Nga Fox News
Departamenti i Shtetit deri tani po refuzon të komentojë për krizën në rritje të korrupsionit që ka kapur Shqipërinë, një aleate e rëndësishme e SHBA-së në rajon.
Pasi një gjykatë shqiptare vendosi të shkarkojë zëvendëskryeministren Belinda Balluku, me akuzën se kishte ndërhyrë në dy tenderë ndërtimi, kryeministri socialist Edi Rama e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit, sipas mediave, vendosi të premten ta rikthente Ballukun në detyrë deri në marrjen e një "vendimi përfundimtar".
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ngriti me 31 tetor një akuzë penale ndaj Ballukut, duke pretenduar se ajo kishte ndikuar në mënyrë të paligjshme për të favorizuar një kompani në një tender për ndërtimin e një tuneli 6 km në jug të Shqipërisë, raportoi Reuters. SPAK shtoi edhe një akuzë tjetër me 21 nëntor, për shkelje të rregullave në një projekt rrugor në Tiranë, ditën kur Balluku u shkarkua nga detyra.
Një ditë para paraqitjes së saj në gjykatë në nëntor, Balluku i tha parlamentit se akuzat ndaj saj ishin "baltosje, insinuata, gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra".
Si anëtarja e dytë e kabinetit të Ramës që përballet me akuza për korrupsion që nga viti 2023, rasti i saj ka nxitur reagime të forta nga kundërshtarët e kryeministrit.
Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në SHBA dhe në OKB, i tha Fox News Digital se rasti i Ballukut tregon se "qeveria Rama nuk jep asnjë shenjë se merr përgjegjësi morale apo se i lë drejtësisë hapësirë të veprojë e pavarur. Përkundrazi, duket se synon ta mbrojë zonjën Balluku, duke e paraqitur veprimin e gjyqësorit si një sulm ndaj ekzekutivit".
Ish-ambasadori në Uashington tha gjithashtu se "ndikimi mbi Gjykatën Kushtetuese mund të jetë një përpjekje për të krijuar një precedent mbrojtës, i cili mund të jetë i dobishëm nëse hetuesit do të kërkonin ndonjëherë të përfshinin vetë zotin Rama në hetimet e tyre".
"Po bëhet gjithnjë e më e qartë se mbreti është lakuriq," tha Nesho, duke shtuar se qeverisja e Ramës ka përfunduar në "kapje të shtetit", pasi "mungesa e kontrollit dhe balancës ka lejuar një sistem të përsëritur korrupsioni gjatë disa mandateve të tij".
Nesho pretendoi gjithashtu se Balluku kishte lënë të kuptohej për përfshirje më të gjerë të qeverisë Rama në vendimmarrje. Edhe ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili u largua nga vendi pasi u hetua nga SPAK, ka deklaruar se Rama "drejtonte të gjitha vendimet kyçe për tenderët, financat dhe asetet publike", sipas Neshos.
Akuzat e Ahmetajt përfshinin edhe pretendime se Rama ka lidhje me bosë mafiozë. Rama iu përgjigj këtyre insinuatave duke thënë se Ahmetaj "nuk duhet marrë seriozisht. Politika shqiptare nuk është e ndotur nga mafia", raportoi Balkanweb.
Shtetet e Bashkuara kanë financuar reformat në drejtësi në Shqipëri për të ndihmuar rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, me synimin për të ulur korrupsionin. Megjithatë, këto reforma kanë sjellë edhe vonesa të mëdha në sistemin gjyqësor, duke shkaktuar zhgënjim dhe dhunë nga publiku.
Nesho tha se "është e vështirë të shihet se si një qeveri që sillet si republikë bananesh mund të anëtarësohet në BE". Ai shtoi se "Shqipëria është një kontradiktë e gjallë për sa i përket ligjit dhe rendit".
Sipas tij, ndërsa opozita e Ramës është "shkatërruar nga 'lufta ligjore' dhe komprometimi i institucioneve", Rama vazhdon të jetë në pushtet pavarësisht "skandaleve të dokumentuara shumë-miliardëshe të korrupsionit, vjedhjeve të dokumentuara zgjedhore në disa cikle votimi dhe, më shqetësuesja, lidhjeve të dokumentuara me kartele ndërkombëtare droge si karteli Sinaloa".
Akuzat për lidhje të Ramës me kartelin Sinaloa dolën pasi kryeministri u takua me Luftar Hysën, i lidhur me këtë kartel dhe i sanksionuar nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së. Rama i tha një media shqiptare se ishte takuar me Hysën vetëm një herë.
Pas shkarkimit të Ballukut, Nesho thotë se "zemërimi publik nuk drejtohet vetëm ndaj saj, por edhe ndaj sjelljes së papërgjegjshme të një regjimi që qeveris pa llogaridhënie, abuzon me pronën dhe financat publike dhe nuk përballet me pasoja, pavarësisht reagimit të shoqërisë". Ai shtoi se shumë qytetarë i kanë vënë kryeministrit nofkën "Ramaduro", "një krahasim i drejtpërdrejtë me diktatorin venezuelas Nicolas Maduro".
Zyra e shtypit e Ramës i tha Fox News Digital se nuk kishte koment për akuzat e Neshos ndaj tij.
Në maj të vitit 2021, Departamenti i Shtetit sanksionoi ish-kryeministrin Sali Berisha për akuza korrupsioni, duke i ndaluar udhëtimin në SHBA. Fox News Digital pyeti Departamentin e Shtetit nëse kishte plane për sanksione të ngjashme ndaj Ballukut.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Fox News Digital: "Nuk kemi koment për çështje ligjore në proces".
Edhe Ambasada e SHBA-së në Tiranë dha të njëjtën përgjigje kur u pyet nëse do t'i pezullonte vizën Ballukut si pasojë e shkarkimit të saj nga detyra. / Fox News – Syri.net
© SYRI.net