Gazetari Roland Qafoku, nga studioja e emisionit “Kafe Shqeto”, u shpreh se debati mbi faktin nëse kabineti i Edi Ramës ka apo jo ministra nga veriu nuk ka asnjë vlerë dhe nuk përbën thelbin e problemit.
Sipas tij, çështja më shqetësuese është se kryeministri ka shpallur një sërë objektivash që prej vitit 2013, të cilat nuk janë realizuar, ndërsa edhe dje prezantoi të reja, për të cilat mbetet e paqartë nëse do të zbatohen.
Qafoku solli në vëmendje procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, ku sipas tij, nëse Shqipëria nuk e arrin këtë objektiv, përgjegjësia do të mbetet mbi kryeministrin.
Ai kritikoi gjithashtu faktin që Rama nuk ka respektuar premtimin publik për të mos mbajtur ministra në detyrë më shumë se pesë vite, duke përmendur emra konkretë që nuk janë lëvizur prej kohësh nga qeveria.
Pjesë nga deklarata:
"Nuk është thelbësore të themi që Rama në kabinet nuk ka njerëz nga veriu, sepse Llamallari dhe Gonxhe janë veriorë dhe nëse ne ndajmë Shqipërinë në gegë e toskë, të gjithë këta janë nga Tirana dhe Tirana është në gegëri dhe jo në toskëri.
Kjo nuk ka rëndësi fare, por ajo që mua më shqetëson janë disa objektiva që Rama i ka vënë që në 2013 dhe nuk i ka zbatuar, si dhe disa që i vendosi dje dhe nuk e dimë a do t’i zbatojë apo jo.
Një madhore ishte anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Ky është një diskutim shumë i komplikuar, nuk është faji as i Berishës, as i Metës, as i Ramës që ne nuk jemi anëtarësuar në BE.
Të gjithë këta kanë kontributet e tyre në këtë rrugëtim, por ne kemi qenë vendi i pari nga vendet e lindjes për anëtarësim.
Narkoshteti nuk anëtarësohet në BE. Nëse BE ka këtë kriter është tjetër gjë dhe nëse Rama e arrin këtë, kjo është meritë pastaj, ama nëse nuk e arrin, ky do të jetë dështimi më i madh i Ramës, por edhe i Shqipërisë politike dhe përgjegjësia do të jetë e tij.
Rama ka thënë se asnjë ministër nuk do të jetë më shumë se 5 vite, ndërkohë që aty është bërë një grup që nuk po lëvizin nga karriget e tyre si: Balluku, Spiropali apo Kumbaro.
Rama nuk po i mban këto premtime, duken si të vogla por në fakt janë thelbësore, pasi janë premtime publike dhe nuk i ka bërë me ministrat e vet".
© SYRI.net