Marrëveshja e shumëpritur e pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë, ndonëse zyrtarisht në fuqi, po rezulton një kalvar i gjatë për mijëra qytetarë shqiptarë. Vonesa të theksuara në shqyrtimin e kërkesave dhe një ngërç burokratik lidhur me rezidencën po lënë në pritje të pafund emigrantët që kërkojnë të përfitojnë vitet e punës. Shifrat janë alarmante: nga një zyrë patronati që ka depozituar rreth 300 dosje, vetëm dy kanë marrë përgjigje pozitive deri më tani.
E ftuar ditën e sotme në 'Kafe Shqeto', Beskida Aliaj, Drejtuese patronato Inas Cisl Albania (qendër për emigrantët dhe pensionistët) tha se afati ligjor për kthimin e një përgjigjeje nga institucionet italiane është 90 ditë pune, por realiteti flet për një pritje që për shumë aplikantë ka kaluar gjashtë muaj.
Sipas Aliajt, këto ritme tejet të ngadalta nuk janë ekskluzive për marrëveshjen me Shqipërinë. Vonesa që zgjasin nga një deri në dy vjet raportohen edhe në marrëdhëniet e Italisë me shtete të tjera anëtare të Bashkimit Evropian.
Problemi më i madh që po çon në refuzimin e dosjeve është një çështje burokratike që lidhet me rezidencën. Shumë shqiptarë , tha ajo që janë larguar nga Italia pa e çregjistruar zyrtarisht adresën e tyre nga komuna përkatëse, po përballen me refuzim.
Shteti italian i konsideron këta individë si "të pagjetshëm" (per irreperibilità) dhe ua mohon pensionin me arsyetimin se janë pa rezidencë. Ky refuzim vjen edhe pse aplikantët paraqesin dokumente zyrtare, si certifikata banimi nga Shqipëria, që vërtetojnë vendbanimin e tyre aktual.
Ky ngërç konsiderohet një shkelje e të drejtave të njeriut, pasi mohon një të drejtë të fituar me punë për një arsye administrative. Për këtë arsye, ngrihet nevoja urgjente për një ndërhyrje të shtetit shqiptar.
Kërkohet që institucionet shqiptare të kundërshtojnë këtë praktikë pranë palës italiane, për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve të saj dhe për të siguruar zbatimin e drejtë të marrëveshjes së pensioneve.
Deklarata e plotë:
"Duhet të njihen vitet e punës midis dy shteteve, në mënyrë që pensionistët shqiptarë të përfitojnë pension italian. Marrëveshja është në fuqi dhe janë bërë me mijëra kërkesa nga qytetarë shqiptarë, si nga ata që jetojnë në Shqipëri, ashtu edhe nga ata që ndodhen në Itali.
Qytetarët që ndodhen në Shqipëri janë drejtuar pranë institucionit tonë për të depozituar kërkesat, ndërsa ata në Itali janë drejtuar pranë patronateve të ndryshme ose drejtpërdrejt në INPS.
Deri në këtë moment, përgjigjet janë shumë të pakta. Nga rreth 300 kërkesa të dorëzuara vetëm nga zyra jonë, janë dhënë vetëm dy përgjigje pozitive, pra janë nxjerrë vetëm dy pensione. Ka edhe përgjigje të tjera pozitive jashtë institucionit tonë, por numri mbetet shumë i ulët.
Ritmet e shqyrtimit janë shumë të ngadalta, kryesisht nga ana e INPS-it. Ligjërisht, përgjigjet duhet të kthehen brenda 90 ditëve pune, por kanë kaluar rreth gjashtë muaj që nga depozitimi i kërkesave të para, pa dalë ende të gjitha përgjigjet. Nga përvoja e kolegëve në vende të tjera, këto procedura mund të zgjasin deri në një vit, madje edhe më shumë, pasi përfshihen dy shtete që duhet të harmonizojnë të dhënat.
Qytetarët duhet të qetësohen, pasi përgjigjet do të vijnë. Edhe nëse ka vonesa, pensionet do të përllogariten dhe do të paguhen që nga data e depozitimit të kërkesës. Nuk ka muaj të humbur.
Ka edhe përgjigje negative. Një rast konkret lidhet me një qytetar 65-vjeçar që kishte plotësuar vitet e nevojshme të punës në Shqipëri dhe Itali për pension të parakohshëm, por Italia ia refuzoi kërkesën me arsyetimin se ai kishte hequr rezidencën nga Italia pa njoftuar autoritetet, duke u shënuar në sistem si “irreperibile” (me vendndodhje të panjohur).
Kjo situatë prek shumë qytetarë që janë larguar nga Italia pa njoftuar komunën për ndryshimin e vendbanimit. Edhe pse ata kanë deklaruar rezidencën në Shqipëri dhe kanë paraqitur dokumentacionin përkatës, autoritetet italiane nuk po e rregullojnë statusin e rezidencës.
Në këto raste, kërkohet ndërhyrja e shtetit shqiptar për të kundërshtuar palën italiane, pasi mohimi i pensionit për shkak të mungesës së njoftimit të largimit përbën shkelje të të drejtave të qytetarëve.
© SYRI.net