Marrëveshja, në bazë të paktit të Presidentit të SHBA, Donald Trump, për paqen në Gaza, u përshëndet nga thuajse të gjithë liderët e botës, përveç Kryeministrit shqiptar Edi Rama, liderit suprem të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, dhe regjimit iranian. Lideri i opozitës, Sali Berisha, dënoi qëndrimin në heshtje të qeverisë shqiptare, të cilin e konsideroi si sjellje të një narkoshteti.
Në mbledhjen e grupit parlamentar, Berisha u ndal edhe te raportimi i drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, në Komisionin e Ligjeve, ku nuk kurseu akuzat ndaj tij, duke e cilësuar si armik të pluralizmit, bastard dhe Arianit Çela i dytë.
Zhvillimet e fundit ndërkombëtare dhe ato politike në vend ishin në fokus të mbledhjes së grupit parlamentar të PD në selinë blu. Mbledhja nisi me një surprizë për liderin e opozitës, Sali Berisha, nga deputetët demokratë, për 81-vjetorin e lindjes së tij.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal te marrëveshja e paqes në Gaza, e firmosur në Sharm el-Sheikh, të cilën e konsideroi si një nga ngjarjet më të jashtëzakonshme në historinë e botës.
Berisha dënoi heshtjen e qeverisë shqiptare ndaj këtij zhvillimi historik, teksa theksoi se marrëveshjen nuk e kanë përshëndetur vetëm lideri suprem i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, regjimi iranian dhe, siç e cilëson ai, narkoregjimi i Edi Ramës.
Në mbledhjen e ligjvënësve demokratë, Berisha u ndal edhe te raportimi i kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, në Komisionin e Ligjeve, të cilin e akuzoi se është armik i pluralizmit.
Teksa Dumani foli për arritjen e sekuestrimit të 60 milionë eurove pasuri, Berisha pyeti publikisht drejtuesin e SPAK-ut se ku janë 1 miliard eurot e humbura të shqiptarëve.
Berisha hodhi akuza ndaj Dumanit se u zgjodh në krye të SPAK-ut nga Edi Rama dhe ish-ambasadorja amerikane, Yuri Kim, dhe se e ka shndërruar hetimin në institucion privat për Kryeministrin Rama.
Lideri i opozitës nuk la pa ironizuar edhe Presidentin Bajram Begaj, që, sipas tij, rezulton të jetë i punësuar si mjek në një klinikë private, ndërsa nuk kurseu akuzat ndaj tij.
© SYRI.net