Një vit pas hapjes së kampeve italiane për emigrantët në Shqipëri, të destinuara për të mbajtur njerëz të ndaluar në det, qendrat janë pothuajse bosh dhe të përfshira në polemika ligjore, shkruan AFP.
Sipas agjencisë, organizata të shumta joqeveritare kanë denoncuar kushtet e jetesës dhe mungesën e të drejtave themelore për migrantët, ndërsa gjykatat italiane kanë rrëzuar disa tentativa për deportime në Shqipëri. Megjithatë, qeveria shqiptare ka shmangur çdo përgjegjësi, duke ia lënë gjithçka në dorë autoriteteve italiane.
Dy qendrat, në Shëngjin dhe Gjadër, u hapën më 16 tetor 2024 dhe menaxhohen nga Roma. Po atë ditë, anija e parë italiane solli 16 emigrantë nga Egjipti dhe Bangladeshi, por të gjithë u rikthyen në Itali pas vendimeve gjyqësore që shpallën të paligjshëm ndalimin e tyre.
Eksperti ligjor Gianfranco Schiavone tha për AFP se në total 132 persona janë dërguar në kampet shqiptare, por vetëm 32 janë riatdhesuar. Sipas OJQ-ve, brenda kampeve janë regjistruar nëntë tentativa vetëvrasjeje dhe 21 raste vetëgjymtimi, çka ngre shqetësime serioze për trajtimin e të ndaluarve.
“Situata është shumë shqetësuese për shkak të vështirësisë ekstreme që kanë të ndaluarit për të ushtruar të drejtat e tyre themelore,” tha Schiavone.
Megjithë kritikat ndërkombëtare, kryeministri shqiptar Edi Rama ka vijuar të mbrojë projektin, duke e quajtur një “eksperiment që duhet testuar”. Gjatë një vizite në maj me kryeministrin britanik Keir Starmer, i cili u shpreh i interesuar për modele të ngjashme, Rama deklaroi:
“Nëse funksionon, mund të replikohet. Por jo në Shqipëri, por diku tjetër në rajon.”
Theksohet se kjo qasje e Ramës shihet nga kritikët si një justifikim politik për një projekt të dështuar humanisht, që e ka kthyer Shqipërinë në vazhdimësi të politikave të djathta italiane për ndalimin e migrantëve jashtë kufijve të BE-së./ AFP
© SYRI.net