Katër vite pas tërmetit, ende pa shtëpi: banorët e Vorës më shpresë te 2024 Fatbardha Muça

Katër vite pas tërmetit, ende pa shtëpi: banorët e Vorës më shpresë te 2024

11:06, 04/01/2024
A+ Aa A-

Katër vite pas tërmetit të 2019-ës në Vorë, shenjat e shkatërrimit janë ende të pranishme, ndërsa rindërtimi ecën me ritme të ngadalta. Shumë ndërtesa mbeten të papërfunduara, duke lënë mijëra në streha të përkohshme.Vonesat, fondet e pamjaftueshme, ndërprerja e bonusit të qirasë, bëjnë që edhe këtë vit qindra banorë të presin që viti i ardhshëm t’i kthejë në shtëpitë  e tyre, shkruan Albanian Center for Quality Journalism.

Vora ende është një kantier ndërtimi. Përgjatë rrugës duken gjurmët e shkaktuara nga tërmeti 26 nëntorit. Shumë pallate ende nuk kanë përfunduar ose janë në fazën fillestare të ndërtimit.

Në fshatin Marikaj, disa shtëpi që u goditën nga tërmeti dhe u klasifikuan si të pabanueshme në nivel DS5* ende nuk janë shembur, ose në rastin më të mirë sapo janë shembur, por procesi i rindërtimit nuk ka filluar ende.

Rreth 3 mijë qytetarë në Bashkinë Vorë janë bërë pjesë e projektit të rindërtimit dhe ende qindra prej tyre, kur ka kaluar katër vite, vijojnë të jetojnë në strehëza provizore. Qytetarët më me “fat” kanë arritur të sigurojnë të ardhura për të mbuluar shpenzimet e banesave me qera, ndërsa mes tyre gjenden të tjerë të cilët jetojnë në konteniere në kushte minimale, ose disa kanë zgjedhur të futen në shtëpitë e reja ende të papërfunduar.

Fatbardha Muça, banuese në Marikaj është një prej qytetareve të prekura nga tërmeti. Përpara tërmetit, ajo së bashku me familjen e saj prej katër pjestarësh kishin një banesë private në Marikaj. Por prej 26 Nëntorit të vitit 2019, jeta e tyre ndryshoi totalisht.

“Erdhën bën verifikimet, doli që do të shembet DS5. I kam bërë të gjithë letrat janë në rregull. Halli kryesor i imi është vetëm bonusi. Një ndihmë vetëm për bonusin që të paguaj qeranë e shtëpisë, sa të bëhet shtëpia”, thotë Fatbardha.

Prej 8 muajsh tashmë, Bashkia Vorë ka ndërprerë bonusin e qerasë për të prekurit nga tërmeti, ndonëse ka banorë që  ende nuk janë futur në banesat e reja. Bashkia nuk ju përgjigj kërkesës për këtë informacion.  Qytetarët tregojnë për sinjalizo se arsyeja e ndërprerjes është fakti se nuk janë marrë më fonde nga Ministria e Financave për bonusin e qerasë.

“Unë jam vetë i katërt. Jam burrë e grua dhe dy djemtë. Me sakrifica shumë të mëdha mezi ja dalim ngaqë është rroga e ulët. Vetëm për bonusin e kam hallin më të madh, asgjë tjetër. Po bëjmë 8 muaj dhe nuk kemi marrë anjë lekë. Asgjë, është hequr për të gjithë thonë”.

Fatbardha tregon se ende nuk ka nisur procesi i rindërtimit të banesës së saj. Nga informacionet e marra ajo thotë se pritet që ndërtimi të nis në ditët në vijim, teksa nuk ka asnjë përgjigje kur e pyesim se kur mendon se do të futet sërish në shtëpinë e saj.

“5 muaj ka që kam marrë lekët për të ndërtuar shtëpinë, ja dorëzova firmës së ndërtimit. Firma e ndërtimit erdhi pastaj e shembi dhe e la pak mbrapa pasi ka shumë punë në dorë. Shtëpia ka 5 ditë që është shembur, por janë të zënë punëtorët, kur të lirohen do të vijnë. Brenda dy javëve tha do të vijmë do ta nisim. Se di ashtu kanë problemet e tyre ato, është me vonesë. Kanë lënë shumë shtëpi jo vetëm mua. Flasim për Marikaj”, thotë Fatbardha teksa tregon se shuma totale e përfituar për rindërtimin e shtëpisë është 26 milion lekë dhe deri tani ka marrë vetëm gjysmën, pasi sipas saj gjysma tjetër jepet pasi nis ndërtimi i banesës.

VONESAT NË RINDËRTIM DHE FONDET E PAMJAFTUESHME

Bashkim Grrica, një tjetër banor i prekur nga tërmeti në Vorë, shpreh shqetësimin se shuma e parave e përfituar nga granti nuk i përgjigjet çmimeve të larta të materialeve të ndërtimit që i duhen për banesën.

“Shtëpia si muratur ka mbaruar, por i duhen izolime, suvatime, ka punë.  Sipas letrave kaloj 26 milionë lekë të vjetra. I mora por nuk u plotësuan prapë. Shtëpia pa frikë do dhe edhe 10-12 milion lekë të tjera”.

Pas ndërprerjes së bonusit të qeras, Grrica tregon se u detyra të largohet nga shtëpia me qera dhe së bashku me familjen e tij të kthehen në shtëpinë e tyre të papërfunduar.

“Nkishim me se ta paguanim qiranë, vetë pa punë, gruan pa punë, goca në shkollë të mesme, djali tani ka filluar një punë. U ktheva te shtëpia ime, pa dritare, pa dyer”.

Eksperti i ekonomisë Mateo Spaho, njëkohësisht Dekan në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin “Marin Barleti” ndalet te vonesat në procesin e rindërtimit dhe pasojat ekonomike që shoqërojnë këto vonesa.

“Natyrisht mendoj se është një miks fajesh që lidhen me qeverinë qëndrore dhe qeverinë vendore, të cilat nuk i kanë kryer praktikat e duhura në kohën e duhur. Nga ana tjetër fondet janë ndaluar, janë riçliruar, ribllokuar. Ndërkohë që vitet kanë kaluar çmimet janë rritur dhe ndërkohë që çmimet rriten, ka nevojë për më shumë lekë”, tregon eksperti Spaho.

JETA NË KONTENIER E 18-VJEÇARES

18-vjeçarja Klevisa Çaushi prej disa kohësh jeton së bashku me prindërit e saj në kontenier. Ajo thotë për sinjalizo se jeta në konterien është shumë e vështirë, duke theksuar se jeton në një dhomë shumë të vogël me dy prindërit, dhe nuk kanë as kushtet minimale si dushi apo lavatricja.

“Na e dha bashkia kontenierin që të jetojmë derisa të futemi të shtëpia. Vetëm me një dhomë, ftohtë është. Vetëm një tualet të vogël, as për tu larë nuk kemi dush, lahemi me kanaçe. Ne kemi dashur të jetojmë në shtëpi me qera. Kur u futëm te kjo shtëpia me qera, ngaqë na kishin ndërprerë bonusin nuk dinim si të manovronim për punën e lekëve dhe u detyruam të dilnim”.

Klevisa nuk e di se kur do të vijë dita që të jetë në shtëpinë e saj.

“Na kanë thënë që do të na japin hyrje. Nuk na kanë dhënë ndonjë datë të saktë. Nuk na kanë thënë sakt sepse thonë është me shorte dhe varet kur të bie. Shkoi mami pyeti na thanë nuk kemi informacion, nuk e dimë kur do të shpërndahen”, tregon Klevisa.

Sipas ekpertit të ekonomisë Mateo Spaho, procesi i rindërtimit është shoqëruar me mungesë transparence dhe llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse.

“Në rastin tonë nuk është më e tolerueshme që shteti edhe në buxhetin e vitit 2024 të planifikojë më shumë se 100 milion euro shpenzime për rindërtim, pa dhënë llogari se çfarë do të ndërtohet, sa do të ndërtohet, sa metra katrorë, me cilin çmim”, tregon ekperti ndërsa thekson se ende nuk kemi një listë përfundimtare të të dëmtuarve, kur kanë kaluar 4 vite.

“Nuk kemi një list të qartë të metrave katrorë që duhen rindërtuar dhe nuk kemi një listë të qartë se kush e ka marrë shtëpinë dhe nuk është më çështje dhe kush duhet ta marri ende”, thekson Spaho.

Banorët të paqart ëdhe të painformuar rreth fituesve të fondit

Procesi i rindërtimit është shoqëruar me pikëpyetje dhe dyshime të shumta nga banorë të ndryshëm të Vorës. Denis Subashi 34-vjeçari nga Marikaj thotë se ende nuk ka informacion nëse banesa që ai zotëron sëbashku me të vëllain do të rindërtohet.

“Erdhën dhe e verifikuan dhe më pas në bashki e kishin bërë sikur kjo shtëpia është e rrënuar, është e shembur. Kur shtëpia është akoma aktualisht në këmbë. Nuk ka qenë shtëpi lluks, por ka qenë shtëpi që kemi jetuar brenda. Edhën vunë pullat dhe ikën. Ne prisnim si gjithë të tjerët, që të na e bënin. Prit sot, prit nesër, kaloi 1 vit, 3 vite, vetëm shtëpia jonë nuk po bëhej”.

Ai tregon se ndonëse shtëpia pas tërmetit u klasifikua niveli DS5, më vonë procesi u shoqërua me problematika të shumta pasi sipas tij institucionet pretendonin se kjo banesë ishte e rrënuar përpara rënies së tërmetit. I riu tregon, se ai ka jetuar sëbashku me vëllain në atë banesë dhe për këtë arsye ka vendosur të marrë avokat për ta ndjekur më tej këtë çështje.

“Nuk po na japin asnjë lloj shpjegimi, asnjë lloj gjëje. A do ta bëjnë, çfarë do bëjnë. Sepse njëherë thanë do ta bëj shteti. Por ne deri tani sna ka dal një emër në bashki. Jemi interesuar, kemi kapur avokat, çdo gjë. Asgjë, duke na mbajtur me shpresa kot, jo sot jo nesër”, tregon 34-vjeçari.

Sipas ekspertit Spaho në shumë zona të dëmtuara mënyra e përzgjedhjes së familjeve ka pasur problematika të mëdha.

“Çfarë po bëhet është që vit pas viti shteti shqiptar, pavarësisht se kanë kaluar katër vite, edhe për vitin e pestë, pra edhe për vitin e ardhshëm planifikojnë një shumë të caktuar me dhjetra miliona euro për rindërtim. Ndërkohë që kanë kaluar katër vite dhe ndërkohë që akoma nuk janë evidentuar të gjitha godinat e dëmtuara”, ngren shqetësimin eksperti.

Spaho thotë se kjo është gjë shumë e rëndë sepse kjo tregon se nuk ka përfunduar ende evidentimi e jo më rindërtimi.

“Institucionet shqiptare kanë qenë tërësisht të paafta të menaxhojnë atë situatë dhe tërësisht të penetrueshme nga instancat e korrupsionit, të abuzimit, të anshmërisë dhe të dëshirës për të shpërdoruar edhe mbi fatkeqësitë e kombit”, tregon Spaho.

PROCESI I RINDËRTIMIT, ZVARRITJET DHE SFIDAT

Për të mësuar më shumë rreth procesit të rindërtimit në Vorë, ne ju drejtuam Bashkisë Vorë nëpërmjet një kërkese për informacion për të mësuar ndër të tjera se sa banesa dhe pallate janë klasifikuar niveli DS4/DS5, në çfarë faze është procesi i rindërtimit, sa përfitues e kanë marrë grantin për rindërtim, dhe cila është arsyeja e ndërprerjes së bonusit të qerasë për qytetarët të cilët ende nuk janë futur në banesat e reja.

Në përgjigjen e ardhur për Sinjalizo, Bashkia Vorë shkruan se pranë zyrës së rindërtimit rezultojnë në total 2847 aplikues.

“Bashkia Vorë është akoma në fazë Rindertimi, vijon procesi i ndërtimit të pallateve.  6pallate DS5 nga të cilët 5 janë shembur në fshatin Marikaj. 15 pallate DS5 të gjitha të shembura dhe 4 pallate për shpronësim nga të cilët 3 pallate janë shembur në Vorë. Pjesë e paketave është rindërtimi i 30 pallateve me një numër total prej 405 apartamentesh në qytetin e Vorës”, thuhet në përgjigjen e bashkisë.

Më tej ky institucion thotë se përsa i përket grantit të rindërtimit për kategorinë DS4 ende asnjë aplikanti përfitues nuk i është alokuar fondi ndërsa procesi është në vijim. Ndërsa ndalet në fshatin Marikaj, bashkia specifikon se ka përfunduar rindërtimi i apartamenteve dhe është realizuar shorti siç e parashikon procedura ligjore, ndërsa janë akomoduar 94 aplikuesit dhe përfituesit sipas Vendimit të Këshillit Bashkiak Vorë.

“94 aplikues të kategorisë DS4 janë akoma në proces për fond. 573 aplikues total, nga këto 212 aplikues ku përfshihen kategoria e demeve DS5, ku këtu përfshihen vetëm banesat individuale të  përfshira në të gjithë territorin e Bashkisë Vorë  janë në proces për lidhje kontrate për tërheqjen e vlerës së dëmit sipas kategorisë përkatëse”, shkruan Bashkia Vorë në përgjigjen e ardhur për sinjalizo.

Pas tërmetit në vitin 2019, deklarata të shumta të qeveritarëve të ndryshëm pasuan njëra tjetrën, me ndryshime të njëpasnjëshme të afateve të rindërtimit. Sot, kur kanë kaluar 4 vite nga tërmeti, gjurmët e tij nuk ndihen më në deklaratat politike, por nëse përshkron qytetin e Vorës shikohet qartazi shkelja e afateve të procesit të rindërtimit dhe gjurmët e lëna edhe sot tek qytetarëve të cilët jetojnë mes kantierëve të ndërtimit.

DS5*- Objekte të dëmtuara nga tërmeti të klasifikuara për shembje dhe rindërtim nga fillimi

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco