'VV mund të qeverisë me PDK-në'/ Saiti: Data e zgjedhjeve u zgjodh për të sjellë emigrantët në Kosovë, Kurti ka mbështetjen e diasporës

11:25, 27/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një fluks masiv i emigrantëve kosovarë, që sipas të dhënave i kalon 500,000 persona, është kthyer në atdhe për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme, një fenomen që pritet të ketë një ndikim vendimtar në rezultatin final.

Gazetari Gazment Saiti, i ftuar në edicionin e lajmeve në Syri TV, u shpreh se ky mobilizim i diasporës favorizon në mënyrë të theksuar Lëvizjen Vetëvendosje, pasi vlerësohet se rreth 75% e këtyre votuesve mbështesin Albin Kurtin, duke e vendosur atë në një pozicion të favorshëm për një fitore të thellë.

Sipas Saitit, caktimi i datës së zgjedhjeve pranë festave të fundvitit nuk ishte i rastësishëm, por një lëvizje strategjike për të maksimalizuar pjesëmarrjen e diasporës. Kjo taktikë duket se ka funksionuar, duke sjellë në Kosovë një numër të jashtëzakonshëm votuesish, të cilët mund të jenë përcaktues për formimin e qeverisë së re.

Në një kontekst më të gjerë ndërkombëtar, Saiti shprehet se këto zgjedhje zhvillohen nën një qëndrim të qartë dhe të prerë të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili ka rikonfirmuar mbështetjen për integritetin territorial të Kosovës. Ky pozicion i SHBA-së sipas Saitit ka bllokuar në mënyrë efektive çdo diskutim apo tentativë për shkëmbim territoresh apo ndarje, duke i dhënë një garanci stabiliteti vendit në këtë moment të rëndësishëm politik.

Gazetari shprehet se në kampin tjetër politik, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) shfaqet si një forcë në rimëkëmbje, duke tërhequr një pjesë të elektoratit të zhgënjyer nga qeverisja e mëparshme e Lëvizjes Vetëvendosje. Nën drejtimin e ri, LDK po përpiqet të rikonsolidojë bazën e saj tradicionale, të lidhur historikisht me figurën e Ibrahim Rugovës.

Nga ana tjetër, sipas Saitit Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me kryetarin e ri Bedri Hamza, ka zhvilluar një fushatë të karakterizuar nga një retorikë e ashpër, veçanërisht ndaj figurave gra në politikë, gjë që mund të ketë një ndikim negativ.

Pavarësisht kësaj, gazetari shprehet se figura e Hamzës shihet si më e moderuar dhe qytetare, çka lë të hapur mundësinë për një koalicion të mundshëm me Vetëvendosjen, nëse kjo e fundit nuk arrin të sigurojë shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme.

Saiti:

Një nga fjalitë e nxjerra nga Departamenti Amerikan i Shtetit është edhe pikërisht pjesa që Kosova do të jetë pjesë e saj e tëra dhe pa asnjë lloj ndikimi për ndarje ose tentativa të ndarjes që insistuan pak më herët të ndodhin në Kosovë. Dhe pikërisht kjo, kjo tentativë e ndarjes së Kosovës që u bë nga politika e kaluar, gjithashtu edhe nga ndikimet nga jashtë Kosovës, duke përfshirë edhe Shqipërinë, ndoshta kryeministrin shqiptar, i cili kishte një tentativë, pra, me Ballkanin e hapur që të ndikonte në Kosovë dhe natyrisht, domethënë, të bëheshin edhe shkëmbime territori.

Këtë gjë, Departamenti Amerikan i Shtetit e pezulloi ose e bllokoi totalisht. Pra, nuk mund të ketë asnjë lloj shkëmbimi territori dhe Kosova do të jetë një territor i tërë, pa asnjë lloj ndryshimi të kufirit.

Po, sepse kjo mbështetje e Shteteve të Bashkuara të Amerikës jep një hov shumë të madh çdo partie politike që do të fitojë zgjedhjet.

Shiko, unë do ta nis nga pjesa e sotme, sepse sot votohet nga konsullatat, janë diku te 29 konsullata në 18 shtete të ndryshme, që sot votojnë për qeverinë e re të Kosovës. Votues, jo, nuk ka shumë sepse pjesa, domethënë, përqindja më e madhe e tyre kanë arritur në Kosovë në raport..

Kanë ardhur fizikisht, sepse në raportin e fundit, pra në para dy ditëve, numri i shtetasve të Kosovës që janë futur nga emigrantët, domethënë që kanë hyrë në Kosovë, është mbi 500.000. .

Natyrisht, domethënë që këta janë, janë duke ardhur vazhdimisht dhe 500.000 persona që vijnë, ka me thënë gjysma e Kosovës që ka qenë në emigrim, është rikthyer, ndoshta për të, më shumë pjesa e festimeve natyrisht, edhe pjesa e votimit. Kjo ka qenë pjesa që ka luajtur më shumë Albin Kurti, pikërisht për ta çuar me datën 28 dhjetor. Dhe në prag të vitit të ri, sepse kjo taktikë e kryeministrit në detyrë, bëri që këta emigrantë të kthehen në Kosovë dhe dihet tashmë që emigrantët e Kosovës në 75% janë votues të Albin Kurtit.

Dhe e kemi parë edhe në zgjedhjet e kaluara, sepse e pamë edhe në 9 shkurt, pra, që pjesa më e madhe e tyre, pra diku te 75-73%, nëpër konsullata votonin pikërisht për Vetëvendosjen. Dhe natyrisht kjo pjesë, po ta heqim gjysmën e këtyre, pra gjysma që kanë të drejtë vote janë rreth 250.000 veta.

250.000 veta në qoftë se do të votojnë, unë mendoj që në këto zgjedhje, Albin Kurti mund ta kalojë cakun dhe mund të qeverisë i vetëm.

Për këtë rast nuk ka diskutim. Po të shikojmë domethënë edhe fushatat që janë duke u zhvilluar në Kosovë.

Po shikoja një, një postim të kryetarit të AAK-së që sot ishte një lajm që kishte shkuar në palestër. Ramush Haradinaj kishte shkuar në palestër dhe thoshte kërkonte votat e qytetarëve duke ngritur pesha nga palestra.

Po, shiko, nuk është e njëjta gjë me Vetëvendosjen, sepse unë pashë të gjitha njoftimet dje ka qenë në zonën time Albin Kurti dhe kur shikoja postimet e njerëzve tanë atje... kjo pjesa e Albin Kurtit ka pasur një një hov shumë të madh edhe, edhe nga emigrantët që kanë ardhur nga jashtë dhe ndikimi i tyre ka edhe brenda në Kosovë. Sepse në qoftë se do të ketë ardhur një familjar i imi nga jashtë, ai ka kërkuar me ngulm që unë ta vendos, domethënë votën, po e zëmë, po e ta marr si shembull, që unë ta vendos votën për... ndikimi ka pasur jashtëzakonshëm.

Ajo që mund të them më shumë është përfituese në këto zgjedhje për të marrë elektorat është Lidhja Demokratike e Kosovës, për faktin se ka vijuar me atë pjesën e saj, duke shkuar në një ritëm standart edhe nga zgjedhjet e kaluara, por duke pasur parasysh që në këto zgjedhje dhe vakumi qeveritar që i bëri Albin Kurti, kishte disa qytetarë të cilët më herët ishin shkëputur nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kishin shkuar në Vetëvendosje.

Kjo pjesë, duke u zhgënjyer nga kjo mungesë ose nga kjo kryeneçësi e Albin Kurtit, u rikthyen një pjesë e tyre prapë me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Sepse ka disa qytetarë që janë në mosha të mëdhaja kryesisht, që Lidhjen Demokratike të Kosovës e kanë pasur në standart dhe atje e kanë të pandryshuar mendimin e tyre që Lidhja Demokratike është e Ibrahim Rugovës dhe gjithçka do të shkojë domethënë sipas mendimit të tyre. Kishte nga ata që kishin ndryshuar mendim, por mendimi u rikthye prapë duke pasur parasysh siç ju thashë atë vakumin që ndodhi.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike me zgjedhjen e re që bëri, me gjithë respektin për të gjithë drejtuesit politikë të Partisë Demokratike, mund të themi që edhe Bedri Hamza është më shumë një marionetë.

Bedri Hamza është shumë qytetar. Qasja e tij politike absolutisht është shumë qytetare. Por problemi është gjithë pjesa e bazës. Baza është ndryshe. Po të shikojmë deklaratat në dy ditët e fundit, unë pashë një deklaratë të një përfaqësuesi politik të Partisë Demokratike që në fushatë ose në takimin elektorale kishte një fyerje ndrejt partisë, partive të tjera ose partisë që është aktualisht domethënë Vetëvendosje, kishte një fyerje domethënë që nuk mund ta bënte as edhe një fëmijë i klasës së...

Shumë e ashpër, sidomos e ashpër nga Partia Demokratike, e cila ka artikuluar gjatë gjithë kohës, ka artikuluar fyerje të jashtëzakonshme sidomos në drejtim të grave. Dhe kjo gjë ka ndikuar besoj negativisht. Natyrisht, ju thashë që Bedri Hamza si kryetar i Partisë Demokratike është shumë i qytetëruar, madje mund të ndodhë që në qoftë se Albin Kurti nuk arrin që të kalojë pragun, një koalicion i mundshëm mund të jetë pikërisht me PDK-në e Bedri Hamzës.

Po ta quajmë me PDK-në e Bedri Hamzës, sepse Bedri Hamza me gjithë atë strukturën e vet të ndërtuar rishtazi si kryetar i Partisë Demokratike, mund të ketë një një filling, një ndjesi pak më ndryshe në qasjen e politikës, për faktin se Kosovës i duhet një qeveri e rregullt që të bëjë përpara, sepse deri tani një vit i tërë stanjacion është një humbje shumë e madhe për Kosovën.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco