E ftuar në emisionin "Kafe Shqeto", në Syri Tv gazetarja Ambrozia Meta bëri një deklaratë të fortë lidhur me mënyrën se si Edi Rama po e përdor pushtetin për interesa personale dhe jo në funksion të qytetarëve.
Ajo theksoi se qeverisja e Ramës është kthyer në një seri improvizimesh dhe eksperimentesh politike, ku ministrat nuk kanë rol real, por shërbejnë vetëm për të zbatuar urdhrat e tij. Sipas Metës, Rama nuk ka asnjë vizion për vendin, nuk ka projekt apo plan konkret, dhe çdo veprim i tij politik udhëhiqet nga interesi i momentit dhe dëshira për kontroll absolut.
Meta vuri në dukje riorganizimin e ministrive, krijimin e komisioneve parlamentare pa konsultime dhe vendosjen e emrave të besuar që nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve, por shërbejnë si zgjatime të pushtetit personal të Ramës. Ajo kritikoi edhe mënyrën sesi kryeministri po e përdor parlamentin si një zyrë shtesë të qeverisë, duke e kthyer Kuvendin në një institucion të paralizuar politikisht.
“Rama nuk ka më as nevojë të fshihet çdo gjë e kontrollon vetë, çdo emër e vendos vetë, çdo vendim e merr pa konsultim. Ministrat janë kthyer në zëdhënës të urdhrave të tij, pa personalitet dhe pa fuqi reale,” – u shpreh Meta.
Deklarata:
Në injorancën e pushtetit të tij, sepse Rama e tregon gjithmonë e më shumë që është një injorant patologjik, nuk ka asnjë lloj formimi. Nëse shikon strukturën që i bën qeverisë, bën gjithmonë improvizime, ose le të themi eksperimente. Bashkoi Ministrinë e Kulturës me atë të Inovacionit, dhe bashkë me Ekonominë këtë herë i ndau. Ai qeveris me improvizime, në bazë të projekteve apo interesave të tij. Ai gjithmonë e më shumë tani po e riprodhon qeverinë e tij në Parlament dhe nuk po e fsheh, as përmes emrave.
Pra, ne kemi një Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, dhe tani kemi një Komision për Europën dhe Punët e Jashtme nuk ka as fantazi për emrat. Totalisht, ekzekutivi ka kapur edhe Kuvendin dhe po e trajton sikur të jetë qeveria e tij e dytë. Dhe për të zbehur faktin që ai shkoi me një platformë, tashmë ai e ka vendosur vetë se si do të jenë komisionet, pa asnjë konsultë.
Mendoj që vendosja e Niko Peleshit ishte një lloj zbutje, ose për të krijuar një lloj imazhi, që po vendos një personazh që shihet si figurë më e butë dhe më e pranueshme nga opozita.
Më bëri përshtypje Albana Koçiu, që deri diku ishte surprizë, edhe për faktin se Rama Ministrinë e Punëve të Brendshme e ndan dhe i thotë: "Ti s’ke më punë me policinë, ajo është e Ilir Prodes, ti meru me varrezat dhe aktin e vdekjes." Ndoshta e bëri për të krijuar një lloj imazhi të butë, për shkak se Rama dhe emrat që kanë qenë aty janë totalisht të lidhur me krimin dhe bandat.
Ai nuk i fsheh dot lidhjet e tij, sepse përderisa i thotë ministres “nuk ke punë me këtë gjë”, do të thotë se ai nuk fshihet më. Nëse deri më herët mundohej të justifikohej, tani nuk e ka më këtë problem. Kjo shihet me parkun Eden në Kryeministri, për të cilin unë e kam pyetur pse po bëhej, duke qenë se ishim në krizë energjetike, dhe tha se po e bëjmë për shkak të energjisë së rinovueshme. Kur u pyet disa ditë më parë, tha: “E kemi bërë për të qenë estetikisht bukur kur të presim miq nga Europa.”
Ndërkohë, nuk ka asnjë vend të botës që të ketë godinat e Këshillit të Ministrave ku investohet aq shumë me parqe, sepse ato janë institucione. Të njëjtën gjë bën dhe me ministrat. Nuk është se e fsheh më që është një vend që ai e ka totalisht nën kontroll. Ata persona janë aty vetëm për të thënë "po" dhe për të zbatuar urdhrat e Ramës. Nuk kanë personalitet, nuk kanë asnjë lloj fuqie pra janë vetëm në funksion të zbatimit të asaj që Rama ka vendosur dhe nuk kanë as votë.
Nuk është reflektuar asnjë nga të shumvotuarit në zgjedhje, sepse Rama i shfrytëzon të gjithë dhe të gjithë punojnë me shpresën se mos ai do t’u japë ndonjë “kockë” në fund. Pastaj ai bën zgjedhjet e tij sadiste, sepse ka kënaqësi të shohë, për shembull, fytyrën e Taulant Ballës që u mundua të nxjerrë diasporën 80 me 20, dhe pastaj nuk i jep asgjë.
Kjo është tipike e njerëzve që e kanë pushtetin, por e kanë në funksion të epsheve të tyre. Sepse mos të harrojmë që fokusi i Ramës… Rama nuk ka as vizion.
Kur thashë se është injorant, e thashë për faktin se nuk e shfrytëzon qeverinë, nuk ka projekt, asnjë plan për çfarë do të bëjë dhe çfarë do të arrijë e ka thjesht në funksion të ëndrrës që ka: për t’u krahasuar me Ismail Qemalin, sepse i vjen shumë inat që na e dha ai pavarësinë, dhe tani çfarë do na japë ky? Apo edhe me Berishën, që na dha liberalizimin e vizave dhe na futi në NATO. Po Rama çfarë i ka bërë vendit?
Deri kur të bëjë diçka, ai ka betejë me historinë.
© SYRI.net