Përshpejtimi i hetimeve të SPAK për dosje të profilit të lartë, si ajo e ish-ministres Belinda Balluku apo e ish-sekretarit të Përgjithshëm Ergys Agasi, shihet si një sinjal i qartë i një influence të re që po vepron mbi drejtësinë shqiptare.
I ftuar në emisionin ‘Task Force’ në Syri Tv, gazetari Andi Tela e argumentoi me faktin se shpejtësia e pazakontë me të cilën këto çështje po përfundojnë dhe dërgohen në gjykatë, brenda pak muajsh, tregon për një ndikim që vjen nga përtej Atlantikut, duke shtuar ndjeshëm presionin politik mbi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama.
Deri para pak kohësh, perceptimi i përgjithshëm ishte se Prokuroria e Posaçme vepronte nën kontrollin e mazhorancës, çka do të mundësonte që dosje të tilla të zvarriteshin për vite me radhë. Megjithatë, finalizimi në kohë rekord i dosjes së AKSH-it dhe avancimi i hetimeve për Ballukun, sipas Telës, sugjeron një dinamikë të re.
Ky zhvillim nuk lidhet më thjesht me skandale tenderash apo korrupsion lokal, por me çështje të sigurisë kombëtare dhe interesave strategjike ndërkombëtare, veçanërisht ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në sfondin e këtij presioni qëndron një ligj i firmosur nga ish-Presidenti Trump, që ka në fokus mbrojtjen e interesave amerikane përballë ndikimit të Rusisë dhe Kinës. Kjo strategji globale reflektohet, për Telën edhe në Ballkanin Perëndimor. Çështje si siguria kibernetike, e provuar nga sulmi ndaj AKSH-it, si dhe projektet madhore energjetike e infrastrukturore, konsiderohen jetike për sigurinë e rajonit dhe të aleatëve të SHBA.
Rrjedhimisht, "zëri nga përtej oqeanit" po kërkon që në Shqipëri të ketë më shumë siguri dhe transparencë, duke vepruar përmes institucioneve të drejtësisë. Ky ndryshim kursi ka implikime të drejtpërdrejta politike. Pasi fijet e aferave të hetuara nga SPAK çojnë drejt qeverisë, presioni në fund i faturohet kryeministrit Rama.
Ndonëse ndryshimet politike duhet të vijnë nga brenda vendit dhe jo nga imponime të jashtme, bëhet gjithnjë e më e qartë se zëri i Shqipërisë po dëgjohet në qendrat ndërkombëtare vendimmarrëse në mënyrë më të qartë dhe të pa-manipuluar se më parë. Epoka kur raportet ndërkombëtare mund të zbutnin realitetin e brendshëm duket se po merr fund, duke e lënë qeverinë përballë "pasqyrës së Tiranës" dhe jo më "orës së Uashingtonit".
Se ne po kërkojmë t'i bëjmë lidhjen mes ligjit të firmosur nga Trump dhe çfarë ndodh në realitetin shqiptar. Ligji ka të bëjë me mbrojtjen e SHBA-së dhe me çfarë ndodh në botë. Dhe gjithë strategjia kryesore e tyre është raporti me Rusinë dhe me Kinën. Pra, ndikimi i tyre në raport me ndikimin që ka SHBA-ja në botë. Fokusimi te Ballkani Perëndimor, sigurisht që nuk ka të bëjë me politikën e jashtme të Shqipërisë, e cila është e shkruar, është e qartë, është e pastër. Mund të ketë me politikë të vendeve të tjera, Serbia dhe vende të tjera, në raport me Rusinë dhe Kinën. Por, shënjimi i demokracisë së munguar, pra, le të themi në kundërt të autokracisë shqiptare, do të thotë më që nuk është më ora e Uashingtonit, është pasqyra e Tiranës kjo që ne tregojmë. Dhe kur flitet për projektet energjitike, infrastrukturore, kur flitet për sigurinë kibernetike, atëherë ti arrin të kuptosh që dosja e Belinda Ballukut mund të rrinte atje për kohë më të gjatë, për vite me radhë, sepse ne deri sot kemi artikuluar që zoti Rama ka nën kontroll SPAK-un.
Dhe dirigjon ai se kush duhet të ndëshkohet, kush i ka ngrënë kumbullat dhe dardhat mbrapa që ta ndëshkojmë. Në këtë moment, kur dosja e Ballukut bëhet gati shumë shpejt, por mbi të gjitha dosja e AKSH-it dhe Ergys Agasit bëhet gati nga qershori deri në dhjetor, pra nuk kemi parë dosje tjetër ne që të mbyllet brenda gjashtë muajsh dhe të shkojë në gjykatë...por ata mund të rinin edhe një vit, edhe dy vite, edhe deri më 2027 dhe ta kishin atje dosjen, sepse po hetonin Ervis Berberin dhe tenderat e tjerë në miniaturë. Këtu pastaj, ne themi që nuk është më çështje tenderash dhe çështje nga këto arkat e peshkut. Kjo është një çështje e rëndësishme, bashkë me AKSH-in, për të kuptuar se tashmë nuk është më vetëm mjedisi shqiptar, i cili artikulon dhe i dëgjon se çfarë ndodh. Ka një zë nga përtej oqeanit që kërkon këtu gjërat të jenë më të sigurta, sigurisht nën hyshmin e tyre. Nën hyshmin e SHBA-së.
Nuk jemi më në '49-'53-shin që operacionet amerikano-angleze-britanike dorëzonin pushtetin Enver Hoxhës. Sigurisht. Kështu që këtu nuk ka ndodhur që dikush i huaj t'i imponojë ndryshim pushtetit. Kjo duhet të ndodhi këtu në Shqipëri. Por, është tjetër gjë që të ndodhi brenda Shqipërisë dhe gjithkush përqark hesht dhe nuk i intereson, dhe është tjetër gjë që ti nga momenti i artikulimit të kësaj gjëje çdo ditë, çdo ditë, çdo ditë më tepër, të dëgjohesh atje ku përpilohen raportet dhe ku zëri nga Shqipëria duhet të shkojë i qartë, jo i manipuluar siç ka ndodhur gjithë këtë periudhë. Pra, gjithë këto vitet e fundit, pavarësisht se ne kemi thënë skandale, skandale, skandale, më e fundit na ndodhi para një muaji që raporti i OSBE-ODIHR thoshte tjetër gjë për zgjedhjet dhe ministrja e zgjerimit të BE-së thoshte zgjedhjet në Shqipëri ishin të lira dhe të ndershme.
© SYRI.net