Gazetarja Albione Zhitia, në një lidhje Skype për edicionin informativ në Syri TV, ka sjellë një pasqyrim të deritanishëm të rezultateve zgjedhore për komunat e Kosovës, duke dhënë detaje mbi garën e ngushtë për kryeqytetin dhe balotazhet e tjera.
Sipas saj, në të gjitha komunat thuajse ka përfunduar numërimi i votave, përveç Prishtinës, ku mbeten ende tre kuti për t’u numëruar. Përparim Rama kryeson me 33.7% ndaj kandidatit tjetër nga Vetëvendosja me 33.03%, duke e bërë garën shumë të ashpër dhe të paparashikueshme deri më 9 nëntor, kur qytetarët do vendosin për drejtimin e kryeqytetit.
Zhitia gjithashtu theksoi se balotazhi do të zhvillohet edhe në komunat e Pejës, Gjilanit dhe Prizrenit, ku diferencat janë të vogla dhe fushata pritet të jetë më e ashpër se ajo paraelektorale.
Mitrovica, ka tërhequr vëmendjen më të madhe, ku vetëm 28 vota dallonin kandidatët e parë, duke garantuar një garë të fortë në balotazh.
Gazetarja nënvizoi gjithashtu se rezultatet për më shumë se 90% të komunave janë në përputhje me rezultatet zyrtare të KQZ-së, përjashtim bën Mitrovica, ku gara mbetet e paparashikueshme.
Albione Zhitia:
Në fakt, në të gjitha komunat thuajse ka përfunduar procesi i numërimit, përjashtim bën kryeqyteti, pra Prishtina, ku kanë mbetur edhe 3 kuti për tu numëruar.
Edhe me numërimin e këtyre kutive nuk do të ketë ndonjë ndryshim të madh, e rezultatet e deritanishme tregojnë se renditja është kështu: Perparim Rama me 33.7% kryeson ndaj kandidatit tjetër me 33.03% nga Vetëvendosja, dhe gara do të jetë shumë e ashpër për një muaj tjetër, ku më 9 nëntor do ballafaqohen sërish para votuesve dhe qytetarët do vendosin se kujt do i japin drejtimin e kryeqytetit.
Nga ana tjetër, në balotazh kemi edhe Pejë, Gjilan dhe Prizren, komuna ku gara është mjaft interesante dhe ajo që ka vlejtur është që gjatë gjithë fushatës ka qenë Mitrovica.
Për Mitrovicën kemi pasur një diferencë shumë të vogël, prej 28 votash dallim mes të parit Arjan Tahiri nga PDK dhe Faton Pecit nga LVV.
Pra mund të thuhet se vetëm 28 vota ishin dallimi mes këtyre kandidatëve dhe në balotazh do ballafaqohen edhe më ashpër, dhe fushata mes tyre do të jetë këtë muaj më e ashpër se ajo e muajit që lamë pas, duke qenë se fushata paraelektorale ishte mjaft e qetë.
Rezultatet e ditës së djeshme tregojnë se do të kemi një fushatë shumë të ashpër për zgjedhjet e 9 nëntorit, sidomos në Mitrovicë, ku gjatë Exit Poll-eve pas mbylljes së procesit zgjedhor, rezultatet dolën thuajse me një renditje shumë të ngushtë mes tyre.
Është mjaft interesante sa i përket tyre, sepse nëpër komuna më shumë se 90% të rezultatit ka qenë aty-aty me ato rezultatet zyrtare të KZK, përjashtim bën Mitrovica".
© SYRI.net