Projektligji amerikan ‘Western Balkans Democracy and Prosperity Act’ parashikon krijimin e një nismë të gjerë kundër korrupsionit për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, e cila do të zbatohet nga Departamenti i Shtetit përmes programeve ekzistuese dhe atyre të reja.
Nisma synon ndërhyrje direkte në strukturat shtetërore, duke e konsideruar korrupsionin politik si pengesën kryesore për demokracinë, zhvillimin ekonomik dhe besimin e qytetarëve.
SHBA parashikon asistencë teknike direkte për Shqipërinë, me kusht që qeveria shqiptare të rishikojë strategjinë kombëtare kundër korrupsionit, të pranojë bashkëpunim të drejtpërdrejtë me programet amerikane.
Kjo do të thotë se angazhimi i qeverisë shqiptare do të jetë i matshëm dhe jo thjeshtë me deklarata nga qeveria.
Ligji thekson qartë se korrupsioni politik duhet luftuar sidomos në gjyqësor, institucionet që administrojnë zgjedhjet dhe prokurimet publike.
Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë?
Kjo do të thotë se, SHBA do të vendosë vëzhgim dhe trajnim amerikan për strukturat e drejtësisë, si dhe një fokus të veçantë mbi administrimin e zgjedhjeve, një nga pikat më të kontestuara të sistemit politik shqiptar.
SHBA do të zgjerojë asistencën teknike për vendet e rajonit, me kusht që qeveritë vendase të angazhohen në hartimin dhe zbatimin e strategjive të reja kombëtare antikorrupsion, të përshtatura sipas realitetit të secilit vend.
Ligji parashikon: trajnime për prokurorinë, gjyqësorin dhe policinë, forcimin e kapaciteteve të institucioneve publike dhe rritjen e efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies në administratë.
Vëmendje e veçantë i kushtohet institucioneve që administrojnë zgjedhjet dhe strukturave të prokurimeve publike, të cilat identifikohen si zona me risk të lartë korrupsioni.
Nisma synon të forcojë strategjitë ekzistuese për të luftuar: korrupsionin në nivelet e larta politike, ndërhyrjen politike në drejtësi dhe manipulimin e institucioneve të pavarura.
Ligji thekson se korrupsioni në gjyqësor dhe në proceset zgjedhore minon drejtpërdrejt demokracinë dhe pengon investimet e huaja.

SHBA kërkon forcimin e mbikëqyrjes ligjore mbi: lirinë e informacionit, prokurimet publike dhe përdorimin e sistemeve digjitale shtetërore.
Në këtë kuadër, parashikohet edhe rritja e sigurisë kibernetike dhe mbrojtja e rrjeteve kibernetike të TIK, për të parandaluar manipulime, ndërhyrje të jashtme dhe abuzime me të dhënat publike.
Vendet e Ballkanit Perëndimor do të përfshihen në European Democratic Resilience Initiative të SHBA-së, ose programe pasardhëse, duke u bërë përfituese të fondeve të posaçme antikorrupsion dhe mbështetjes teknike afatgjatë.
© SYRI.net