VIDEO/ 'Bashkohuni me ne'/ Studentët e Mjekësisë protestojnë para Ministrisë së Arsimit

11:14, 09/10/2023
A+ Aa A-

Studentët e Mjekësisë kanë vijuar me protestën. Ata kanë marshuar nga godina e Universitetit të Mjekësisë deri te Ministria e Arsimit që ndodhet në rrugën e ‘Durrësit’.

Me pankarta në duar ‘Shihemi në gjyq’ studentët kundërshtojnë ligjin që i detyron të punojnë 5 vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve.

"I kërkojmë ministres të ketë guximin të përballet me studentët. Ne studentët e mjekësisë nuk jemi qengja që të keni të drejtën të na flijoni. S’ua ka dhënë të drejtën as parlamenti e as zoti", thonë ata.

Studentët bënin vazhdimisht thirrje: "Bashkohuni me ne!"

Që prej fillimit të vitit të ri akademik, auditoret e Fakultetit të Mjekësisë janë bosh pasi studentët e të gjitha viteve kanë bojkotuar në shenjë proteste.

Njëzëri ata kanë një kërkesë për ministrinë: “Ministrisë i bëjmë thirrje, ne studentët duam zgjidhje”, ndërsa edhe kërkojnë që studentë të tjerë dhe qytetarë të bashkohen qëllimit të tyre.

“S’kisha në plan të ikja, s’kam në plan të kthehem”; “Si mund të kurojnë duart e prangosura”; “Ikëm se mendum se nuk ka shpresë, harruam që shpresa jemi ne”; “Ne e mbyllim godinën dhe nuk ju pyesim fare – studentët e mjekësisë 2023”, këto ishin disa nga shumë pankartat që studentët mbanin në duar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco