SYRI TV/ Vendimi për liderin e opozitës: SPAK kundërshton edhe veten, faktohet se procesi është politik

12:21, 25/01/2024
A+ Aa A-

Gjykata e Apelit faktoi sot procesin politik për të mbajtur të izoluar liderin e opozitës, Sali Berisha. Edhe pse vetë SPAK ishte i paqartë dhe nuk dha argumente se pse kërkohej “arresti i shtëpisë”, gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës së avokatëve, që kërkuan fillimisht shprehjen e Apelit për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, pasi është në kushtet e konfliktit të interesit. SPAK sot ndryshoi qëndrim duke thënë se “arresti i shtëpisë” justifikohet me akuzën për të cilën kryen hetime, duke kundërshtuar edhe veten, pasi ishin këto institucione që vendosën detyrim paraqitje, pak javë më parë, kur ndodheshin po në të njëjtat kushte

SYRI TV

Gjykata dhe Prokuroria e Posaçme duket se kanë konfirmuar tashmë qëllimin politik për të mbajtur të izoluar Sali Berishën, pavarësisht se çfarë parashikon ligji dhe mungesës së një akuze apo provave për atë që po hetohet.

Sot Gjykata e Apelit la në fuqi masën “arrest shtëpie” për liderin e opozitës, edhe pse prokurorët e SPAK ishin edhe vetë të paqartë se përse e kërkonin këtë masë sigurie.

Ndryshimi i masës nga “detyrim paraqitje” në “arrest shtëpie” u ndryshua me argumentin se Sali Berisha nuk u paraqit, por me marrjen në pyetje të Berishës edhe ky pretendim SPAK-ut iu rrëzua.

Por në seancën e Apelit, prokurorët ndryshuan argument duke deklaruar se masa “arrest shtëpie” kërkohet për shkak se vepra penale është e rëndë. Por edhe ky argument është rrëzuar nga vetë SPAK, pasi ishte ky institucion që pak javë më parë, kërkoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për Berishën edhe pse kishte të njëjtën akuzë hetimi.

Gjatë kësaj periudhe, vetë SPAK ka konfirmuar se s’ka asnjë provë të re, por ka ndryshuar qëndrimin për masën në mënyrë të paargumentuar, kjo pasi pretendimi për mosparaqitje ra.

Por edhe pse këto anomali iu arsyetuan gjykatës, Apeli vijoi me plotësimin e interesit politik të kësaj çështje, atë të mbajtjes të izoluar të liderit të opozitës, Sali Berisha.

Avokati Genc Gjokutaj deklaroi pas seancës, se me këtë vendim u faktua tashmë qëllimi politik në këtë çështje.

Kujtojmë që një nga kërkesat kryesore të bëra prej avokatëve në Gjykatën e Apelit, ishte vlerësimi i afateve për kërkesën e përjashtimit të gjyqtares Irena Gjoka, e ndodhur në kushtet e konfliktit të interesit, pasi është shkarkuar nga Sali Berisha në vitin 1996, kur drejtonte KLD-në. Kërkesa për përjashtim nuk u mor parasysh nga Irena Gjoka, duke pretenduar se u dorëzua jashtë afateve.

Por ky pretendim u rrëzua nga vetë Gjykata e Posaçme, që e shqyrtoi kërkesën e avokatëve, por pasi Irena Gjoka kishte kryer tashmë çdo procedurë për t’i caktuar Sali Berishës masën “arrest shtëpie”, e nuk kishte më vlerë vijimi i atij shqyrtimi.

Por edhe pse kishte përballë këto veprime nga shkalla e parë, haptazi në shkelje të ligjit, Gjykata e Apelit refuzoi të shprehej, duke avancuar me konfirmimin e masës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco