Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po pengon arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku. Në një deklaratë për mediat, një ditë pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, Gazment Bardhi dhe Oerd Bylykbashi kanë shprehur shqetësimin se mazhoranca po kthehet në mbrojtëse të numrit dy të qeverisë, duke kërkuar kohë për të, pasi tenderat për tunelin e Llogorasë dhe lotet e Unazës së Tiranës janë ndarë nga Balluku me urdhër të Ramës.
Pesë deputetë të Partisë Demokratike që janë pjesë e Komisionit të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit kanë akuzuar Edi Ramën se po bllokon arrestimin e Belinda Ballukut. Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, deklaroi se Rama dhe Balluku kanë vjedhur në bashkëpunim 50 milionë euro nga buxheti i shtetit përmes kontratës për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Sipas Bardhit, mazhoranca po kthehet në avokate, duke blerë kohë për Ballukun.
Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi, u shpreh se çështja Balluku është autopsia e një shteti të kapur nga korrupsioni. Në të njëjtën linjë me Bardhin, Bylykbashi theksoi se kryeministri Edi Rama po përdor parlamentin për të bllokuar hetimin e SPAK-ut.
Deputetët e opozitës theksuan se do të bëjnë gjithçka që procedurat për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku të kalojnë sa më shpejt, që më pas parlamenti të heqë imunitetin dhe t’i hapë rrugë prokurorisë për të paraqitur çështjen në gjykatë për kërkimin e masës së arrestit. Ndërkohë, një ditë më parë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit ka pasur debate mes opozitës dhe mazhorancës, ku këta të fundit kërkuan shtyrjen e seancës në 20 janar, me pretendimin se avokatët kërkojnë kohë për të njohur me dosjen. Kjo kërkesë nuk u pranua nga deputetët e opozitës, të cilët kanë kërkuar gjithashtu që seanca të zhvillohej me dyer të hapura për mediat.
© SYRI.net