Nga Fatmir Konja/
Në një nga librat e tij, publicisti Mehmet Elezi ka rrëfyer se në kohën e diktaturës, zyrtarët nga jugu, prezantoheshin bashkë me emrin e fshatit nga vinin, e në rast të kundërt, thuhej: "Këtë shokun e kemi nga veriu".
Qasja e Partisë Socialiste në pushtet kundrejt veriut nuk ndryshoi shumë në demokraci, por kjo pas 2013-ës ka qenë djallëzore dhe dashakeqe.
Kreu i socialistëve solli në shumë raste nga veriu, në Kuvend e poste kyçe, persona me precedentë penalë duke i cilësuar madje si përfaqësues të denjë të zonave dhe komuniteteve nga vinin.
Një përzgjedhje e tillë nuk ka qenë rastësore, por e qëllimtë, për të krijuar një perceptim të rremë mbi vlerat përfaqësuese të veriut dhe justifikuar në këtë mënyrë përfaqësimin në maxhorancë dërrmuese të shokëve e shoqeve nga jugu.
Dhe tani Ky, në vitin e 13-të si kryeministër, u paraqet shqiptarëve një qeveri, jo vetëm në shumicë absolute nga jugu, por të thartuar nga të ndenjurit gjatë në post, së cilës i hedh një ëmbëlsues artificial nga veriu: Shoqen Diella!
Edhe folklor, edhe inteligjencë artificiale, siç rrallëkujt ia merr mendja, i shkriu në një ky kryeministër dhe ia arriti qëllimit për të zënë vend në mediat e mbarë botës.
Ka prodhuar lajm nga hiçi! Siç bën gjithmonë, edhe me ndihmën e ca miqve të huaj që u gëzohen fryteve të qeverisjes së tij. Akti ekstravagant i kryeministrit shqiptar mori dhenë! Për herë të parë në gjithë botën, një ministre artificiale!
Shoqen Diella piktori AI e ka veshur me kostum popullor verior dhe e ka zbukuruar kujdesshëm me ca rrudha. Po t'i kishte qëndisur një palë rruaza, mund edhe ta shoqëronte imazhin me vargjet e një kënge të njohur popullore nga veriu: "Me ato rruza rreth për gushe, me flakë zemrën-o seç ma mbushe".
Shoqja Diella do të shëtisë virtualisht në gjithë botën, por vështirë të ketë mundësi t'i shkelë "këmba" në veri të vendit, pasi kjo qeveri, edhe virtualisht, andej lart, rrallë ka shkelur për mirë.
Hëpërhë, Veriu, e posaçërisht socialistët e veriut edhe mund të ndihen të përfaqësuar nga kjo ministre virtuale.
Fundja, AI din ç'ka ban!
© SYRI.net