’21 Janari’/ Berisha: Vendimi i Strasburgut u firmos nga kushëriri i Edi Ramës! Dorian Pavli aty si avokat i tij

’21 Janari’/ Berisha: Vendimi i Strasburgut u firmos nga kushëriri i Edi Ramës! Dorian Pavli aty si avokat i tij

14:20, 15/11/2023
A+ Aa A-

"Jam 100 përqind dakord për hetim dhe rihetim të çdo procesi" deklaroi sot para mediave, kryetari i PD-së Sali Berisha, i pyetur në konferencën e shtypit për vendimin më të fundit të Gjykatës Europiane e të Drejtave të Njeriut lidhur me 21 Janarin.

BIRN shkruan se "Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut njoftoi të martën se një dhomë e saj kishte gjetur unanimisht fajtor shtetin shqiptar për “shkelje të të drejtës së jetës” dhe “të hetimit“, parashikuar në nenin dy të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në lidhje me vrasjen e protestuesit Aleks Nika.

Padia ndaj Shqipërisë u bë nga bashkëshortja dhe fëmijët e Nikës ndërsa vendimi u dha nga një trupë prej 7 gjyqtarësh e përbërë nga  Pere Pastor Vilanova (Andora), President, Jolien Schukking (Holandë),  Georgios A. Serghides (Qipro), Darian Pavli (Shqipëri), Peeter Roosma (Estoni), Andreas Zünd (Zvicër), Oddný Mjöll Arnardóttir (Islandë) me kancelar Milan Blaško."


Lidhur me këtë zhvillim, Berisha tha:" I sqaroj shqiptarët se nëse ai proces nuk është hetuar siç duhet, ai nuk është hetuar vetëm për shkak të Edi Ramës. Për të mbrojtur Edi Ramën, i cili është autori i vërtetë prapa asaj që ndodhi, i cili erdhi dhe e rrethoi kryeministrinë me banda dhe banditë, në një protestë më të dhunshmen në historinë e vendit, me qëllime të caktuara ndaj pushtetit.

Edi Rama i ka të gjithë deklaratat e tij në televizion, se kur populli do të bëjë këtë, se kur populli do bëjë atë. Kështu që ishte ky kontekst që bëri që Ina Rama dhe jo akuzat e mia ndaj Ina Ramës (se unë publikisht i bëra të qartë qëndrimet ndaj saj) të mos bëjë, ndoshta siç thotë Strasburgu, hetimin e duhur.

E dyta, ky proces, në masën 80 përqind është hetuar pasi Sali Berisha ka ikur nga pushteti. Dhe është hetuar nga Ina Rama, një militante e verbër e PS, një person me kredencialet më të ulëta që mund të ketë një njeri.

Ua them unë se kanë dalë shumë gjëra mbrapa. Dhe një person, që kur përfaqësuesi i qeverisë amerikane, erdhi dhe dha një kontribut të madh në atë kohë, e them me shumë vërtetësi, dhe unë kërkoja një prokuror ndërkombëtar për hetim, ajo refuzonte. Dhe aty, lexoni se çfarë tha zoti Countryman për Ina Ramën. I keni deklaratat në median tuaj.

Natyrisht nuk mund të mos them këtu, se keqardhja ime është se në atë vendim, ndodhet firma e Dorian Pavlit, kushëririt të Edi Ramës.

Po të kishte qenë një gjykatës tjetër shqiptar, do të mund të kishte sqaruar gjykatësit e nderuar të Strasburgut, për të cilët unë them përsëri, për hetimin le të bëhet dhe ribëhet sa herë të jetë e nevojshme, do kishte sqaruar se kushëriri i Dorian Pavlit, është nxitësi kryesor i asaj që ndodhi, nga jashtë, me fakte dhe dokumente.

Do kishte sqaruar se Ina Rama është një militante e partisë së Edi Ramës, e cila nuk bëri hetimin sepse i duhej të thërriste Edi Ramën, sepse komuniteti ndërkombëtar kërkonte në mënyrë të prerë që të hetohen organizatorët dhe autorët e asaj që ndodhi po duket, Dorian Pavli, ka qenë aty njëkohësisht avokat i Edi Ramës. Nuk ka qenë gjykatësi përfaqësues i paanshëm i Shqipërisë."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco