëse shansi për koalicion iku pa fajin tonë.
© SYRI.net