Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, për intimidim të një vartëseje të saj, e cila ka bashkëpunuar me drejtësinë dhe ka dhënë detaje lidhur me procedurën e tenderit të tunelit të Llogarasë.
Në deklaratën e tij për mediat, Bardhi tha se vartësja ka dhënë informacione të detajuara mbi mënyrën se si është zhvilluar procedura e tenderit dhe se pas këtij bashkëpunimi është vënë nën presion nga ministrja e Infrastrukturës.
Sipas Bardhit, shtyrja e mbledhjes së Këshillit të Mandateve nga mazhoranca nuk është e rastësishme. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, se po përpiqen t’i japin kohë Ballukut për të ndikuar në hetime, duke prishur prova dhe duke ushtruar presion mbi dëshmitarët.
Bardhi:
Media ka publikuar dëshminë e vartëses së Ballukut që ka bashkëpunuar me SPAK për të treguar se si është zhvilluar procedura e tenderit të tunelit të Llogarasë. Është kjo vartëse që është intimiduar nga Balluku. Duke i dhënë kohë Ballukut, po tentojnë të prishin provat, të intimidojnë dëshmitarët dhe të pengojnë drejtësinë.
Se pari Peleshi na thotë; Balluku na ka kërkuar 3 javë kohë. Imagjinoni në një moment një person për të cilin kërkohet arresti të thotë; bëjeni shpejt se dua të iki në burg! Çdo person kërkon të zvarrisë procesin.
Në rastin kur Gjykatës Kushtetuese i është kërkuar që të japë një qëndrim mbi një çështje, nuk mund të mblidhet këshilli. Sot që flasim, prokuroria ka dokumentuar se ka vjedhur 1.1 mld euro. Është rënduar situata. Çështja që është duke u shqyrtuar në Gjykatën Kushtetuese është e ndryshme me atë të SPAK. Niko Peleshi mund të marrë peng Kuvendin, por s’ka për të ndodhur. E ka kthyer Kuvendin në bunker. Hap ligjor që të shpërthejmë derën dhe të marrim peng Niko Peleshin, këtë se bëjmë dot.
Por kërkojmë që të bëhet hetim i plotë për këtë çështje. I kanë dhënë urdhër Gardës që të mos vinë në zyrën e kreut të grupit parlamentar të PD-së. Kështu është kur në krye të Gardës është vënë një trafikant armësh.
Mos u çudisni nëse në ndonjë nga zyrat e Kuvendit që mund të jetë mbyllur, mund të jetë strehuar Ergys Agasi.
Është fakt konkret që një nga gjyqtaret Marjana Semini ka ndryshuar votën, pasi është votuar njëherë. Pra rezultati ndaj kerkësës së kryeministrit ka qënë 4 me 4 dhe vota është ndryshuar pasi u votua njëherë. Kjo tregon se gjykata Kushtetuese u mor peng. Belinda Balluku mund të hajë Vitin e Ri në shtëpi, por ju siguroj se do të përfundojë në burg. Ti vjedhësh shqiptarëve 1.1 mln euro nuk shpëton dot. Ne do të kërkojmë mbledhjen e Këshillit të Mandateve javës që vjen.
Është detyrim. Nuk kemi marrë mandat për të mbrojtur korrupsionin e Ballukut, Ramës dhe Agasit. Ndjej keqardhje që kryetari i Kuvendit, me urdhra politik të Ramës, thotë se do të mbledhë komisionin.
© SYRI.net