Xhepa: Taksa mbi infrastrukturën arsimore është jokushtetuese, mungon transparenca!

10:05, 27/09/2023
A+ Aa A-

“Bashkia Tiranës vendosi që ta zgjaste shtrirjen e mbledhjes së "Taksës mbi infrastrukturën arsimore" edhe me 3 vite të tjera përmes vendimit nr. 139 të Këshillit Bashkiak Tiranë të datës 23 dhjetor 2022. Në “fazën e parë” të taksimit të përkohshëm për 7 vitet e kaluara, Bashkia Tiranë mblodhi rreth 4.8 miliardë lekë ose gati 45 milionë euro.

Megjithëse ajo e shtyu afatin për të mbledhur më shumë para edhe për 3 vite të tjera, rezulton se dështoi të realizonte objektivin për ndërtimin e 17 shkollave, përmes një skeme të “Partneritetit Publik Privat” (PPP). Ekspertët e qeverisjes vendore ankohen se ka mungesë transparence nga bashkia e Tiranës mbi mënyrën e shpenzimit të të ardhurave nga taksa për infrastrukturën e arsimore.”

*Pjesë nga investigimi i gazetarëve të BIRN, Geri Emiri dhe Ariola Azizolli, publikuar më 25.9.2023.

Sipas Prof. Assoc. Dr. Selami Xhepës, President i Universitetit Europian të Tiranës, taksimi mbi infrastrukturën arsimore që bashkia e Tiranës ka vendosur ta aplikojë edhe për tri vitet në vazhdim, në shumë këndvështrime, është jokushtetues. I ftuar sot në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV për të dhënë gjykimin e tij mbi këtë temë si njohës i shkëlqyer i politikave fiskale, z. Xhepa ndër të tjera tha:

“Ka pasur një debat të rëndësishëm midis juristëve nëse taksa e vendosur nga bashkia për financimin e infrastrukturës arsimore në nivelin parauniversitar (që  është kompentencë e pushtetit vendor) është kushtetuese apo jo, - shpjegoi ai, - sepse në fakt, ka një parim që thekson se shërbimet publike financohen nëpërmjet shërbimit të përgjithshëm të taksimit. Pra, në gjithë taksat dhe tatimet që ne paguajmë, i paguajmë për këto gjëra, për arsimin, për shëndetësinë dhe për investimet në infrastrukturë. Këto janë tri  drejtimet kryesore ku kanalizohen investimet që financohen përmes taksave tona; edhe tatimi i të ardhurave personale, edhe TVSH-ja, tatimi i fitimit - nga sistemi i përgjithshëm i taksimit.

Kështu që ka një debat të rëndësishëm nëse është apo jo kushtetues dhe në fakt në shumë këndvështrime, ky lloj taksimi, kjo lloj takse, gjykohet se është jokushtetuese - e para.

Është njëlloj si “taksa Majko” që u mor për një qëllim të caktuar , i cili nuk u zbatua kurrë, sepse në mënyrën e taksimit ne nuk kemi taksa që shkojnë në një fond të posaçëm.

Të gjitha taksat shkojnë në një numër llogarie që është numri i llogarisë që ka Ministria e Financave për qeverinë ose bashkia e Tiranës për të ardhurat e pushtetit vendor, ç’ka do të thotë se kontributi i kësaj takse humbet.

Për pasojë është e vështirë që të kontrollojmë nëse taksa që ka paguar familja shqiptare kanë shkuar realisht për përmirësimin në infrastrukturë, ato 45 milionë euro që u raportuan apo kanë shkuar për të mbyllur edhe qokat e tjera që ka pushteti.

Transparenca nuk është një element i rëndësishëm apo një element që bën diferencë në kontekstin e institucioneve shqiptare.  Pra, transparenca mungon edhe tek qeveria qendrore, mungon edhe tek qeveria vendore.

Kam përshtypjen se kjo lidhet me sistemin e përgjithshëm të funksionimit të demokracisë në institucionet shqiptare, me mungesën e standardeve të llogaridhënies që ka pushteti vendor ose edhe pushteti qendror dhe institucionet publike në përgjithësi.

Shqipëria nuk është shquar asnjëherë as për transparencë, as për llogaridhënie, as për instrumentet demokratike të kontrollit dhe të hapjes,” nënvizoi Xhepa. /ar/sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco