Lajmi i fundit

LIVE/ Kryetari i PD, Sali Berisha bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale

'Skenari i mazhorancës'/ Nuri: Me urdhër të Ramës, Kuvendi po bllokon drejtësinë

20:35, 24/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një lëvizje e paprecedentë politike po vihet re në përpjekjet për të zvarritur kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për dhënien e autorizimit për arrestimin e një zyrtareje të lartë. Këshilli për Mandatet dhe Imunitetet, i drejtuar nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, mbylli mbledhjen pa një vendim dhe pa caktuar një datë të re, një veprim që cilësohet si i pari i këtij lloji në historinë parlamentare sa i përket shqyrtimit të kërkesave nga prokuroria.

Këshilltari ligjor i Partisë Demokratike, Franc Nuri, deklaroi në intervistën e mbrëmjes në Syri TV se ky bllokim i procesit vjen si pasojë e një urdhri politik nga kreu i qeverisë, Edi Rama. Kjo lëvizje shihet si një ndërhyrje e hapur e mazhorancës në pushtetin legjislativ, duke i vënë pengesa drejtësisë. Paradoksalisht, kjo ndodh në një kohë kur vetë kryeministri është ankuar në Gjykatën Kushtetuese për ndërhyrje të supozuar të organeve të drejtësisë në pushtetin ekzekutiv.

Strategjia e zvarritjes bëhet edhe më e dukshme kur krahasohet me raste të mëparshme. Në rastin e liderit të opozitës, Sali Berisha, Nuri tha se avokatëve iu dhanë vetëm dy orë kohë për t'u njohur me një dosje voluminoze. Ndërkohë, në rastin aktual, ndërsa avokatët mbrojtës kërkuan tre javë kohë, deputetët e mazhorancës në komision u treguan edhe më bujarë, duke sugjeruar një afat prej katër javësh. Kjo në kohën kur vetë prokurorët e SPAK, të pranishëm në mbledhje, kërkuan vetëm pesë ditë, një afat që e konsideruan të mjaftueshëm për njohjen me dosjen.

Taktika e mazhorancës duket se bazohet në përdorimin e kalendarit parlamentar. Me afrimin e festave të fundvitit dhe miratimin e buxhetit, Kuvendi pritet të mbyllë punimet dhe të mos rinisë sesionet parlamentare deri në javën e tretë të janarit. Kjo periudhë pushimi do të përdoret për të blerë kohë, duke e shtyrë vendimmarrjen përtej vitit të ri.

Deklarata e plotë:

"Mandateve dhe imuniteteve, i cili çuditërisht dhe paradoksalisht si asnjëherë më përpara, e mbylli mbledhjen përpara pak ditësh pa një vendimmarrje. Mbledhje e drejtuar nga kryetari i kuvendit zoti Niko Peleshi. Nuk ka ndodhur kurrë më parë që kur bëhet fjalë për të diskutuar, shqyrtuar një kërkesë të ardhur nga prokuroria, cilado qoftë ajo, prokurori e zakonshme apo nga SPAK-u, nuk ka ndodhur kurrë që mos të merret një vendim, por mbledhja të shtyhet dhe pa një afat të caktuar.

Pra, është mbyllur mbledhja pa caktuar kur do të vazhdojë dhe kur do të vijojë, dhe pa dhënë asnjë lloj orientimi, pa asnjë lloj vendimmarrje. Dhe nuk ka asnjë lloj shkaku të përligjur, as të kushtetutës, as kuvendit që të ta legjitimojë një situatë të tillë ku procesi bllokohet me urdhër politik, siç u tha të vetë kreut të mazhorancës dhe të qeverisë, Edi Ramës, i cili kthej ankohet në Gjykatën Kushtetuese se përse thotë që organet e drejtësisë paskan ndërhyrë në pushtetin ekzekutiv, pra për shkelje të apo ndërhyrje të pushtetit gjyqësor në pushtetin ekzekutiv dhe nga ana tjetër, me thjesht komandë apo me drejtim politik dhe orientim politik, vetë kryeministri dhe vetë mazhoranca ndërhyn në pushtetin legjislativ, le të themi, duke vënë pengesa drejtësisë në këtë rast, të vijojë me masën e arrestit sikundër e ka kërkuar për zonjën Balluku.

Tani, të gjithë e kuptojmë që këtu po fitohet kohë, po blihet kohë nga ana e mazhorancës, pra po kërkohet të blihet kohë duke shkelur, duke shkelur procedurat, por kjo është e paprecedent. Dhe është një precedent shumë i rrezikshëm nga ana tjetër.

Ju rikujtoj përsëri çka ndodhur me deputetët e tjerë të kuvendit ku kanë pasur të bëjnë me kërkesa për heqjen e imunitetit apo për zëvendësim mase apo për caktim mase nga ana e prokurorisë.

Për rastin e zotit Berisha, po i rikthehem, përpara pak vitesh, i janë lënë në dispozicion vetëm dy orë, vetëm dy orë avokatëve të zotit Berisha që të njiheshin me një dosje mjaft voluminoze. Në këtë rast, avokatët e zonjës Balluku kanë kërkuar tre javë kohë, por përkundrazi, ndryshe nga avokatët e saj, ishin deputetët e mazhorancës që ishin në këtë komision që duhet ta shqyrtonte kërkesën e prokurorisë, të cilët thoshin le të lëmë dhe katër javë kohë e mos më tepër.

Në një kohë kur vetëmbrojtja kërkon tre javë, ë, deputetët e mazhorancës dilnin përtej avokatit mbrojtës dhe kërkonin t'i jepnin më tepër kohë. Po vetë SPAK-u dhe prokurorët e SPAK-ut, me gjithë drejtuesin, ishin prezentë në mbledhje dhe kërkuan vetëm pesë ditë kohë si afat të mjaftueshëm. për tu njohur me dosjen.

Atëherë, përdor rrugën e kalendarit, kalendarit të fundit të vitit dhe kalendarit të punimeve të kuvendit, nga një anë, sepse dihet që pas miratimit të buxhetit dhe seancave të fundit të vitit, Kuvendi mbyllet dhe nuk ka më seanca, përveç rasteve të jashtëzakonshme kur mund të thirret jashtë sesioneve dhe rifillojnë sesionet parlamentare në javën e tretë të janarit.

Pikërisht, bie dhe përkon si periudhë kohore me këtë afat dhe mendoj që justifikimi që do t'i japë mazhoranca në ditët dhe në javën në vijim do të jetë pikërisht kjo që tani Kuvendi rifillon punimet në janar'.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco