Ahmetaj kundërshtoi Veliajn për inceneratorin e Tiranës/ Detaje tronditëse nga dosja e SPAK

Ahmetaj kundërshtoi Veliajn për inceneratorin e Tiranës/ Detaje tronditëse nga dosja e SPAK

19:33, 13/07/2023
A+ Aa A-

Prej ditësh, në mediat pranë qeverisë, ka nisur një sulm i orkestruar ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Por ndërsa përflitet se pas këtij sulmi qëndron dora e Erion Veliajt, dosja më e fundit e SPAK për Arben Ahmetajn zbardh arsyet se përse ka ardhur kjo përplasje.

Sipas dosjes, projekti i inceneratorit të Tiranës u propozua nga Erion Veliaj.

Për më tepër, projekti ndeshi në kundërshtimin jo vetëm të Shkëlqim Canit, por edhe të Arben Ahmetajt më vonë si ministër i Financave.

Shkëlqim Cani u largua nga detyra e ministrit të Financave në shkurt të vitit 2016 dhe u zëvendësua nga Arben Ahmetaj. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i dërgon shkresën me propozimin për ndërtimin me PPP të inceneratorit ministrit të ri.

Dosja hetimore zbulon se shkresa ka të njëjtën përmbajtje me atë të janarit, me shtesën e vetme ku thuhet se është dërguar edhe një studim fizibiliteti. Ahmetaj nuk e miraton propozimin pasi sipas tij: “mungon argumentimi nëse projekti i propozuar me PPP ka kosto më të lirë se në rastin se do të bëhej me prokurim publik me fondet e shtetit.”

Negociatat për miratimin e projektit i merr më pas në dorë Ministria e Mjedisit.

Një email i datës 2 mars 2016, i sekuestruar nga prokuroria në komjuterin e Klodian Zotos tregon se një punonjës i Ministrisë së Mjedisit, Vladimir Bezhani, i kishte dërguar atij një dokument me titull “Bashkia Tiranë”.

Dokumenti është një shkresë e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka drejtuar Erion Veliajt ku shpreh dakordësinë me propozimin e bashkisë së Tiranës dhe sugjeron ngritjen e një grupi pune të përbashkët.  Bezhani i drejtohet Zotos me fjalët: “Shikoje dhe më thuaj nëse je dakord.”

Ministria e Mjedisit dërgon sërish në Ministrinë e Financave një argument se pse varianti PPP do të ishte më i lirë sesa prokurimi me fondet e shtetit, por refuzohet sërish. Sipas SPAK, argumenti u shkrua nga Klodian Zoto.

Drejtorja e Përgjithsme e Buxhetit në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhëmbi argumentoi se projekt-vendimi kishte karakter individual dhe si i tillë ishte jashtë fushës së përgjegjësisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit.” Të njëjtin argumentim në refuzim përdori dhe ministri Ahmetaj në përgjigjen që i dërgon Ministrisë së Mjedisit.

Ahmetaj refuzon disa herë të tjera dhënien e miratimit si ministri përgjegjëse për tavanet buxhetore dhe implikimet financiare të projekteve në partneritet publik- privat me argumentin se nuk është e qartë se kush do të bëjë pagesat, me çfarë fondesh do të bëhet shpronësimi i tokës për zgjerimin e landfillit dhe se norma e kthimit të përhershëm të investimit (IRR) është llogaritur gabim 5%, kur në fakt rezulton të jetë 8%.

Këtë shkresë, punonjësja e Ministrisë së Mjedisit, Alba Thoma ia dërgon ish-sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako shoqëruar me tekstin “Ufffffffff”. Shkresën e dërgon më pas në emailin personal të saj dhe ia dërgon Klodian Zotos.

Zoto i dërgon më pas një email Alba Thomës në janar 2017, ku shkruhet “Përgjigje përfundimtare MF nga MM”.

Kjo përgjigje e shkruar nga Zoto do të përdorej për t'u dërguar në Ministrinë e Financave nga Ministria e Mjedisit dhe sqaronte se mbështetjen buxhetore për impiantin ta mbante qeveria qëndrore, duke qënë se bashkitë në qarkun Tiranë nuk kishin mundësi të përballon kostot.

Ministria e Financave refuzon sërish dhënien e miratimit.

Pas kësaj ideje, ministri Koka i dërgon një letër tjetër Arben Ahmetajt, ku sqaron se shpenzimet për shpronësimin e tokës dhe pagesat për mbetjet që përpunohen do të përballohen nga vetë bashkia me fondet e transfertave të pakushtëzuara që bën buxheti.

Ahmetaj kërkon shkresën e miratimit me shkrim nga qarku Tiranë, sipas modelit financiar që kishte dërguar Ministria e Mjedisit. Më 27 mars 2017, Erion Veliaj i dërgon miratimin Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako.

Ahmetaj refuzon ta miratojë derisa Ministria e Mjedisit ia dërgon me email shkresën e dhënies së miratimit nga Erion Veliaj. Ai më pas i hap rrugë procedurës duke u shprehur “pa komente”. Përgjigjja dërgohet 16 minuta më vonë nga Alba Thoma në adresën e emailit të Klodian Zotos.  Sipas hetimit të SPAK, “Ahmetaj nuk e pengon këtë procedurë pavarësisht problemeve që ajo paraqiste”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco